Aktivitetet



E martë, 27 nëntor 2012

MBLEDHJA E PËRBASHKËT E KËSHILLIT NACIONAL PËR EUROINTEGRIME DHE KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EVROPIANE  

Këshilli Nacional për Eurointegrime dhe Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë më 26 nëntor 2012 e mbajti Mbledhjen e tetë të përbashkët kushtuar Informatës për statusin e realizimit të Instrumentit për ndihmë paraaderuese të BE-së (IPA) për Republikën e Maqedonisë, të dorëzuar nga Sekretariati për çështje evropiane.

Në mbledhjen e përbashkët ishin të pranishëm: z.Martin Klauke, udhëheqës i Seksionit për punë operative dhe znj.Katerina Kus-Ivanova Fillkova nga Delegacioni i BE-së në Republikën e Maqedonisë, z.Aleksandro Frakasetim, zëvendëspëfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Republikën e Maqedonisë.

Zëvendëskryetarja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë e ngarkuar për çështje evropiane znj.Teuta Arifi informoi për gjendjen aktuale në lidhje me Instrumentin për ndihmë paraaderuese të BE-së (IPA) në Republikën e Maqedonisë. Znj.Arifi theksoi se është arritur progres i konsiderueshëm lidhur me shfrytëzimin e mjeteve nga IPA.  Fondet evropiane shfrytëzohen për përkrahjen e eurointegrimeve të vendit para anëtarësimit të tij në BE. Fondet evropiane janë paraparë për krijimin e strukturave adekuate dhe vendosjen e kapaciteteve institucionale në periudhën paraaderuese dhe për përgatitjen e vendit që të ballafaqohet me sfidat në shfrytëzimin e fondeve strukturore dhe kohezive që do të jenë në dispozicion si vend i ardhshëm anëtar i BE-së. Janë bërë përpjekje ekskluzive për formimin e strukturës operative dhe funksionale për menaxhimin dhe administrimin e decentralizuar me fondet e BE-së, kjo strukturë numëron 590 nëpunës shtetëror dhe është e akredituar suksesshëm. 

Në mbledhjen e komitetit ndërrseorial për komponentin e parë të IPA-ndihmë për tranzicion dhe mbindërtim institucional, janë dhënë vlerësime pozitive për progresin e arritur për realizimin e projekteve të programuara. Gjegjësisht, bëhet fjalë për 100 projekte të programuara me alokacion prej vitit 2007 deri në vitin 2013 në shumë prej 243 milion euro. Në këtë komponent pjesa më e madhe e mjeteve kanë të bëjnë me përkrahjen e projekteve për gjyqësinë, administratën, kornizën ligjore për investime, mediat dhe sektorin joqeveritar. Në vitin e kaluar janë bërë përpjekje për realizimin e një sërë projektesh IPA për zhvillimin ekonomik dhe social. Në komponentin e dytë IPA për bashkëpunim tejkufitar, është zmadhuar numri i aplikacioneve të miratuara për projekte nga sektori joqeveritar dhe komunat, 148 projekte me Shqipërinë, Bulgarinë, Greqinë, Serbinë dhe programin transnacional. Lidhur me aktivitetet për zhvillim rajonal pritet fillimi i projektit për ndërtimin plotësues të Korridorit 10 për të cilin shuma e përgjithshme e investimeve do të arrijë 250 milion euro. 

Lidhur me komponentin e katërt të IPA-s për zhvillimin e resurseve njerëzore, theksohet nevoja për vëmendje më të madhe. Momentalisht realizohen 20 projekte në vlerë prej rreth 16 milion euro nga ndarja e parë financiare nga viti 2007-2009. Ky komponent siguron përkrahje për zbatimin e politikave dhe programeve për punësim dhe masave aktive të tregut të punës, për reforma në arsimin profesional dhe mësimin gjatë gjithë jetës, përfshirje sociale të grupeve vulnerabile dhe përforcimin e kapaciteteve për zbatimin e politikave si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal. 

U bë progres në shfrytëzimin e programit për zhvillim rural, u realizuan më shumë thirrje për projekte. U miratuan 151 aplikacione nga bujqit, ndërmarrjet e industrisë ushqimore në shumë prej 7.5 milion euro. Me këtë program financohet përforcimi i bujqve individual dhe industrisë ushqimore, por njëkohësisht këto mjete ndihmojnë edhe për zhvillimin e metodave të reja të sofistikuara në bujqësi.

Në kuadër të Sekretariatit për çështje evropiane u përforcua Qendra për trajnime dhe i njëjti realizon trajnime dhe seminare të vazhdueshme, jo vetëm për administratën por edhe më gjerë.

Aktivitete plotësuese të cilëve duhet kushtuar vëmendje janë ndryshimet dhe korniza juridike në këto sfera: politika rajonale, planifikimi buxhetor, ndryshimet në strukturën institucionale dhe përforcimi i sistemit dhe edukimit dhe vlerësimi i suksesit. 
Me qëllim që të arrihet sukses në procesin e shfrytëzimit të mjeteve nga IPA fondet, nevojitet përkrahje edhe nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në këtë drejtim, në procesin e miratimit të ligjeve më të rëndësishme, gjatë debatit në komisionet dhe në seancat plenare, të jepet kontribut dhe të tregohet interes për ndikimin e zgjidhjeve të reja mbi realizimin efikas dhe efektiv të ndihmës së BE-së, t'i shtrohen pyetje Qeverisë së Republikës së Maqedonisë se sa mjete ndahen për përgatitje më të mirë të IPA strukturave nacionale dhe për vëllimin e mjeteve të siguruara për kofinancimin nacional.  Është e rëndësishme që të mbahet bashkëpunim i rregullt partner me institucionet e BE-së, veçanërisht edhe me Parlamentin Evropian ku gjithnjë e më shumë tregohet interes dhe zhvillohen debate për suksesin e ndihmës së BE-së.

Dr.Mojmir Mrak ekspert nga Republika e Sllovenisë mbajti prezantim para anëtarëve dhe përfaqësuesve të Këshillit Nacional për Eurointegrime lidhur me aspektet fiskale të procesit për aderim në BE me theks të veçantë mbi përvojat në shfrytëzimin e fondeve paraaderuese.

Në debat morën pjesë: znj.Radmilla Sheqerinska kryetare e Këshillit, znj.Sillvana Boneva, nënkryetare e Këshillit, znj.Marinella Tusheva, anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane, znj.Tanja Hafner Ademi përfaqësuese e Platformës së Qytetarëve të Maqedonisë dhe z.Zhivko Mitrevski nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. 

Click