Aktivitetet



E hënë, 3 dhjetor 2012

MBLEDHJA E DYZETEPESTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e dyzetepestë, të mbajtur më 29 nëntor 2012, si trup punues amë, në lexim të parë shqyrtoi: 

1. Propozim-ligj për plotësimin e Ligjit për qarkullim pagesor; 
2. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin personal mbi të ardhurat; 
3. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shfrytëzimin dhe disponimin me sendet e organeve shtetërore. 

Arsyetime hyrëse për Propozim-ligjet dhanë zëvendësministri i Financave, z.Nedim Ramizi dhe drejtori i Drejtorisë për punë pronësore-juridike, z.Zoran Krstanovski.

Z.Ramizi theksoi se qëllimi kryesor i plotësimeve të propozuara të Propozim-ligjit për plotësimin e Ligjit për qarkullim pagesor është që të mundësohet futja e mënyrave të reja për pagesë të cilat zbatohen në nivel global. 

Me atë do të liberalizohet sistemi pagesor që do të shpijë në zmadhimin e konkurrencës dhe zvogëlimit të çmimeve të shërbimeve në këtë segment.  

Me plotësimet propozohet që Banka Popullore të kryejë mbikëqyrje mbi punën e ndërmjetësuesve dhe t'i ndërmerr masat e nevojshme (paralajmërim me shkrim, lëshimi i urdhrit me shkrim me afat për harmonizimin me dispozitat dhe heqjen e pëlqimit). 

Me nenin 27-a të zgjidhjes së propozuar ligjore rregullohet mënyra e pagesës.  Gjegjësisht, urdhëresë për pagesë jepet nëpërmjet aparatit elektronik, ndërsa pagesa bëhet në dobi të ndërmjetësuesit. 

Për shkak të mbrojtjes së shfrytëzuesve dhe të ndërmjetësuesve, por edhe për shkak të shmangies së çrregullimeve eventuale në qarkullimin pagesor, shuma maksimale e pagesës të cilën shfrytëzuesi individual mund ta bëjë në një cikël të inkasimit është e kufizuar në 6.000 denarë, ndërsa transaksionet e përgjithshme në një cikël të inkasimit te një ndërmjetësuesi janë të kufizuara në 100.000.000 denarë. 

Mbrojtja plotësues e shfrytëzuesit është e siguruar me atë që marrëveshja ndërmjet shfrytëzuesve dhe ndërmjetësuesit duhet patjetër të nënshkruhet nga të dy palët, ndërsa shfrytëzuesi më së paku njëherë në muaj, falas, duhet patjetër të merr raport për transaksionet e kryera. 

Me nenet 27-b dhe 27-v përcaktohet obligim që personat të cilët dëshirojnë të kryejnë ndërmjetësim gjatë mikro pagesës, paraprakisht të marrin pëlqim nga guvernatori i Bankës Popullore. 

Ndaj kërkesës për marrjen e pëlqimit, dorëzohen dëshmi dhe informata nga të cilat mund të konstatohet se ndërmjetësuesi do të mund të sigurojë dhënie të sigurt dhe të qëndrueshme të shërbimit dhe njëkohësisht t'i respektojë rregullat dhe procedurat për mikro pagesë. 

Për çdo ndryshim të bërë pas marrjes së pëlqimit, ndërmjetësuesi do të kërkojë pëlqim të re, me çka do të sigurohet që ndërmjetësuesit në vazhdimësi t'i përmbushin kushtet për dhënien e shërbimit. 

Në funksion të transparencës më të madhe, Banka Popullore do të mbajë regjistër të ndërmjetësuesve gjatë mikro pagesës dhe do të vendosë, do të zhvillojë dhe kryejë mbikëqyrje mbi sigurinë, stabilitetin dhe efikasitetin e sistemeve për pagesë.  Mbikëqyrja do të bëhet nëpërmjet kontrollit të terrenit te ndërmjetësuesi. 

Në rast të përcaktimit mosveprimit ose veprimit në kundërshtim me ligjin, Banka Popullore ndaj ndërmjetësuesit mund t'i ndërmerr masat në vijim: paralajmërim me shkrim, lëshimi i urdhrit me shkrim me afat për harmonizim me rregullat ose për heqjen e pëlqimit.  

Me Propozim-ligjin futen gjoba për ndërmjetësuesit që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe për personat që kryejnë ndërmjetësim gjatë mikro pagesës pa pëlqim nga guvernatori i Bankës Popullore. 

Me zgjidhjen e propozuar ligjore nuk parashihet mundësia për pagesën e taksave administrative dhe gjyqësore përmes operatorëve mobilë.
  
Në shqyrtimin mori pjesë deputeti Stojko Paunovski.

Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për qarkullim pagesor është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin personal mbi të ardhurat, z. Ramizi theksoi se qëllimi kryesor i ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara është të mundësohet lirimi nga obligimi për pagesë të tatimit personal mbi të ardhurat të cilët realizohen në lloj të kompensimit monetar i cili i ndahet artistit nacional në pajtim me Ligjin për artistin nacional të Republikës së Maqedonisë dhe kompensimet monetare të ndarë artistit dhe punëtorit profesional nga sfera e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore që e realizon punëtori profesional nga sfera e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore i cili ka realizuar pension dhe është fitues i çmimeve shtetërore "11 Tetor" për vepër jetësore, "11 Tetor" për realizime shumëvjeçare në kulturën dhe artin, "Shën.  Kliment i Ohrit" për realizime shumëvjeçare në kulturën dhe artin dhe çmimin "23 Tetor" për realizime shumëvjeçare në kulturën, në pajtim me Ligjin për kulturë. 

Gjithashtu, propozohet prolongimi i datës për fillimin me tatimimin e kamatave sipas depozitave të afatizuara kursyese dhe depozitave tjera, kështu që në vend që zgjidhja ekzistuese e cila parasheh që tatimimi për këtë lloj të të hyrave të fillojë nga 1 janar të vitit 2013, parashihet që lirimi tatimor për këtë lloj të të hyrave të qytetarëve të zgjasë deri në anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian. 

Lidhur me të hyrat nga fitimet kapitale të cilat realizohen nga shitja e letrave me vlerë, propozohet që të njëjtat të lirohen nga tatimimi në periudhën prej 1 janar 2013 deri në 31 dhjetor 2015. 

Ligji i propozuar do të shkaktojë implikime fiskale mbi Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin rrjedhës në shumë prej 1.368.000 denarë.

Në debatin morën pjesë deputetët Marjanço Nikollov dhe Stojko Paunovski.

Komisioni me 6 vota "për" dhe 3 "të përmbajtur" konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin personal mbi të ardhurat është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shfrytëzimin dhe disponimin me sendet e organeve shtetërore e arsyetoi drejtoi i Drejtorisë për punë pronësore-juridike, z.Zoran Krstanovski. 

Ai theksoi se qëllimi kryesor i ndryshimeve dhe plotësimeve është që të rregullohet çështja për përcaktimin e vlerës së sendeve të patundshme në procedurë të shitjes, këmbimit dhe dhënies së sendeve të patundshme, si dhe dispozitat që e rregullojnë procedurën për ankand publik dhe marrëveshje të drejtpërdrejtë.   

Me zgjidhjen ekzistuese ligjore u bë përcaktimi i vlerës së sendeve të patundshme në procedurën për shitje dhe këmbim të sendeve të patundshme dhe përcaktimi i shumës së qiramarrjes për sendet e patundshme që të jetë në kompetencë të Ministrisë së Financave - Drejtorisë së të hyrave publike. 

Duke marrë parasysh atë që kjo kompetencë është rregulluar me Ligjin për vlerësim, përkatësisht janë caktuar sferat në të cilat bëhet vlerësimi dhe krahas të tjerave është rregulluar edhe vlerësimi i pronës së patundshme nga ana e vlerësuesve të autorizuar, propozohet që përcaktimi i vlerës së sendeve të patundshme që janë lëndë e shitjes, këmbimit ose dhënies me qira të bëhet sipas vlerësimit të llogaritur të tregut, në pajtim me Ligjin për vlerësim. 

Me nenin 4 të Propozim-ligjit zgjerohet procedura për ankand publik me atë që mundësohet në rast kur edhe ankandi i dytë publik është i pasuksesshëm, të realizohet edhe një ankand.  

Në praktikë shpeshherë ndodh që edhe pas publikimit të të dy shpalljeve të njëpasnjëshme të mos mund të shitet sendi i patundshëm me ç'rast nevojitet që të rregullohet shitja me marrëveshje të drejtpërdrejtë në rast të ankandeve të pasuksesshme publike dhe përqindja deri në të cilën mund të zvogëlohet vlera e sendit të patundshëm gjatë marrëveshjes së drejtpërdrejtë.

Ne debatin morën pjesë deputetët Marjanço Nikollov dhe Stojko Paunovski.

Komisioni me 6 vota "për" dhe 3 "të përmbajtur" konkludoi se Propozim-ligji është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm. 

Click