Aktivitetet

E mërkurë, 8 shkurt 2012

MBLEDHJA E PËRBASHKËT E KËSHILLIT NACIONAL PËR EUROINTEGRIME DHE KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EVROPIANE

Këshilli Nacional për Eurointegrime dhe Komisioni për Çështje Evropiane, sot e mbajti mbledhjen e tretë e përbashkët, në të cilën u shqyrtua Programi nacional për miratimin e Bashkimit Evropian, revizioni 2012.

Në mbledhjen u ftuan përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë dhe nga ambasadat e vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian:  Robert Lidel, shef i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë; SH.T. Fernando de Galainena, ambasador i Mbretërisë së Spanjës në Republikën e Maqedonisë; SH.T. Jozef Benc, ambasador i Republikës së Hungarisë në Republikën e Maqedonisë dhe këshilltar dhe zëvendësambasador z. Atilla Pinter; SH.T. Fabio Kristiani, ambasador i Republikës së Italisë në Republikën e Maqedonisë; SH.T. Alen Bergant, ambasador i Republikës së Sllovenisë në Republikën e Maqedonisë; SH.T. Jozef Braun, ambasador i Republikës Çeke në Republikën e Maqedonisë; SH.T. Tomas Mihael Baier, ambasador i Republikës së Austrisë në Republikën e Maqedonisë; z.  Vallter Liush zëvendësshef i Misionin nga Ambasada e Republikës së Gjermanisë; përfaqësues nga Ambasada e Republikës së Bulgarisë në Republikën e Maqedonisë, z. Stelios Gavrill, këshilltar në Zyrën për Lidhje të Republikës së Greqisë dhe znj. Marina Kurte, këshilltar për integrime evropiane dhe çështje juridike në Delegacionin e BE-së në Republikën e Maqedonisë.

Programin nacional për miratimin e së drejtës së Bashkimit Evropian, revizioni 2012, e arsyetoi znj. Teuta Arifi, zëvendëskryetare e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, e ngarkuar për çështje evropiane.

NPAA është dokument kryesor për procesin e integrimit në BE,  pasqyron dinamikën e harmonizimit të legjislacionit nacional me të drejtën e BE-së, si dhe përshtatjen e institucioneve nacionale ndaj strukturave administrative evropiane. 

Revizioni për vitin 2012 të NPAA-së është revizioni i pestë me radhë. Revizioni i NPAA-së e mban konceptin e njëjtë metodologjik për përgatitjen e këtij dokumenti, përfshin planet për harmonizimin e legjislacionit nacional me legjislacionin e BE-së, dinamikën e nevojshme për përforcimin e institucioneve dhe zbatimin e legjislacionit, si dhe resurset e nevojshme për realizimin e programit. 

Elementet kryesore në revizionin e NPAA-së janë: konkluzione nga Raporti i Komisionit Evropian për Progresin e Republikës së Maqedonisë në procesin për anëtarësim në BE, obligimet e nxjerrë nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim dhe rekomandimet nga KE që u potencuan në Komitetin për Stabilizim dhe Asociim, prioritetet nga Vendimi i Këshillit për principet, prioritetet dhe kushtet të përmbajtur në Partneritetin për anëtarësim në BE, planet strategjike të ministrive, Buxheti i Republikës së Maqedonisë për vitin 2012, projektet aktuale dhe projektet e planifikuara për ndihmë të huaj. 

Në vitin 2012 vazhdon fokusi mbi përforcimin e sundimit të së drejtës dhe reformën në administratën publike, të cilat vazhdojnë të jenë një nga sfidat më të rëndësishme dhe parakushtet themelore në procesin e anëtarësimit në BE. 

Duke e përcjellë zhvillimin e negociatave dhe procesin e ri i cili mundësohet për kapitullin 23 dhe 24, duke u nisur nga sferat e caktuara prioritare të paraqitur në kuadër të dialogut paraaderues, në këtë vit përpjekjet do të fokusohen në ndërtimin e mëtutjeshëm të gjyqësisë së pavarur dhe efikase, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në administratën publike, sigurimin e lirisë së të shprehurit, marrëdhëniet ndëretnike dhe reformën zgjedhore.

Duke pasur parasysh aktivitetet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, për të cilat institucioni ka përgjegjësi të madhe, fokusi do të jetë në sigurimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin e dialogut politik dhe sigurimin e shkallës së lartë të koordinimit, implementimin e rregullt të dispozitave të Ligjit për Kuvendin, si dhe finalizimin e themelimit të Institutit parlamentar.

Me qëllim të përforcimit të vazhdueshëm të dialogut ndërmjet bashkësive, do të vazhdojë implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. 

Lidhur me lirinë e të shprehurit dhe mediumeve, do të vazhdojë dialogu ndërmjet Qeverisë dhe mediumeve, në drejtim të tejkalimit të dobësive të konstatuara, veçanërisht në pjesën e dekriminalizimit të veprave penale, sharje dhe ofendim. 

Lidhur me kriteret ekonomike, vazhdojnë përpjekjet për përmirësimin e ambientit afarist, përmirësimin e politikës tatimore dhe doganore në funksion të përkrahjes së zhvillimit ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja dhe nxitjen e aktiviteteve investuese.

Në diskutimin, morën pjesë:  znj. Radmilla Sheqerinska, kryetare e Këshillit; z.  Hajrulla Misini, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane dhe anëtar i Këshillit, znj. Sillvana Boneva, nënkryetare e Këshillit; z.  Jani Makraduli dhe z.  Gordan Georgiev, deputetët dhe anëtarët e Komisionit për Çështje Evropiane; z. Antonio Milloshoski, deputet dhe anëtar i Këshillit dhe znj. Tanja Hafner Ademi, përfaqësues i Platformës qytetare të Maqedonisë dhe përfaqësues i Këshillit.

Pas përfundimit të debatit, Këshilli Nacional për Eurointegrime dhe Komisioni për Çështje Evropiane njëzëri e miratuan Mendimin për miratimin e së drejtës së Bashkimit Evropian në vitin 2012, si vijon:

1. Këshilli Nacional për Eurointegrime dhe Komisioni për Çështje Evropiane rekomandojnë që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe trupat e tij punues t' japin prioritet shqyrtimit dhe miratimit të ligjeve të paraparë në Programin nacional për miratimin e së drejtës së Bashkimit Evropian (revizioni 2012) të dhënë në Aneksin 1;

2. Këshilli Nacional për Eurointegrime dhe Komisioni për Çështje Evropiane rekomandojnë që trupat punues të Kuvendit të Republikë së Maqedonisë ta shqyrtojnë Programin nacional për miratimin e së drejtës së Bashkimit Evropian (revizioni 2012), në seksionet dhe kapitujt në sferën e kompetencës së trupave punuese;

3. Në pajtim me konkluzionet e miratuara, lidhur me debatin për Raportin e Komisionit Evropian për Progresin e Republikës së Maqedonisë në vitin 2011, Këshilli Nacional dhe Komisioni për Çështje Evropiane i ftojnë trupat punues të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ta përcjellin planin aksionar për realizimin e rekomandimeve nga Raporti për progresin për vitin 2011 si dhe Programin nacional për miratimin e së drejtës së Bashkimit Evropian;

4. Duke pasur parasysh Raportin e Komisionit Evropian për Progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2011, si dhe vërejtjet në pjesën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Këshilli dhe Komisioni theksojnë nevojën që Kuvendi të vazhdojë të punojë në bazë të dialogut që paraqet një nga prioritetet e Partneritetit për anëtarësim;

5. Në mënyrë që të arrihet niveli i lartë i inkluzivitetit dhe transparencës në procesin e përpilimit dhe miratimit të ligjeve të paraparë në Programin nacional për miratimin e së drejtës së Bashkimit Evropian për vitin 2012, në periudhën që vijon Këshilli Nacional për Eurointegrime do të organizojë debate publike për propozimet që janë dhënë në Aneksin 2. 

Në këtë drejtim Qeveria e Republikës së Maqedonisë duhet të sigurojë praktikë të rregullt për dorëzimin e teksteve të punës të ligjeve nga Aneksi 2 të këtij Mendimi, në mënyrë që të mund t'i sigurojë Këshillit analiza serioze të propozim-ligjeve dhe të dorëzojë propozime, sugjerime dhe rekomandime të tij.

6. Këshilli Nacional për Eurointegrime i rekomandon Qeverisë së Republikës së Maqedonisë të organizojë debate publike dhe konsultime me palët e prekura gjatë përpilimit të akteve nënligjore për ligje të rëndësishme të cilat janë pjesë e Programit nacional për miratimin e së drejtës së Bashkimit Evropian, në pajtim me dispozitat e Rregullores së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për vlerësimin e ndikimit të rregullativës me qëllim të implementimit më të mirë të ligjeve në praktikë; 

7. E përshëndesim realizimin e Projektit IPA-TPP "Ndihma teknike për Parlamentin" të financuar nga Bashkimi Evropian, qëllimi i përgjithshëm i të cilit është përforcimi i kapacitetit institucional i Kuvendit dhe përmirësimi i transparencës dhe përgjegjësisë së tij para qytetarëve.  Seria e trajnimeve të dedikuara për një pjesë të Shërbimit si dhe për deputetët, të realizuara në kuadër të Projektit është bazë e mirë për përmirësimin e njohurive dhe procedurave për punë dhe mund të japin ndihmesë në realizimin e rolit aktiv të Kuvendit në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 8. Duke pasur parasysh kompetencat dhe qëllimet e Këshillit Nacional për Eurointegrime, është e rëndësishme të vazhdohet të investohet në zhvillimin e resurseve në Shërbimin e Kuvendit dhe për shërbimet e Sektorit për përkrahje të Këshillit Nacional për Eurointegrime, të mundësohen trajnime të vazhdueshme për BE-në, për përsosjen profesionale;

9. Këshilli Nacional për Eurointegrime dhe Komisioni për Çështje Evropiane i thërrasin të gjitha subjektet shoqërore të japin kontribut aktiv në procesin e harmonizimit të legjislacionit të Republikës së Maqedonisë me të drejtën e Bashkimit Evropian;

10. Me përmbajtjen e këtij Mendimi të njoftohet Qeveria e Republikës së Maqedonisë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe kjo përmbajtje të publikohet në ueb faqen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Click