Aktivitetet



E hënë, 29 tetor 2012

MBLEDHJA E DYZETEDYTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e dyzetedytë, të mbajtur më 22 tetor 2012, si trup i interesuar amë shqyrtoi:

  • Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2012; 
  • Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar (leximi i parë) 

Në cilësi të mbikëqyrësit në mbledhjen e Komisionit, ishin të pranishëm znj.Katerina Kusivanova dhe z.Andrej Bartosheviq, përfaqësues të Delegacionit të Komisionit Evropian. 

- Lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2012, mbajti fjalim zëvendësministri i Financave, z.Nedim Ramizi. 

Ai theksoi se Republika e Maqedonisë vazhdoi me progresin ekonomik dhe i përmbushi kriteret ekonomike për hyrje në Bashkimin Evropian, gjë që është konstatuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian. 

Republika e Maqedonisë në vitin 2012 e mbajti stabilitetin makroekonomik dhe arriti progres në lehtësimin e hyrjes dhe daljes së tregut. 

Në Raportin është konstatuar se Republika e Maqedonisë ka arritur shkallë të lartë të harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian në këtë fazë të procesit aderues. 

Në debatin morën pjesë deputetët: z.Marjanço Nikollov, z.Romeo Trenov, znj.Vlladanka Aviroviq, z.Stojko Paunovski, z.Mile Andonov dhe z.Samka Ibraimoski.

Komisioni në debatin për Raportin kryesisht u përqendrua në pjesën e kapitullit të cilat janë nën kompetencë të tij: Lëvizja e lirë e kapitalit; Furnizimet publike; Shërbimet financiare; Tatimimi; Politika ekonomike dhe monetare; Unioni doganor; Kontrolli financiar dhe Dispozitat financiare dhe buxhetore.    

Komisioni njëzëri konkludoi që t'i propozojë Kuvendit ta shqyrtojë Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2012. 

- Në Arsyetimin hyrës për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, zëvendësministri Ramizi theksoi se qëllimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara është që të miratohen dispozitat me kritere qartë të përcaktuara në bazë të të cilave tatimpaguesi mund të konstatojë nëse mund të bëjë lirimin nga qarkullimi i tij në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë kulturore, kur ajo paraqet aktivitet i cili është me interes nacional.  

Për realizimin e qëllimit të theksuar, propozohet që pika 8 e nenit 23 të Ligjit të zëvendësohet me dispozitën me të cilën përcaktohet lirimi nga tatimi mbi vlerën e shtuar të qarkullimit nga institucionet që ushtrojnë veprimtari në sferën e kulturës me qëllim jofitimprurës për shërbimet dhe të mirat kulturore drejtpërdrejt të lidhura me ato shërbime në pajtim me rregullat nga sfera e kulturës dhe qarkullimit nga kopshtet botanike, parqet e kafshëve, parqet dhe arkivat de qendrat e dokumentacionit.  

Gjithashtu, propozohet që në nenin 23 të shtohet pikë e re 8-a me të cilën do të përcaktohet lirimi nga tatimi mbi vlerën e shtuar të qarkullimit të biletave hyrëse për ngjarjet publike të cilat janë me interes nacional nga sfera e kulturës, ndërsa ngjarjet publike të cilat si të tilla janë përcaktuar dhe financuar nëpërmjet Programit vjetor për realizimin e interesit nacional në kulturën për vitin në të cilin mbahet ngjarja publike e miratuar nga Ministria e Kulturës. 

Për zbatimin e lirimit, nevojitet që tatimpaguesi para se të fillojë me qarkullimin e biletave hyrëse, të sigurojë dokument nga Ministria e Kulturës me të cilin vërtetohet se ngjarja publike për të cilin kërkohet lirim tatimor është përcaktuar Programi vjetor për realizimin e interesit nacional për kulturën.

Qëllimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar është edhe harmonizimi i Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar me dispozitat nga Ligji doganor të cilat kanë të bëjnë me lirimin gjatë importit të të mirave.

Ndryshimet dhe plotësimet kanë për qëllim që shtetasit e Republikës së Maqedonisë dhe shtetasit e huaj të lirohen nga pagimi i tatimit mbi vlerën e shtuar, për lëndë të natyrës jokomerciale me vlerë të vogël të dërguar nga vendi i huaj nga persona fizikë.  
Ky lirim nga tvsh-ja nuk ka të bëjë me duhanin dhe prodhimet e duhanit, alkoolin dhe pijet alkoolike, si dhe parfumet dhe kolonjë, si dhe lirimi nga tvsh-ja gjatë importit të dërgesave me vlerë të vogël të livruar nga vendi i huaj për pranuesit në vendin vlera e të cilave për një dërgesë nuk e tejkalon shumën prej 22 euro në kundërvlerë me denarë. 

Qëllimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara të Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar është edhe zbatimi i përhershëm i shkallës prioritare të tatimit mbi vlerën e shtuar për qarkullimin dhe importin e: makinave për përpunimin automatik të të dhënave dhe njësive të tyre (kompjuterë), sistemeve solarë termalë dhe komponentëve, si dhe për qarkullimin e shërbimeve të:
softuerit për makina për përpunimin automatik të të dhënave dhe njësive të tyre (kompjuterë). 

Masat e tilla janë në funksion të zmadhimit të cilësisë së teknologjisë informatike dhe arsimit informatik, arritshmërisë më të madhe të tyre te konsumentët, si dhe mundësimit të shfrytëzimit më të madh të energjisë diellore si burim alternativ i energjisë, me çka drejtpërdrejtë do të ndikojë në zvogëlimin e konsumit të burimeve elektrike dhe burimeve tjera të energjisë, si dhe mbi mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Në debatin morën pjesë deputetët: z.Marjanço Nikollov, z.Stojko Paunovski, z.Mile Andonov.

Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar është i pranueshëm dhe se mund të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

Click