Udhëheqja parlamentare



E mërkurë, 7 mars 2012

TAKIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME SHEFIN E RI TË DELEGACIONIT TË BE-SË NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË, Z. AIVO ORAV

Trajko Veljanoski i dëshiroi mirëseardhje ambasadorit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, z. Aivo Orav, dhe potencoi gatishmërinë personale dhe gatishmërinë e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për të përkrahur çdo iniciativë në drejtim të bashkëpunimit efikas dhe produktiv.

Kryetari Veljanoski shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e suksesshëm me shefat e mëparshëm të Delegacionit të Bashkimit Evropian me Republikën e Maqedonisë, i cili tre vjet me radhë rezulton me Raport pozitiv për progresin e Republikës së Maqedonisë, veçanërisht në pjesën e cila ka të bëjë me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe tregoi gatishmëri për angazhimin e mëtutjeshëm për mbajtjen e vazhdimësisë së vlerësimit pozitiv në periudhën e cila pason. 

Ai theksoi se si parlamentar i parë ka për detyrë të kujdeset për këtë institucion dhe nëpërmjet funksionimit të tij efikas të kontribuojë me impuls pozitiv në lidhje me progresin e shtetit. Sfidë e Republikës së Maqedonisë, si pjesë e Ballkanit dhe si vend i ngjarjeve të ndryshme, është ballafaqimi me këto ngjarje në drejtim të realizimit të qëllimeve të parapara.

Shteti ynë vendin e ka në Evropë, jo vetëm në aspekt territorial, por edhe formal.   Përgjegjësia e politikanëve është se sa do të kontribuojnë ato dhe për sa kohë këtë formalitet Republika e Maqedonisë do ta bëje pjesë e familjes evropiane. 

Duhet të kihet parasysh dhe të respektohet fakti që të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, fetare ose partiake, dhe pas 6 vitesh status të kandidatit japin përkrahjen e tyre lidhur me çështjen e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Reformat, para se gjithash, nuk i shohim si plotësim i kushteve për hyrje në familjen evropiane, por si mundësi për përmirësimin e jetesës së qytetarëve - theksoi kryetari Veljanoski.

Ai gjithashtu nënvizoi bashkëpunimin efikas me nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, si dhe me koordinatorët e grupit të deputetëve që gjithsesi kontribuon në vlerësimin pozitiv për punën e dhomës legjislative. 

Ambasadori Orav potencoi se Republikën e Maqedonisë e ndjen si të njohur dhe të afërt, duke pasur parasysh angazhimin paraprak tetëvjeçar si ambasador jorezident i Republikës së Estonisë në Republikën e Maqedonisë, që njëkohësisht është edhe prioritet lidhur me mandatin e fituar si shef i Delegacionit të BE-së pikërisht në Republikën e Maqedonisë. Ai shprehu bindjen se do ta vazhdojë punën pozitive e të mëparshmëve në përfaqësimin e Bashkimit Evropian, të të gjithë vendeve të cilat janë pjesë e BE-së, por edhe të të gjithë vendeve të cilat dëshirojnë të bëhen anëtarë të BE-së.

Ai, gjithashtu, theksoi se Delegacioni i BE-së në Republikën e Maqedonisë do të jetë në nivelin e duhur të gatishmërisë në rast të fillimit të negociatave, dhe se Raporti për progresin është shumë dokument i rëndësishëm, për vlerësimin pozitiv të të cilit nevojitet angazhim i të dy palëve, si dhe domosdoshmëria dhe rëndësia e kohëzgjatjes së vlerësimit të lartë të përkrahjes nga ana e opinionit lidhur me procesin eurointegrues. 

Si çështje të rëndësishme, ambasadori Orav përmendi punën e Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Eurointegrime, implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR lidhur me procesin zgjedhor, si dhe fillimin e negociatës së lartë paraaderuese, e rëndësishme për të dy palët.

Kryetari Veljanoski shprehu gatishmëri për angazhimin e plotë lidhur me avancimin e diplomacisë parlamentare, i cili konsideron se duhet t'i jepet dimension më i gjerë, meqë pikërisht ajo jep mundësi për hapjen, por edhe për mbylljen e shumë çështjeve, të cilat nuk mund të zgjidhen në mënyrë tjetër.

Click