Udhëheqja parlamentare



E mërkurë, 6 korrik 2011

KRYETARI VELJANOSKI E HAPI FESTIVALIN E 50-TË BALLKANIK TË KËNGËVE DHE VALLEVE POPULLORE

I nderuar zëvendësministër i Kulturës,
Shkëlqesi, 
Të nderuar pjesëmarrës të festivalit,
Përfaqësues të medieve,
Zonja dhe zotërinj, 

Me të vërtetë ndiej kënaqësi të madhe që sonte, të gjithë së bashku, ta shënojmë fillimin e Festivalit Ballkanik të këngëve dhe valleve.  Kjo kënaqësi është edhe më e madhe meqë festivali i sivjetshëm është jubilar, i pesëdhjeti me radhë, për çka, që në fillim dua të shpreh mirënjohje për organizatorin – Institucionin Kombëtar Qendrën për Kulturë “Grigor Përliçev” dhe gjithsesi për Ministrinë e Kulturës pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, me ndihmën materiale të së cilës mbështetet ky festival.  Sot Festivali ballkanik i këngëve dhe valleve popullore është anëtar i organizatave ndërkombëtare të festivaleve, me çka në mënyrë të veçantë paraqet promotorin e folklorit dhe këngës maqedonase, si pjesë e identitetit tonë kombëtar.

Të nderuar miq,

Sivjet përputhen më shumë ngjarje jubilare, pesëdhjetë vjet nga Festivali ballkanik i këngëve dhe valleve popullore, pesëdhjetë vjet nga Netët strugane të poezisë dhe, gjithsesi, njëzet vjet nga mëvetësia dhe pavarësia e Republikës së Maqedonisë, ngjarje me të cilën u realizuan synimet dhe ëndrra shekullore e popullit maqedonas për shtet të pavarur dhe demokratik të popullit maqedonas dhe të të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.  Pikërisht në folklorin maqedonas, në këngën popullore maqedonase, shumë shpesh shprehet ai synim dhe ajo ëndërr për shtetin e vet.

Të gjitha këto ngjarje jubilare të cilat i përmenda, në vete ngërthejnë edhe disa dimensione shumë të rëndësishme.  Së pari, në mënyrë të veçantë e shënojnë pasurinë e madhe kulturore dhe shpirtërore të popullit maqedonas, si dhe faktin se çdoherë kemi ditur ta ruajmë këtë pasuri tonën, ta bartim tek gjeneratat, ta zhvillojmë, dhe mbi këtë ta ndërtojmë  dhe zhvillojmë identitetin tonë kombëtar.  Në të njëjtën kohë, çdoherë e kemi treguar çiltërsinë tonë, respektin tonë ndaj kulturave të popujve tjerë, në kuptim të gjerë, dhe bashkë me ta, t’i ndajmë këto vlera, pa dallim nëse bëhet fjalë për folklor, këngë, poezi, art dhe kështu me radhë.  E gjithë kjo sot me të drejtë na vërteton si pjesë e kulturës evropiane, si pjesë e trashëgimisë së përgjithshme kulturore dhe civilizuese. 

Zonja dhe zotërinj,

Jam i bindur se edhe ky Festival ballkanik i pesëdhjeti me radhë i këngëve dhe valleve popullore, do të kalojë si edhe të gjitha festivalet e mëparshëm, në frymën e asaj kënaqësie, ndërsa unë do të thosha edhe bukurie, të cilën e mbart kënga popullore dhe folklori, pa dallim se prej ku vjen.  Besoj se të gjithë pjesëmarrësit, këtu në Ohër, qytet i cili me trashëgiminë e vet kulturore dhe shpirtërore, si dhe me manifestimet e veta aktuale kulturore, kohë më parë i ka tejkaluar kufijtë e Republikës së Maqedonisë dhe rajonit, do të ndjehen si në shtëpi, ndërsa ne si nikoqir në tërësi do ta manifestojmë mikpritjen tonë tradicionale.   Dhe besoj se të gjithë pjesëmarrësit kur do të kthehen në shtëpi, me vete, në kujtimet e tyre, përgjithmonë do të marrin një pjesë nga bukuritë e bregut të Ohrit, nga trashëgimia kulturore dhe shpirtërore maqedonase.

Më lejoni, në fund, Festivalin e pesëdhjetë jubilar ballkanik të këngëve dhe valleve popullore, ta shpall të hapur.

Faleminderit.

Click