Aktivitetet



E hënë, 19 mars 2012

MBLEDHJA E NJËZETETRE E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e Njëzetetretë, të mbajtur më 14 mars 2012, si trup punues amë shqyrtoi:

  1. Planin financiar të Agjencisë për supervizionin e sigurimit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012; 
  2. Propozim-ligjin për vlerënotë (leximi i parë);
  3. Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit për qarkullim pagesor (leximi i parë); 
  4. Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit për taksa komunale (leximi i parë), i parashtruar nga deputetët: Radmilla Sheqerinska-Jankovska, Gordan Georgiev, Natasha Savova-Sallkova, Igor Ivanovski, Tanja Tomiq, Ana Pavllovska-Daneva, Oliver Spasovski, Goran Minçev, Bllagoja Stojanovski, Samka Ibraimovski, Dragisha Miletiq, Marjanço Nikollov, Marinella Tusheva, emilijan Stankoviq, Biljana Kazanxhiska, Mile Andonov, Gollupço Angellov, Stanka Anastasova, Andrej Petrov, Pançe Orcev, Goran Sugareski, Cvetanka Ianova, Save Maraçkov, Svetllana Mazgalloska-Vuçetiq, Borçe Stavrov, Jani Makraduli, Vesna Bendevska, Mitre Veljanoski, Erdogan Saraç, Divna Jovkovska-Eftimoska, Mende Dinevski dhe Stojko Paunovski; 
  5. Propozim-ligjin për fondin garantues për përtëritje dhe zhvillim ekonomik (leximi i parë), i parashtruar nga deputetët:  Izet Zeqiri dhe Flamure Demiri-Kreci.

- Planin financiar të Agjencisë për supervizionin e sigurimit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012 e arsyetoi kryetari i Këshillit të ekspertëve të Agjencisë për supervizion të sigurimit të Republikës së Maqedonisë, z. Klime Popovski. 

Ai theksoi se Agjencia për supervizion të sigurimit, duke marrë parasysh aktivitet e saj të planifikuara për vitin 2012, e në drejtim të realizimit të qëllimeve dhe përmbushjes s obligimeve të saj ligjore, përpiloi Plan financiar, ku parashihen të gjitha pozitat e anës së të hyrave dhe anës së shpenzimeve dhe e dorëzoi në Kuvendin e RM-së për t'u miratuar.

Komisioni njëzëri konkludoi t'i propozojë Kuvendit ta miratojë Konkluzionin në vijim:

  1. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shqyrtoi dhe miratoi Planin Financiar të Agjencisë për Supervizion të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012;  
  2. Ky konkluzion së bashku me Raportin e Komisionit për Financim dhe Buxhet të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë të dorëzohet në Qeverinë e RM-së, Ministrinë e Financave dhe Agjencinë për Supervizion të Sigurimit.

- Zëvendësministri i Financave, z.  Nedim Ramizi, e arsyetoi Propozim-ligjin për vlerënotë dhe theksoi se qëllimi kryesor i zgjidhjes së propozuar është mbrojtja efikase e kreditorëve nga rreziku për mospagim të kërkesave të tyre, pagesa e shpejtë e kërkesave dhe zvogëlimi i borxhit ndërmjet subjekteve vendore. 

Gjendjet në marrëdhëniet debitore-kreditore tregojnë se mospagimi ose pagimi jo në kohë i obligimeve ndërmjet subjekteve ekonomike përfshihen në kategorinë e problemeve kryesore me të cilat ballafaqohet sektori i biznesit të Maqedonisë dhe njëkohësisht paraqesin shkak kryesor për jolikuidimin e ekonomisë. 

Në këtë drejtim, propozohet futja e vlerënotës si instrument për sigurimin e pagimit, që do të kontribuojë për përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve vendore dhe përforcimin e aktivitetit të përgjithshëm ekonomik në vend. 

Vlerënota është dokument privat i verifikuar në noter, me të cilin debitori jep pëlqim që kërkesa e kreditorit e specifikuar në vlerënotën detyrimisht të paguhet te bartësit e qarkullimit pagesor nga të gjitha mjetet që i disponon debitori. 

Zgjidhja e propozuar ligjore parasheh procedurë të thjeshtë dhe efikase për pagimin e obligimeve në bazë të vlerënotës.
 
Komisioni njëzëri konkludoi se Propozim-ligji për vlerënotë është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtejmë.

- Në arsyetimin e Propozim-ligjit për plotësimin e Ligjit për qarkullim pagesor, zëvendësministri i Financave theksoi se qëllimi esencial i zgjidhjes së propozuar është definimi i vlerënotës si zgjidhje për pagesë të detyruar  Me plotësimet e propozuara mundësohet që dispozitat e Ligjit për qarkullimin pagesor të cilat kanë të bëjnë me realizimin e zgjidhjeve për pagesë të detyruar nga ana e bartësve të qarkullimit pagesor, t'i referohen edhe vlerënotës.   
Komisioni njëzëri konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe duhet të jepet në lexim të mëtejmë.

- Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit për taksa komunale e arsyetoi përfaqësuesi i propozuesve, deputeti Stojko Paunovski.  Ai theksoi se qëllim i ligjit të propozuar është që t'u ndihmohet subjekteve ekonomike nëpërmjet zvogëlimit të shpenzimeve të firmave në bazë të ndërprerjes së pagimit të taksave komunale për firmë, përkatësisht në bazë të emërtimit të hapësirës afariste në periudhë prej një viti.  Kjo zgjidhje paraqet masë kundër krizës për ndihmën e sektorit të biznesit.

Komisioni me katër vota "pro" dhe tetë vota "kundër" konkludoi se ky Propozim-ligj nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të jepet në lexim të mëtejmë.

- Arsyetim për Propozim-ligjin për fondin garantues për përtëritje dhe zhvillim ekonomik dha përfaqësuesi i propozuesve, deputeti Izet Zeqiri. 

Duke pasur parasysh krizën botërore ekonomike dhe financiare që ndodhi në vitin 2008, e cila depërtoi edhe në Republikën e Maqedonisë, si dhe krizën nga eurozona e cila tashmë është prezent edhe në RM, nevojitet që t'u ofrohet ndihmë kompanive në RM. Prandaj propozohet që të formohet fond garantues për përtëritje dhe zhvillim ekonomik. 

Me këtë ligj rregullohet procedura për përcaktimin e kuotës garantuese dhe dhënien e garancisë së Republikës së Maqedonisë ndaj bankave komerciale për kredi të cilat do t'u ndahen subjekteve ekonomike për përkrahjen e zhvillimit të ekonomisë maqedonase dhe për aktivitetin ekonomik. 

D.m.th, qëllimi është që të zbuten efektet negative nga kriza globale dhe të krijohen kushte për përmirësimin e likuiditetit të subjekteve ekonomike. 

Garancitë, në pajtim me ligjin, do të ndahen deri në 31.12.2012. Të drejtë të marrjes së kredive do të kenë të gjitha firmat të cilat do të bëjnë investime të reja ose ato të cilat kanë për qëllim përfundimin e investimeve të filluara, kompanitë të cilat kanë nevojë për mjete qarkulluese dhe ajo që është më kryesore, garancia për kredi mund të jetë më së paku 50% nga shuma e kryegjësë, por jo më tepër se 60 milion denarë.  Propozohet që fondi garantues të jetë 2 miliard denarë. 

Komisioni me katër vota "pro" dhe shatë vota "kundër" konkludoi se ky Propozim-ligj nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të jepet në lexim të mëtejmë. 

 

Click