Aktivitetet



E hënë, 14 mars 2011

PËR MAQEDONINË ËSHTË SHUMË ME RËNDËSI T'I PLOTËSOJË KRITERET PËR ANËTARËSIM NË BE 

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Z.  Petar Pop-Arsov dhe bashkëkryetari i Komitetit të Përzier Parlamentar RM-BE, Z.  Aleksandar Spasenovski, realizuan takim me shefin e sapoemëruar të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, SH.T.  Piter Sorensen.

Në takim, kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane e shfrytëzoi mundësinë t'i dëshirojë mirëseardhje të përzemërt ambasadorit Sorensen, me ç'rast shprehu gatishmëri të plotë për bashkëpunim të bazuar në besim, miqësi dhe profesionalizëm në interes të afrimit të Republikës së Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.   

Me këtë rast, Z.  Petar Pop-Arsov u përqendrua te kompetencat dhe aktivitetet e Komisionit për Çështje Ekonomike, duke vlerësuar se paraqet faktor aktiv institucional në proceset eurointegruese të Republikës së Maqedonisë.

Ai theksoi se fokusi i Republikës së Maqedonisë është i drejtuar në marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe maksimizimin e angazhimeve për tejkalimin e dallimeve rreth kontestit me emrin.    Në këtë kontekst, theksoi se reformat që bëhen në Republikën e Maqedonisë janë në drejtim të plotësimit të kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe të inkorporimit të vlerave, principeve dhe standardeve evropiane në jetën e përditshme të qytetarëve të Maqedonisë.

Bashkëkryetari i Komitetit të Përzier Parlamentar RM-BE, Z.  Spasenovski, i dëshiroi mirëseardhje ambasadorit Sorensen dhe e përshëndeti bashkëpunimin e mirë të deritanishëm me paraardhësin e tij në procesin eurointegrues dhe aktivitetet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. 

Në lidhje me aspiratat për anëtarësim në BE, Z.  Spasenovski theksoi se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, si dhe në tërë shtetin, ekziston konsensus i gjerë ndërmjet të gjitha partive politike për realizimin e qëllimeve evropiane  dhe përgjegjësisë së ndarë ndërmjet faktorëve politikë në Kuvend të cilët udhëheqin me trupat bartës për eurointegrime që vijnë nga radhët e pozitës, opozitës, si dhe nga bashkësitë etnike në shtet.  

Ambasadori Sorensen shprehu kënaqësi për takimin e përbashkët dhe njoftimin e ndërsjellë me deputetët që i udhëheqin çështjet evropiane në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë si partner esencial në procesin e eurointegrimeve. Ai theksoi se për Republikën e Maqedonisë është shumë me rëndësi të vazhdojë t'i plotësojë kriteret për anëtarësim në BE, të cilat nuk janë aspak të lehta, që të arrijë deri te pjesa konkrete e kapitujve në procesin e negociatave për aderim në BE dhe se do të angazhohet t'i ndihmojë vendit në këtë proces. 

Në fund, tre bashkëfolësit shprehën gatishmëri të sinqertë për bashkëpunim të mëtejmë  intensiv dhe të ngushtë në këtë plan.
               

                                

Click