Aktivitetet



E enjte, 17 maj 2012

MBLEDHJA E PARË E KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE KUSHTETUESE

Komisioni për Çështje Kushtetuese i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e parë të mbajtur më 15 maj 2012, shqyrtoi:

  • Propozimin për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, të parashtruar nga grupi i deputetëve

Përfaqësuesja e propozuesve, deputetja Ana Pavllovska - Daneva i arsyetoi shkaqet për Propozim-ndryshimin e Kushtetutës.

Znj. Daneva theksoi se ndryshimi i propozuar i Kushtetutës ka për qëllim krijimin e mundësisë kushtetuese për fuqi retroaktive të ndryshimeve që do të bëhen në Kodin penal në drejtim të përcaktimit të joparashkrimit absolut të veprave penale lidhur me transformimin ose shitjen e ndërmarrjeve me kapital shoqëror dhe shtetëror. Fuqia retroaktive do të kufizohet vetëm për këtë lloj veprash, pa mundësi për futjen e veprave të reja penale ose zmadhimin e lartësisë së dënimit. 

Ajo theksoi se në këtë mënyrë do të mundësohet heqja e dyshimeve për ekzistimin e veprimit kriminal në procesin e privatizimit dhe dënimit të autorëve të veprave penale të cilat veprat e tilla i kanë kryer në atë proces, por në procedurë adekuate gjyqësore.   Ajo potencon se vetëm në këtë mënyrë mund të tejkalohen akuzimet politike-partiake për atë se kush është i fajshëm për mënyrën në të cilën është bërë privatizimi, si dhe të ndërpriten etiketimet sipas kësaj baze. Madje nënvizoi se ekziston zgjidhje adekuate në Kushtetutën e Kroacisë. 

Gjithashtu, përmendi se ndryshimi i propozuar i Kushtetutës nuk e cenon parimin e ligjshmërisë, as parimin e sigurisë juridike të qytetarëve, por përkundrazi ky ndryshim është në interes të të gjithë qytetarëve. 

Në cilësi të përfaqësuesit të propozuesit, deputetja Pavllovksa-Daneva, gjatë debatit, theksoi se argumentacioni juridik themelor për Propozimin, është në drejtim të mbrojtjes së të drejtës pronësore e cila në një periudhë të caktuar ka qenë e cenuar dhe kjo mbrojtje të sigurohet në procedura gjyqësore të cilat do të mundësohen nëpërmjet ndryshimit adekuat të Kodit penal me fuqi retroaktive, por i cili është i mundshëm vetëm me ndryshim paraprak të Kushtetutës.
 
Në debatin morën pjesë deputetët: z. Malisha Stankoviq, z. Ivon Veliçkovski, znj. Suzana Saliu, znj. Bllagorodna Duliq, z. Bekim Fazliu, z. Pavle Trajanov, z. Tito Petkovski, z. Ivan Stoilkoviq, z. Dragisha Miletiq dhe z. Oliver Spasovski.
Pas debatit, Komisioni me 6 vota "për" dhe 9 vota "kundër", nuk e përkrahu Propozimin për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, të parashtruar nga grupi i deputetëve.

Nëse Kuvendi sjell vendim për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, Komisioni propozon që Kuvendi, në bazë të nenit 196 paragrafi 3 i Rregullores së punës së Kuvendit, pas sjelljes së Vendimit për ndryshimin e Kushtetutës, ta sjellë Konkluzionin në vijim:

"1. Parashtruesi i Propozimit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë - grupi i deputetëve, më së voni në afat prej 15 ditësh të përpilojë Tekst të draft-amendamenteve, përkatësisht amendamente të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe t'ia dorëzojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. 
2. Ky konkluzion t'i dërgohet përfaqësuesit të propozuesve". 

Click