Udhëheqja parlamentare



E Martë, 2 gusht 2011, Krushevë

FJALIMI I KRYETARIT TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË, Z.   TRAJKO VELJANOSKI, NË MANIFESTIMIN "DHJETË DITË REPUBLIKA E KRUSHEVËS"

Të nderuar të pranishëm,
Të dashur bashkëqytetarë,

Meçkin Kamen ka vend të veçantë në historinë tonë dhe në zemrat tona.  Pikërisht këtu, para 108 viteve është vendosur themeli i shtetësisë së Maqedonisë. Në  vitin 1903 populli maqedonas në Krushevë e formon Republikën e parë në këtë pjesë të Evropës. Duke shprehur qartë vullnetin tonë për pavarësi dhe mëvetësi dëshmuam se nuk ekziston dëshirë më madhe se ajo për liri.

Treguam se ndjenja të jesh i zot në vendin tënd, të kesh të sigurt vatrën dhe familjen është e drejtë e patjetërsueshme e çdo njeriu.

Për lirinë tonë dhe idealin për pavarësinë e shtetit maqedonas kanë rënë viktima të shumta të cilëve sot u gjunjëzohemi dhe u japim nderime.

Mundësia që të mblidhemi në këtë vend të rëndësishëm është realizuar duke iu falënderuar sakrificës së këtillë të paraardhësve tanë të lavdishëm.

Duke iu falënderuar vizionit të tyre dhe vendosmërisë për të mos u larguar nga qëllimi përfundimtar, Maqedonia sot është shtet i pavarur ku të gjithë qytetarët jetojnë lirshëm.

Pikërisht për këtë është me rrëndësi të festohet kjo ditë!

Ne - pasardhësit e Goce Dellçevit, Pitu Gulit, Jane Sandanskit, Gjorçe Petrovit dhe kolosëve tjerë të historisë maqedonase kemi për obligim ta përkujtojmë dhe kurrë mos ta harrojmë luftën shekullore për liri dhe dinjitet.

Edhe pse Kryengritja e Ilindenit paraqet kulminacionin e luftës maqedonase për pavarësi, me rrëndësi është që në këtë ditë t'i përmendim edhe kryengritjet tjera të cilat njëlloj kontribuuan për rruajtjen dhe përfundimisht edhe plotësimin e ëndrrës për Maqedoninë e pavarur. 

Në këtë ditë duhet t'u japim nderime edhe Kryengritjes së Karposhit, Kryengritjes së Razllovcit, Kryengritjes së Kresnës, Kryengritjes së Kumanovës, Ohrit dhe Tikveshit, si dhe Luftës Nacional-Çlirimtare dhe Lëvizjes partizane që paraqet vazhdim të luftës maqedonase për pavarësi.

Historia jonë është përplot me vepra të këtilla heroike që i japim kuptim dhe qëllim ekzistencës sonë!

Për shkak të vendosmërisë së popullit maqedonas dhe mosthyerjes së shpirtit maqedonas, Maqedonia e pavarur nuk është më vetëm synim.

Maqedonia veç më dy dekada është realitet!

Përgjegjësia jonë ndaj amanetit dhe trashëgimisë së heronjve maqedonas është e madhe. 

Duke iu falënderuar sakrificës së dhënë këtu, dhe në shumë vende tjera, ne e jetojmë ardhmërinë për të cilën ëndërronin dhe luftonin bijtë dhe bijat e Maqedonisë. 

Duke u përkujtuar në të kaluarën ku krahas tyre edhe vet ne morëm pjesë dhe e krijuam, do të vërejmë se çdo kohë sjell sfida të reja që duhet të tejkalohen.

Nëse kjo në fillim të shekullit XX ishte të luftojmë për vend nën diell, sot, në  muzgjet  e shekullit XXI, sfidë është të bëhemi një vend stabil dhe me prosperitet i cili qytetarëve të vet ju hap mundësi dhe ju ofron perspektiva të reja. 

Kjo është beteja e gjeneratës tonë nga e cila nuk guxojmë të tërhiqemi, madje as atëherë kur është më vështirë, sepse pas natës çdoherë vjen agimi!

Pikërisht për këtë, 2 gushti, Ilindeni, është aq i rëndësishëm për ne.

Çdo vit, në këtë ditë përkujtohemi se nuk guxojmë të gjunjëzohemi para pengesave që na dalin në rrugë.

Në këtë vend, paraardhësit tanë, të vetëdijshëm se gjasat për sukses nuk u mbështeten, me guxim kanë luftuar gjer tek i fundi, për atë në çka kanë besuar dhe që aq shumë e kanë dëshiruar.

Me heroizmin e njëjtë është zhvilluar lufta kundër fashizmit, pas të cilës Maqedonia, në Ilindenin e Dytë në Manastirin Shën Prohor Pçinski, sigurt bëri hap drejt pavarësisë së vet.

Vetëm qëndrueshmëria dhe paluhatshmëria çojnë deri te plotësimi i dëshirave të cilat ngandonjëherë duken si të largëta dhe të parealizueshme.

Qëndrueshmëria e këtillë është pjesë e shpirtit maqedonas.

Asnjëherë mos e harroni këtë!

Duke shikuar Maqedoninë sot, jam krenar për pjekurinë që e treguam si komb dhe si shtet.

Është e madhe kënaqësia dhe nderi të vazhdohet vepra e etërve të kombit dhe shtetit tonë.

Në këtë mijëvjeçar të ri hyjmë me dëshirën për ta bërë Maqedoninë shtëpi më të mirë për ne dhe për familjet tona. 

Në fillim ishte vërtet vështirë!

Kishte kohëra kur kishim shumë shkaqe ta humbim shpresën!

Jostabiliteti, luftërat dhe kalimi i vështirë në tjetër sistem të udhëheqjes e vunë në testim gatishmërinë tonë për t'u ballafaquar me probleme serioze që kishin potencial të krijojnë pasoja serioze. Por arritëm të ngrihemi mbi këto pengesa dhe treguam se Maqedonia meriton më tepër dhe më mirë.

Njëra prej arritjeve të mëdha të gjeneratës tonë është kthimi i besimit mbi të drejtën dhe drejtësinë si shtyllë e stabilitetit dhe harmonisë në një shoqëri.  Askush nuk ka të drejtë në kushte tjera ose më të mira për ndërtimin e karrierës ose për fitimin e të mirave materiale, nga të tjerët.

Askujt më tepër dhe askujt më pak!

Kjo është rruga e vetme që çon drejt suksesit.

Në vitet e kaluara patëm sukses edhe në masë të konsiderueshme të kontribuojmë për ringjalljen e zhvillimit të ekonomisë.  Nuk është aspak e lehtë të bëhet kalim i suksesshëm në ekonominë e tregut, por me punë të lodhshme dhe përkushtim të sinqertë të institucioneve të sistemit patëm sukses ta zhvillojmë frymën e sipërmarësisë në ne. 

Megjithatë, për zhvillimin dhe rritjen e fuqisë ekonomike të shtetit ka dy parakushte që janë me rrëndësi të madhe për realizimin e këtij qëllimi.

I pari ka të bëjë me të qenurit në hap me teknologjinë. Modernizimi është mënyra e vetme që prodhimet maqedonase të bëhen më konkurrente dhe ta gjejnë vendin e tyre në tregun evropian dhe botëror. Prandaj është e nevojshme të bëhen angazhime të palodhshme në modernizimin e prodhimtarisë dhe teknologjive që janë të lidhura me të njëjtën. 

Elementi i dytë, e ndoshta edhe më i rëndësishmi, për zhvillimin afatgjatë dhe progresin e një shteti është arsimi.

Dituria është çelësi i ardhmërisë së Maqedonisë.

Me dituri pushtohet bota dhe rrënohen të gjithë kufijtë dhe kufizimet. 

Dituria mundëson progres.

Vetëm kombi me arsim të lartë mund të jetë në hap me kohën dhe ta krijon ardhmërinë. 

Obligimi jonë është të ju mundësojmë fëmijëve tanë të fitojnë sa më shumë njohuri.

Inkurajoni të rinjtë të mësojnë, të përsosen dhe t'i plotësojnë njohuritë e tyre!

Kujtohuni se disa prej revolucionarëve më të mëdhenj kanë qenë mësues, njerëz me pikëpamje dhe njohuri të gjëra të cilat pa egoizëm ua kanë bartur tjerëve.  Ata e kanë ditur se vetëm përmes arsimit mund të realizohen të gjitha dëshirat dhe qëllimet në jetë.

Reformat e realizuara në armatë qysh para disa vitesh morën verifikim ndërkombëtarë për cilësinë me të cilën u implementuan.

Gatishmëria jonë të bëhemi anëtare e plotfuqishme e NATO-s është dëshmi e fortë për këtë fakt.

Nga lufta për pavarësinë dhe lirinë e vet tani ushtarët tanë, së bashku me kolegët e tyre nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Polonia dhe vendet tjera të aleancës, në mënyrë aktive kontribuojnë që edhe popujt tjerë të mund të gëzojnë lirinë siç e ka Maqedonia dhe siç pritet nga çdo demokraci moderne.

Duke vlerësuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë si gjendje për të cilat nuk ka alternativa mbetemi edhe më tej të përkushtuar te misionet paqeruajtëse që i udhëheqin aleatët tanë. 

Vazhdojmë bashkërisht ta ndërtojmë botën në frymën e lirive dhe të drejtave universale të njeriut, për fitimin e të cilës edhe është ngritur Kryengritja e lavdishme e Krushevës të cilën sot e festojmë.  

Përveç Lidhjes Veri-atlantike, Republika e Maqedonisë me tempo të përshpejtuar lëviz edhe drejt arritjes së anëtarësisë në Bashkimin Evropian.   Reformat të cilat i realizojmë për avancimin e jetës, të drejtave dhe lirive tona njëkohësisht na çojnë një hap më afër Unionit.  Për këtë dëshmon edhe rekomandimi për caktimin e datës për fillimin e negociatave të cilën Maqedonia e merr veç më disa herë me radhë.

Vlerat të cilat i ndajmë me vendet e Bashkimit Evropian natyrshëm na vendosin mes vëllezërve dhe motrave tona të vendeve tjera evropiane.

Sinqerisht besoj se nuk është larg dita kur shteti jonë do ta zë vendin e tij mes popujve tjerë të vëllazëruar evropian. 

Duke marr parasysh aspiratat dhe vizionet e kryengritësve të Krushevës për të drejta dhe liri të njeriut për të gjithë qytetarët më lejoni të përqendrohemi edhe te multikulturalizmi dhe bashkëjetesa etnike të cilat janë shenjë e shoqërisë maqedonase.

Pikërisht këto të drejta ishin thelbi i Kryengritjes së Krushevës!

Manifesti me të cilin u konstituua Republika e Krushevës është shembull për respektimin e të drejtës për jetë dhe lumturi.

Manifesti i Krushevës nuk diskriminonte mbi asnjëfarë baze. 

Përkundrazi!

Ai ishte bashkues i të gjithë popujve dhe religjioneve pas idesë për Maqedoninë e pavarur.

Obligimi jonë është të vazhdojmë të ndërtojmë mbi këtë trashëgimi!

Duhet të jemi krenar për atë se tek ne me shekuj ekziston bashkëjetesa dhe toleranca të cilës madje edhe një pjesë e demokracive perëndimore mund t'i lakmojë!

Doemos duhet të punojmë për zhvillimin e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.

Ajo që jemi të ndryshëm nuk domethënë se nuk mundemi dhe nuk duhet të jemi miq, fqinjë dhe bashkëqytetarë!

Të dashur miq,

Para se të përfundoj, ju përkujtoj se përveç 108 vjetorit të Kryengritjes së Ilindenit, në vitin 2011 Maqedonia feston dhe dy dekada të pavarësisë së saj.

Duke parë në të kaluarën në kohërat kur ky tubim ka qenë vetëm ëndërr e revolucionarëve maqedonas, nuk mundem e të mos shpreh kënaqësi  dhe gëzim të veçantë për suksesin e Maqedonisë dhe kauzës maqedonase! 

Sot jetojmë në shtet modern evropian i cili me tempo të përshpejtuar vrapon drejt ardhmërisë së vet!

Me arsyetim të plotë, pres që atdheu jonë së shpejti të bëhet anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

Duke ju njohur gjithashtu e di se progresi i këtillë i shtetit dhe shoqërisë maqedonase do të vazhdojë me tempon e njëjtë madje edhe të përshpejtuar.

Besoj se kur për 20 vite, në këtë ditë, sërish do të mblidhemi në Meçkin Kamen do të mund të flasim për arritje edhe më të mëdha nga ato për të cilat folëm sot.

Atëherë përsëri do të përkujtohemi në Ilindenasit e lavdishëm, në vitet e vështira menjëherë pas pavarësisë, në këto vite të progresit dhe përparimit dhe sërish do të mendojmë për atë ku do të shkojë Maqedonia në 20 vitet e ardhshme!

Për në fund ju apeloj asnjëherë të mos e harrojmë vuajtjen dhe punën me të cilat është ndërtuar shteti ynë!

Mundësia të jetohet në vend me prosperitet dhe stabil nuk është e drejtë që na takon vetvetiu.

Për jetën që e jetojmë sot kanë luftuar gjenerata atdhetarësh të përkushtuar!

Edhe ne investuam shumë dhe heqim dorë prej shumë gjërave që ta bëjmë Maqedoninë shtëpi më të mirë për ne dhe për fëmijët tanë. 
Prandaj është e nevojshme që edhe më tej të mbetemi fortë të drejtuar në rrugën qe e zgjodhëm dhe e dëshirojmë.

E dimë se nuk është çdoherë e lehtë!

Ndonjëherë do të ndodh edhe ajo drejt të cilës synojmë dhe për çka pa kursim investojmë të mos e realizojmë në jetën tonë, por nuk guxojmë për këtë shkak të heqim dorë ose të kemi mëdyshje.

Jo çdoherë ai që e mbjell farën  e mbledh edhe frytin që do të rritet!

Duheshin pothuajse 90 vjet që Maqedonia të bëhet shtet i pavarur që nga ngritja e Kryengritjes së Ilindenit.  

Por kjo shkëndi nga 1903-shi i largët në vitin 1991 u shëndrua në dritë që nënkuptonte realizim të ëndrrës shekullore të popullit maqedonas për liri.

Tani kur fati jonë nuk varet prej askujt tjetër por prej vet nesh, pritjet janë edhe më të mëdha!

Të mos harrojmë se ato gjëra të mëdha i bëjnë njerëzit e thjeshtë që e kanë thurur fatin e tyre me Atdheun tonë biblik!

Neve na mbetet, me besim të fortë te Zoti, atë që e dëshirojmë për më të afërmit tanë, ta realizojmë për Maqedoninë!

Lavdi e përhershme për kryengritësit e Ilindenit dhe të gjithëve të cilët duke u sakrifikuar për atdheun dëshmojnë për ekzistimin e një qëllimi më të lartë në jetë-qëllim që e bën të kuptueshëm vullnetin e një populli guximshëm dhe pa mëdyshje të vazhdojë më tej madje edhe atëherë kur është më vështirë.

Qoftë i përhershëm kujtimi për dy Ilindenët!

Nderime për luftëtarët e rënë të Ilindenit para altarit të Atdheut!

Zoti Ju bekoftë të gjithëve dhe le të lëshojë mëshirën dhe bekimin e vet mbi tokën e tij - Atdheut tonë Maqedoninë!

Rroftë Maqedonia.

Faleminderit.

Click