Udhëheqja parlamentare



E hënë, 12 nëntor 2012

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME RASTIN E 10 VJETORIT TË FORMIMIT TË KOMISIONIT SHTETËROR PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT

I nderuar kryetar dhe të nderuar anëtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, 
I nderuar ambasador i Bashkimit Evropian, z.Aivo Orav,
I nderuar ambasador i OSBE-së, z.Rallf Bret,
Të nderuar zonja dhe zotëri,

Kam kënaqësi të marr pjesë në shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm - dhjetë vjet nga formimi dhe puna e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Korrupsioni si e ligë shoqërore është i vjetër sa edhe civilizimi njerëzor, ka qenë i pranishëm dhe ende është i pranishëm në të gjitha rendet shoqërore dhe në të gjitha shtetet. Si i tillë, korrupsioni është i pranishëm në të gjitha sferat e aktiviteteve shoqërore, përkatësisht, politikologu Harolld Lasvell e definon korrupsionin si keqpërdorim i interesit të përgjithshëm për dobi personale. 

Pasojat nga korrupsioni janë të shumëfishta. Politikisht, prish besimin themelor ndërmjet politikanëve dhe qytetarëve, ndërsa njëkohësisht prish kredibilitetin e institucioneve demokratike.

Pasojat ekonomike shihen në shkeljen e ligjshmërive të tregut, e pengon sigurinë e investimeve dhe shpenzimeve racionale dhe transparente të parave të popullit. 

Nuk duhet të anashkalohen as pasojat sociale nga korrupsioni, meqë ato cenojnë grupet shoqërore më vulnerabile, zmadhojnë dhe thellojnë pabarazinë ndërmjet qytetarëve në jetën e përditshme dhe krijon te qytetarët ndjenjë të pasigurisë dhe pakënaqësisë.  

Si përfundim, atje ku sundon korrupsioni, nuk ka sundim të së drejtës.

Zonja dhe zotërinj,

Pikërisht në funksion të sundimit të së drejtës dhe në drejtim të përforcimit të luftës institucionale kundër korrupsionit, por edhe në drejtim të parandalimit të konfliktit të interesave i cili shpesh paraqet hyrje në marrëveshjet korruptuese, para dhjetë vitesh, në bazë të ligjeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, u formua Komision Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. 

Komisioni është institucion i pavarur dhe i mëvetësishëm i specializuar, i cili është strumbullar në luftën kundër korrupsionit. Suksesi në luftën kundër kësaj të lige shoqërore, imponon aktivitete dhe përgjegjësi të shumë institucioneve tjera, nga pushteti ekzekutiv, gjyqësor, ligjvënës, ndërsa gjithsesi edhe të sektorit joqeveritar dhe të çdo qytetari si individ.

Më lejoni të përkujtoj se qëllimi ynë strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, dhe pikërisht Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka ratifikuar më shumë konventa ndërkombëtare të cilat kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sot kemi një seri ligjesh të cilat janë në funksion të luftës kundër korrupsionit dhe parandalimit të konfliktit të interesave.  

Nëse i shohim raportet për progresin e Republikës së Maqedonisë, si të Bashkimit Evropian, ashtu edhe të Këshillit të Evropës, shumë qartë është theksuar se shteti ynë shumë mirë dhe në mënyrë cilësore e ka rregulluara pjesën normative në luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e konfliktit të interesave. 

Gjithashtu, shënojmë edhe trend pozitiv në rangimin e listave të organizatave ndërkombëtare të cilat e përcjellin luftën dhe rezultatet prej saj në sferën kundër korrupsionit. Nuk duhet të ikim edhe nga vërejtjet dhe rekomandimet për implementim më efikas të zgjidhjeve të miratuara ligjore dhe gjithsesi mbikëqyrje adekuate mbi të gjitha subjektet të cilat janë përgjegjëse në procesin e zbatimit të këtyre ligjeve.

Të nderuar,

Është i pakontestueshëm fakti se një nga aktivitetet më të rëndësishme të cilat Komisioni suksesshëm i realizon përmes formave më të ndryshme, është vetëdijesimi i çdo qytetari, si dhe i shoqërisë në tërësi, se çfarë e ligë është korrupsioni dhe si duhet ballafaquar me të. 

Për fat të keq, kjo e ligë shoqërore nuk është eliminuar në tërësi, por pikërisht ky fakt duhet të jetë stimul për Komisionin dhe për të gjitha institucionet të cilat në çfarëdo mënyre janë përfshirë në këtë proces, që në mënyrë më intensive dhe në mënyrë të përgjegjshme ta vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e konfliktit të interesave. 

Si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, sot, kur e shënojmë jubileun dhjetëvjeçar, dëshiroj të theksoj se Parlamenti gjithmonë do të jetë i hapur për të gjitha propozimet të cilat kanë të bëjnë me efikasitetin në luftën kundër korrupsionit.   

Zonja dhe zotërinj,

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, pikërisht sipas karakterit të punës së tij, shpeshherë është i pranishëm në publikun përmes medieve, dhe kjo është mirë, por nuk guxon në asnjë mënyrë që puna e Komisionit dhe rezultatet prej saj, të jenë temë e lojërave politike ditore dhe kritikave. 

Besoj se të gjithë do të pajtohemi se kritikat konstruktive dhe propozimet konstruktive gjithmonë janë të nevojshme, veçanërisht në zmadhimin e efikasitetit të punës, pa marrë parasysh se për cilin institucion bëhet fjalë. 

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në këto dhjetë vitet tregoi përgjegjësi që vërejtjet dhe rekomandimet e tilla t'i pranojë dhe inkorporojë në punën e tij. Kjo veçanërisht është evidente si në bashkëpunimin parlamentar me institucionet tjera, ashtu edhe në marrëdhëniet me sektorin joqeveritar.

Më lejoni për në fund që edhe një herë t'ua uroj jubileun dhjetëvjeçar me bindje se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit edhe më tutje do të vazhdojë të ballafaqohet me korrupsionin në mënyrë të përgjegjshme dhe efikase. Kjo është mënyra e vetme për të dhënë kontribut në funksionimin e shtetit juridik dhe sundimit të së drejtës, e me këtë edhe në përforcimin e marrëdhënieve demokratike në shtet dhe në realizimin e qëllimeve tona strategjike.

Ju faleminderit.

Click