Aktivitetet



E premte 27 prill 2012

MBLEDHJA E NJËZETEGJASHTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Mbledhjen e 26-të, të mbajtur më 23 prill 2012, si trup punues amë shqyrtoi:

  1. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për furnizimet publike (leximi i parë); 
  2. Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për buxhetet (leximi i parë); 
  3. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012 (leximi i parë); 
  4. Raporti vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizimet publike për vitin 2011.

- Arsyetim hyrës për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për furnizime publike, dha përfaqësuesi i propozuesve, deputeti z. Marjanço Nikollov. 

Ai theksoi se me këtë zgjidhje ligjore propozohet që shfrytëzuesit buxhetorë të cilët dëshirojnë t'i prolongojnë detyrimet e tyre ndaj kompanive me aneks të marrëveshjes (që është paraparë me zgjidhjen ekzistuese ligjore) para se ta bëjnë ndryshimin e dinamikës së detyrimeve nga marrëveshjet e lidhura të sigurojnë garanci bankare nga Banka e Maqedonisë për Përkrahje dhe Zhvillim. Njëkohësisht, propozohet që afati i prolongimit të detyrimeve të mos jetë më shumë se 6 muaj, me qëllim që të zvogëlohet borxhi i shtetit ndaj sektorit real. 

Me ndryshimet e propozuara pritet të bëhet përforcimi i disiplinës financiare të shtetit, zvogëlimi i lartësisë së detyrimeve të pa shlyera të shfrytëzuesve buxhetorë ndaj sektorit real dhe përmirësimi i likuiditetit të ekonomisë maqedonase.

Komisioni me katër vota "për" dhe gjatë vota "kundër" konkludoi se ky Propozim-ligj nuk është i pranueshëm dhe nuk duhet të jepet në lexim të mëtejmë.

- Përfaqësuesi i propozuesve, deputeti Marjanço Nikollov, duke arsyetuar Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për buxhetet theksoi se kjo zgjidhje ligjore propozohet që shfrytëzuesit buxhetorë të cilët dëshirojnë t'i prolongojnë detyrimet e tyre ndaj kompanive me aneks të marrëveshjes para se ta bëjnë ndryshimin e dinamikës së detyrimeve nga marrëveshjet e lidhura, të sigurojnë garanci bankare nga Banka Maqedonase për Përkrahje dhe Zhvillim, si dhe afati i prolongimit të detyrimeve të mos jetë më shumë se 90 ditë. Qëllimi i kësaj është zvogëlimi gradual i afatit në të cilin prolongohen detyrimet dhe zvogëlimi i borxhit të organeve shtetërore ndaj sektorit real. 

Komisioni me katër vota "për" dhe shtatë vota "kundër" konkludoi se Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për buxhetet nuk është i pranueshëm dhe nuk duhet të jepet në lexim të mëtejmë.

-  Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012, e arsyetoi deputeti Marjanço Nikollov. 

Ai theksoi se me Ligjin për realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012 është përcaktuar zgjidhje sipas së cilës shfrytëzuesit buxhetorë të pushtetit qendror, si dhe shfrytëzuesit individ, janë të detyruar që në afat prej 25 ditësh nga dita e miratimit të Buxhetit të dorëzojnë në Thesarin e Ministrisë së Financave Plan financiar vjetor për shfrytëzimin e mjeteve për llogari, programe, nënprograme dhe zëra.  

Krahas këtij detyrimi, me këtë ligj propozohet që shfrytëzuesit buxhetorë dhe shfrytëzuesit individ të dorëzojnë edhe pasqyrë të detajuar të detyrimeve të maturuara dhe të pashlyera ndaj furnizuesve, të cilat Ministria e Financave detyrimisht do t'i publikojë në ueb faqen e saj në afat prej tre ditësh nga dorëzimi i tyre. 

Qëllimi i zgjidhjes së propozuar është të merren të dhëna sa është borxhi i shtetit ndaj furnizuesve, në pjesën më të madhe të kompanive. Vlerësohet se është mirë që Ministria e Financave t'i publikojë në ueb-faqen detyrimet ndaj furnizuesve, për shkak se nuk ka institucion tjetër i cili duhet ta bëjë këtë. 

Instalimi i këtij sistemi për publikimin e detyrimeve të shtetit ndaj furnizuesve ka për qëllim informimin mbi gjendjen financiare të shtetit dhe nëse gjendja e tillë mund të paraqet rrezik për qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit.

Komisioni me katër vota "për" dhe gjashtë vota "kundër" konkludoi se ky Propozim-ligj nuk është i pranueshëm dhe nuk duhet të jepet në lexim të mëtejmë.

- Në mbledhjen e Komisionit ishte i pranishëm kryetari i Komisionit Shtetëror për ankesa për furnizime publike, znj. Maja Mallahova, e cila e arsyetoi Raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike për vitin 2011.  
Ajo theksoi se në këtë raport janë përfshirë të dhënat komparative lidhur me vitin 2009 dhe 2010 dhe tashmë mund të bëhet krahasim i procedurave të ankimuar dhe lëndëve të zgjidhura sipas viteve, duke pasur parasysh faktin që Komisionit Shtetëror punon si organ i pavarur më shumë se tre vite. 

Komisioni është shfrytëzues i pavarur buxhetor puna dhe kompetenca e të cilit janë rregulluar me ligj. Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit shtetëror i emëron dhe shkarkon Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me konkurs publik. 
Komisioni shtetëror momentalisht përbëhet prej pesë anëtarësh: kryetari dhe katër anëtarë, ndërsa në pjesën e shërbimit profesional, struktura e Komisionit u përforcua edhe me dy këshilltarë. 

Buxheti i miratuar i Komisionit Shtetëror për vitin 2011është 11.670.000.00 denarë dhe i njëjti mund të konsiderohet si i pamjaftueshëm për funksionimin e Komisionit Shtetëror si organ i pavarur shtetëror.

Si konkludim ajo theksoi se nevojitet përforcimi i kushteve kadrovike materiale për punë më efikase të Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike, duke pasur parasysh kompetencat në sferën e mbrojtjes juridike në procedurat për furnizime publike.  

Duke pasur parasysh faktin që me ndryshimet e fundit të Ligjit për furnizimet publike, kompetenca e Komisionit Shtetëror është zgjeruar me veprim për ankesa të parashtruara në procedurat për ndarjen e marrëveshjeve për koncesione dhe partneritet privat publik, nevojitet ekipim plotësues kadrovik. Për atë qëllim, nevojitet buxhet më i madh për edukim nga sfera e koncesioneve dhe partneritetit privat publik. 

Në bazë të debatit Komisioni njëzëri e miratoi Konkluzionin në vijim:

  • Komision për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë e shqyrtoi Raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike për vitin 2011.
Click