Aktivitetet



E martë, 15 mars 2011

MBLEDHJA E NËNTËDHJETESHTATË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET 

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e nëntëdhjeteshtatë të mbajtur më 10 mars 2011, si trup punues amë shqyrtoi pesë Propozim-ligje, të cilët i arsyetoi zëvendësministri i Financave, Z. Nedim Ramizi.

- Në arsyetimin hyrës për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financim të njësive të vetadministrimit lokal (në lexim të parë), zëvendësministri i Financave theksoi se me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara bëhet saktësimi plotësues i punës dhe kompetencave të Komisionit për ndjekje të zhvillimit të sistemit për financim të komunave dhe Komisionit për ndjekje dhe vlerësim të përmbushjes së kushteve për kalim në fazën e dytë të procesit të decentralizimit fiskal. 

Në pjesën e jostabilitetit financiar, janë realizuar ndryshime në pjesën e shpalljes së jostabilitetit financiar të komunës dhe marrjen e masave dhe aktiviteteve për tejkalimin e të njëjtit.  Bëhet ndryshimi i afatit për kthim të huas afatgjate nga më së shumti pesë vjet, në më së shumti dhjetë vjet. 

Në pjesën e sanksioneve kundërvajtëse, do të zmadhohet përgjegjësia tek personi përgjegjës, përkatësisht personi udhëheqës i njësisë së vetadministrimit lokal.

Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financim të njësive të vetadministrimit lokal është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

- Në lidhje me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit doganor (në lexim të parë), Z.  Ramizi theksoi se me ndryshimet dhe plotësimet e propozuara bëhet harmonizimi i procedurës për prolongimin e realizimit të zgjidhjeve të cilat i miraton organi doganor, e posaçërisht të atyre që kanë të bëjnë me pagesën plotësuese të borxhit doganor, procedurën për deklarim të mallrave para se të hyjnë në territorin doganor (e cila procedurë në mënyrë adekuate zbatohet gjatë eksportit), sigurimin e bazës juridike për përdorimin e obligueshëm të deklarimit elektronik në procedura të ndryshme doganore, procedurën për ruajtjen e përkohshme të mallit, lirimin nga pagimi i të dhënave importuese për mallrat e dërguar nga ana e personave fizikë dhe për dërgesa me vlerë të vogël të porositura nga jashtë për pranuesit në vend, procedurën transite, harmonizimin e formës së instrumenteve për sigurimin e borxhit doganor, si dhe mënyrën e llogaritjes, evidentimit dhe pagesës së borxhit doganor, me ndryshime dhe plotësime adekuate të dispozitave kundërvajtëse të ligjit. 

Me ndryshimet e propozuara do të sigurohen parakushtet e nevojshme për zbatimin efektiv të dispozitave, standardeve dhe principeve në bazë të cilave punojnë shërbimet doganore në Bashkimin Evropian. 

Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit doganor është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

- Zëvendësministri i Financave në arsyetimin hyrës në lidhje me  Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi fitimin (në lexim të parë) theksoi se me të definohet baza tatimore e cila përbëhet prej:

1) bazës fiskale, të cilën e përbëjnë shpenzimet jo të pranuara për qëllime tatimore dhe 
2) rezultatit financiar – bruto fitimi i kontabilitetit, i cili sipas mbulimit të humbjeve nga puna në periudhat e kaluara tatimore tatimohet në vitin e ndarjes së tij për pagesa në formë të dividendëve dhe ndarjeve tjera nga fitimi.   

Në lidhje me tatimimin e ndarjeve nga fitimi në formë të dividendëve dhe pagesave të tjera, ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në këtë ligj janë në drejtim të saktësimit plotësues të kategorive të veçanta siç janë:  dividenda e paguar,  avansi i dividendës, pagesat tjera nga fitimi i obliguesit tatimor, posaçërisht në pjesën e mbetjes të paguar nga masa e falimentimit dhe likuidimit të shoqërisë ndaj bashkëpronarëve  ose aksionarëve mbi shumën e kryegjësë bazë të shoqërisë, pagesat ndaj bashkëpronarëve ose aksionarëve në rastet e daljes së tyre nga shoqëria me kusht që të bëhet zvogëlimi i kryegjësë bazë.  

Në kontekst të asaj që u tha më lartë, për pagesa tjera nga fitimi konsiderohen edhe zmadhimi i kryegjësë bazë i shoqërisë që ndërmerr në kushte të transformimit dhe paraqitjes së ndryshimeve statusore (bashkëngjitje, bashkim, ndarje) të shkaktuara nga vlerësimi i sërishëm i pronës afariste të shoqërive të bartura, si dhe ndarja e fitimit ndaj pronarëve, menaxhmentit dhe personave  të punësuar, në bazë të vendimit të shoqërisë.        

Me ndryshimet e propozuara, bëhet rregullimi plotësues i kategorive të shpenzimeve që i nënshtrohen tatimimit, ndërsa paraqesin shpenzime jofunksionale, përkatësisht dobi personale për bashkëpronarët ose aksionarët, menaxhmentin dhe personat e punësuar, siç janë: pagesat e fshehta nga fitimi, siç janë format e ndryshme të dhënies në dobi të menaxhmentit dhe të punësuarve në shoqëri të cilët nuk janë rezultat i punës afariste të personit juridik.

Me qëllim që të kontribuohet drejtë ngjalljes dhe zhvillimit të mëtejshëm të shtyllës së tretë pensionale në Republikën e Maqedonisë, si dhe të stimulohen punëdhënësit që të organizojnë dhe financojnë skemë pensionale, përkatësisht të paguajnë kontribute plotësuese për të punësuarit e tyre, me ligjin propozohet që shpenzimet në bazë kontributeve të paguara vullnetare në fondin vullnetar pensional  që nuk e tejkalojnë shumën prej katër bruto pagave mesatare mujore në nivel mujor për të punësuar, të paraqesin shpenzim të pranuar për qëllime tatimore. 

Me këtë Propozim-ligj, bëhet edhe përshkrimi detal i shpenzimeve dhe të ardhurave më pak të shprehura tek  subjektet e ndërlidhura, posaçërisht në pjesën e kamatave në bazë të huas të marrë nga bashkëpronarët ose aksionarët në mënyrë indirekte ose drejtpërdrejtë të ndërlidhur me personin juridik.

Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi fitimin është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

- Ne lidhje me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për supervizion të sigurimit (në lexim të parë), Z.  Ramizi theksoi se kundërvajtjet e përcaktuara me Ligjin për supervizion të sigurimit janë të grupuara në mënyrë jopërkatëse, pa mos u mbajtur llogari për rëndësinë e tyre për madhësinë e subjektit që e ka kryer kundërvajtjen. 

Me qëllim të avancimit të politikës ndëshkuese në Republikën e Maqedonisë, në Ligjin për supervizion të sigurimit, propozohet që kundërvajtjet të jenë të grupuara sipas rëndësisë dhe sipas madhësisë së subjektit që e ka bërë kundërvajtjen.  

Me zgjidhjen ekzistuese në ligj, shoqëritë për sigurim mund që 60% nga kapitali të investojnë në patundshmëri, si dhe në investime kapitale në shoqëri të tjera për sigurim, institucione financiare dhe persona të tjerë juridik, me ç’rast investimi i veçantë i shoqërisë për sigurim në një patundshmëri nuk mund të jetë më i madh se 10% nga kapitali i shoqërisë.

Me qëllim që tu mundësohet shoqërive për sigurim që lirisht t’i investojnë mjetet nga kapitali, qoftë për blerje të patundshmërive për nevoja personale, qoftë për investime në patundshmëri, me Propozim-ligjin mënjanohet kufizimi ekzistues prej 10% për investim në shoqëritë për sigurim në një patundshmëri.

Me formimin e Agjencisë për supervizion të sigurimit definohen edhe qëllimet e tyre bazë në lidhje me rregullimin dhe avancimin e tregut të sigurimit në Republikën e Maqedonisë. 

Me qëllim të avancimit të tregut të sigurimit, Propozim-ligji përmban dispozita me të cilat aksent i posaçëm vendoset në kriteret e caktuara të cilët personat- përfaqësues në sigurim dhe brokerat e sigurimit duhet t’i përmbushin, rritet mbrojtja e konsumatorit-shfrytëzuesit të sigurimit, si dhe dispozita të tjera me të cilat avancohet tregu i sigurimit.  

Në Propozim-ligjin bëhet edhe harmonizimi i ligjit në pjesën e mbajtjes së librave tregtar, përgatitjes së raporteve financiare dhe revizionit të brendshëm me dispozitat nga Ligji për shoqëri tregtare dhe përshtatja terminologjike e kategorisë investime të lejuara me qëllim të harmonizimit me rregullativën pozitive ligjore, praktikën në vend dhe gjendjen momentale të tregut financiar.

Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për supervizion të sigurimit  është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

- Zëvendësministri i Financave e arsyetoi edhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurim të detyrueshëm në komunikacion (në lexim të parë), në lidhje me të cilin theksoi se dispozitat e përcaktuara me të janë të grupuara në mënyrë jopërkatëse, pa mos u mbajtur llogari për rëndësinë e tyre ose për madhësinë e subjektit që e ka kryer kundërvajtjen.  

Me qëllim të avancimit të politikës ndëshkuese në Republikën e Maqedonisë, propozohet që në Ligjin për sigurim të detyrueshëm në komunikacion kundërvajtjet të grupohen sipas rëndësisë së tyre dhe sipas madhësisë së subjektit që e ka kryer kundërvajtjen, ndërsa propozohet edhe zvogëlimi i lartësisë së gjobave që u shqiptohen shoqërive për sigurim, Biros nacionale për sigurim dhe personave fizikë kryerës të kundërvajtjeve që dalin nga ky Ligj.  

Komisioni njëzëri konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtutjeshëm. 

Click