Udhëheqja parlamentare



E mërkurë, 10 tetor 2012

DEKLARATA E KRYETARIT VELJANOSKI ME RASTIN E RAPORTIT TË KOMISIONIT EVROPIAN PËR PROGRESIN E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË PËR VITIN 2012

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Është e zakonshme që pas prezantimit të Raportit të Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë nga ana e SH.T. z.Aivo Orav, të dalim me deklaratë të përbashkët në të cilën do t'i ndajmë përshtypjet kryesore.

Është e pakontestueshme se edhe ky Raport vjetor, ashtu si edhe raportet tjera të deritanishme, është pasqyrë reale e rezultatit të arritur në periudhën e kaluar njëvjeçare. Kjo do të thotë shënim të veprimeve pozitive që i kemi bërë dhe çështjeve dhe vërejtjeve në të cilat në të ardhmen do të duhet që të përqendrohemi më shumë dhe t'u kushtojmë vëmendje më të madhe. 

Pjesa e Raportit i është përkushtuar Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, gjithashtu, e pasqyron punën e bërë në vitin e kaluar. Unë, si kryetar i Kuvendit, jam i kënaqur dhe pres që edhe në periudhën e ardhshme të punojmë në mënyrë konstruktive dhe efikase. Vlerësimet për funksionimin tonë janë pasqyrë e punës së përbashkët të të gjithë kolegëve deputetë, edhe të shumicës edhe të opozitës.

Raporti, në pajtim me praktikën e deritanishme, gjatë javës së ardhshme do të jetë në rendin e ditës të komisioneve dhe Këshillit Nacional për Eurointegrime, ku do të fillojë shqyrtimi i tij, më pas do të shqyrtohet dhe diskutohet edhe në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Të nderuar,

Ky është Raporti i katërt pozitiv në të cilin Komisioni Evropian i jep rekomandim Republikës së Maqedonisë që të merr datë për fillimin e negociatave. Prandaj, është më se e nevojshme që Republika e Maqedonisë ta bëjë hapin e ardhshëm, të shkojmë përpara në integrimin dhe perspektivat të bëhen realitet. Në këtë kuptim, edhe unë, dhe të gjithë ne bashkë, me të drejtë presim që në fund të këtij viti, në muajin dhjetor, Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian të caktojë datë për fillimin e negociatave.

E gjithë kjo është për të mirën tonë, për një vrull dhe entuziazëm të ri në realizimin e reformave, por edhe për të mirën e rajonit dhe perspektivave të tij evropiane, si dhe për të mirën e Bashkimit Evropian. 

Ju faleminderit për vëmendjen.

Click