Aktivitetet



E mërkurë , 11 janar 2012

MAQEDONIA DHE TURQIA - VENDE ME BASHKËPUNIM TË SHKËLQYESHËM, LIDHJE HISTORIKE DHE KULTURORE

Grupi parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Turqisë dhe Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë realizuan takim me Delegacionin e grupit parlamentar turko-maqedonas për miqësi të Kuvendit të madh nacional të Republikës së Turqisë.

Kryetari i Grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Turqisë, z. Kenan Hasipi, shprehu kënaqësi për takimin dhe shkallën e lartë të miqësisë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, të cilat nuk kanë çështje kontestuese.

Ai theksoi se në vendin tonë vlerësohet shumë përkrahja e Turqisë, mbi të gjitha Turqia është ndër shtetet e para që e pranoi Republikën e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, dhe e para e cila hapi ambasadë dhe emëroi ambasador në Maqedoni.

Maqedonia dhe Turqia kanë bashkëpunim produktiv dhe të shkëlqyeshëm në nivel bilateral dhe multilateral në shumë sfera, siç janë: ekonomia, tregtia, industria, mbrojtja, arsimi dhe kultura. Në veçanti u theksua prania e numrit të madh të kompanive turke në Maqedoni, bashkëpunimi ndërmjet universiteteve të të dy shteteve, rëndësia e Universitetit Ballkanik, si dhe monumentet kulturore dhe historike.  

Deputeti nga Stambolli, z. Husein Burge, shprehu falënderim për mikpritjen dhe informoi se të gjitha Grupet parlamentare turke për bashkëpunim me vendet e Evropës Juglindore, me nënshkrim të përbashkët kanë ngritur iniciativë për formimin e asamblesë parlamentare në vendet e Evropës Juglindore. 

Ai potencoi se përkrahja e Turqisë ndaj Maqedonisë ekziston që nga shpallja e pavarësisë, e cila do të vazhdojë të ekzistojë edhe në të ardhmen, ndërsa vendimin e Gjykatës së Hagës për kontestin e emrit me Greqinë, Turqia do të shfrytëzojë për përkrahje më të madhe që Maqedonia të inkuadrohet në strukturat euroatlantike.  Deputeti Burge shprehu bindje se Maqedonisë i ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në NATO dhe Turqia do t'i shfrytëzojë mundësitë e saj që Maqedonia të inkuadrohet në NATO.

Ai gjithashtu nënvizoi edhe rëndësinë e Marrëveshjes kornizë të Ohrit si bazë për bashkëjetesë ndëretnike paqësore.  Komuniteti turk në Maqedoni këtë e karakterizon si urë e miqësisë ndërmjet të dy vendeve.

Ne takimin me z. Aleksandar Nikolloski, zëvendëskryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe anëtarët, edhe njëherë u vërtetuan marrëdhëniet e mira miqësore dhe bashkëpunimi intensiv në nivel politik dhe ekonomik, si dhe bashkëpunimi në sferën e arsimit.

Të pranishmit theksuan se anëtarësimi i vendit në familjen evropiane dhe NATO edhe më tutje mbetet si prioritet për ne, gjithashtu shprehën falënderim për përkrahjen e Turqisë ndaj Maqedonisë në plan vendor dhe ndërkombëtar.

Deputeti nga Stambolli, z. Husein Burge, shprehu falënderim për vizitën, duke theksuar marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet të dy vendeve dhe lidhjet historike dhe kulturore që na bashkojnë.  

Click