Aktivitetet



E premte, 14 shkurt 2012

MBLEDHJA E NJËZETË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e njëzetë, të mbajtur më 8 shkurt 2012, si trup punues amë, në lexim të parë, shqyrtoi gjashtë Propozim-ligje.

- Arsyetim hyrës për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatim mbi vlerën e shtuar, dha propozuesi, deputeti Izet Zeqiri. 

Ai theksoi se shkaku kryesor për propozimin e një zgjidhjeje të tillë ligjore është zbutja e problemit të jolikuiditetit, i cili është gjithnjë më i dukshëm në ekonominë maqedonase. Me ndryshimet propozohet që tatimi mbi vlerën e shtuar të paguhet sipas realizimit të paguar, dhe jo sipas realizimit të faturuar, siç është përcaktuar me zgjidhjen ekzistuese ligjore. 

Propozohen ndryshime në nenin 31 dhe atë: borxhi tatimor të bëhet në momentin kur është e paguar fatura për qarkullimin e kryer të së mirës dhe shërbimin e kryer; kur pagesa bëhet para kryerjes së qarkullimit, koha e shkaktimit të borxhit është moment kur pranohet pagesa, në lartësi të tatimit për shumën e marrë.  

Në drejtim të zbutjes së pasojave nga efektet negative të krizës botërore financiare dhe debitore mbi ekonominë maqedonase, Qeveria deri më tani ka realizuar katër pako të masave për shpëtim nga kriza, por nuk arriti ta zbusë problemin me jolikuiditetin e shoqërive tregtare dhe rritjen e numrit të firmave të cilat kanë xhirollogari të bllokuara. Ndryshimet e propozuara janë në funksion të masave për shpëtim nga kriza me të cilën shteti do t'u ndihmojë kompanive në pagesën e borxheve të tyre.

Komisioni me 2 vota "për" dhe 7 vota "kundër" konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të jepet në lexim të mëtejmë.

- Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e larjes së parave dhe kontributeve tjera nga veprat ndëshkimore dhe financimit të terrorizmit, e arsyetoi zëvendësministri i Financave, z. Nedim Ramizi. 

Ai theksoi se shkaqet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit rezultojnë nga nevoja për harmonizimin e tij me dispozitat e Ligjit për procedurë penale dhe nga Ligji për kundërvajtje.   

Propozohet që Drejtoria për parandalimin e larjes së parave dhe financimin e terrorizmit ta ndryshojë emërtimin e saj në Drejtorinë për zbulim financiar për harmonizimin me definicionin ndërkombëtar për institucione të llojit të njëjtë (Njësia për zbulim financiar), për harmonizimin me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, dhe duke pasur parasysh kompetencën dhe funksionin themelor të Drejtorisë - analizë, përpunim dhe dorëzim të informatave dhe të dhënave financiare.

Gjithashtu, ndryshimet e propozuara janë në funksion të harmonizimit me Ligjin për kundërvajtje për precizimin e përgjegjësisë së personit të cilit i është besuar një rreth i caktuar i punëve, përkatësisht i është besuar kontrolli mbi zbatimin e masave dhe veprimeve për parandalimin e larjes së parave dhe financimit të terrorizmit, dhe bëhet precizimi i përgjegjësisë për kundërvajtje të subjekteve nga neni 5 paragrafi 1 pika 2 e Ligjit, më konkretisht të avokatëve, noterëve, këshilltarëve tatimorë, konsultuesve, përkatësisht personave fizikë të cilat i kryejnë shërbimet e qarkullimit me patundshmëri, shërbimet e revizorit dhe kontabilitetit, shërbimet e noterisë, avokaturës dhe shërbime tjera juridike që kanë të bëjnë me: shitblerjen e sendeve të lëvizshme, patundshmërive, aksioneve, tregtimi dhe menaxhimi me para dhe letra me vlerë, hapja dhe disponimi me llogari bankare, kasaforta dhe prodhime tjera financiare, themelimi ose pjesëmarrja në menaxhimin ose punën e personave juridikë, përfaqësimi i klientëve në transaksione financiare, dhënia e këshillave nga sfera e tatimeve, dhënia e shërbimeve konsultuese dhe dhënia e këshilltarit investues etj. 

Dispozitat që i rregullojnë kundërvajtjet kanë të bëjnë me procedurën për implementimin e masave të përkohshme të cilat ky ligj i definon si ndalim i përkohshëm për shfrytëzimin ose disponimin me para, letra me vlerë, fonde ose pronë tjetër, ruajtjen dhe sigurimin e përkohshëm në bazë të vendimit të lëshuar nga ana e gjykatës ose organit tjetër kompetent, harmonizohet me konceptin e caktuar në nenin 200 të Ligjit për procedurë penale. 

Komisioni me gjashtë vota "për" dhe tre vota "të përmbajtur" konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejmë.

- Zëvendësministri i Financave e arsyetoi edhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Drejtorinë për të Hyrat Publike.  

Nevoja për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji lindi në mënyrë që të precizohen më qartë dhe harmonizohen kompetencat e Drejtorisë për të hyra publike të cilat janë përcaktuar me Ligjin për drejtorinë për të hyra publike, në raport me kompetencat që i ka Drejtoria në pajtim me Ligjin për parandalimin e larjes së parave dhe kontributeve tjera nga veprat ndëshkimore dhe financimit të terrorizmit.
 
Komisioni me gjashtë vota "për" dhe tre vota "të përmbajtur" konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim te mëtejmë.

- Lidhur me Propozim-ligjin për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për ngarkimin e Republikës së Maqedonisë me kredi te Qeveria e Mbretërisë së Spanjës sipas Marrëveshjes për kredi për realizimin e projektit HEC "Lera" si pjesë e hidrosistemit "Strezhevo", z. Nadim Ramizi sqaroi se për shkak të prishjes së kësaj Marrëveshjeje, duhet që ky Ligj të pushojë së vlejturi në sistemin juridik të Republikës së Maqedonisë.

Komisioni njëzëri konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejmë.

- Përfaqësuesi i propozuesve, deputeti Igor Ivanovski dha arsyetim hyrës për Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit për taksa administrative, të parashtruar nga deputetët: Radmilla Shekerinska, Gordan Georgiev, Natasha Savova, Igor Ivanovski, Tanja Tomiq, Ana Pavllovska - Daneva, Oliver Spasovski, Goran Minçev, Bllagoja Stojanovski, Samka Ibraimoski, Dragisha Miletiq, Marjanço Nikollov, Marinella Tusheva, Emilijan Stankoviq, Billjana Kazanxhiska, Mile Andonov, Gollupço Angellov, Stanka Anastasova, Andrej Petrov, Pançe Orcev, Goran Sugareski, Cvetanka Ivanova, Save Maraçkov, Svetllana Mazgalloska - Vuçetiq, Borçe Stavrov, Jani Makraduli, Vesna Bendevska, Mitre Velljanoski, Erdogan Saraç, Divna Jofkovska - Eftimoska, Mende Dinevski dhe Stojko Paunovski.                        

Ai theksoi se shkaku kryesor për propozimin e zgjidhjes së tillë ligjore është që t'u ndihmohet fakulteteve shtetërore dhe private në të gjitha nivelet e studimeve. Bëhet fjalë për taksat administrative të cilat të gjithë studentët kanë për detyrë t'i paguajnë. 

Lartësia e taksës administrative të cilën e paguajnë studentët është 50 denarë, por e njëjta është zmadhuar edhe me shpenzimin për provizion bankar e cila lëviz prej 28 deri 50 denarë, varësisht prej bankës në të cilën bëhet pagesa. 

Ligji i propozuar ka komponentë sociale dhe humane. Kjo shumë paraqet realizimin e buxhetit familjar. 

Ndryshimet e propozuara paraqesin edhe masë për shpëtim nga kriza si rezultat i krizës botërore ekonomike dhe debitore e cila ka depërtuar edhe në Republikën e Maqedonisë, viti 2012 do të jetë vit i vështirë dhe qytetarët do të kenë probleme me të hyrat dhe likuiditetin dhe në këtë mënyrë do t'u ndihmohet që këto mjete t'i shfrytëzojnë për nevoja tjera. 

Komisioni me tre vota "për" dhe tetë vota "kundër" konkludoi se ky Propozim-ligj nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të jepet në lexim të mëtejmë.

- Zëvendësministri i Financave, z. Nedim Ramizi dha arsyetim hyrës për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurë tatimore.

Ai theksoi se me zhvillimin e internetit dhe për shkak të numrit të madh të shfrytëzuesve, imponohet nevoja për mundësimin e ankandeve nëpërmjet formës elektronike (ankande elektronike). 

Mënyra e tillë e organizimit të shitjes do të ofrojë transparencë, mundësi më të madhe për pjesëmarrje të numrit më të madh të blerësve potencialë, do të mundësojë periudhë më të gjatë kohore të ankandit dhe do të ofrojë mundësi për dhënien e ofertave më të volitshme, zvogëlimin e shpenzimeve dhe zmadhimin e punës efikase të subjekteve afariste.

Komisioni me gjashtë vota "për" dhe tre vota "të përmbajtur" konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurë tatimore është i pranueshëm dhe mund të jepet në lexim të mëtejmë.

Click