Pratenichki sostav
 
LEGJISLATURA E DEPUTETËVE


E hënë, 15 prill 2013

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE "INTEGRIMI EVROPIAN NËPËRMJET BASHKËPUNIMIT TË PARLAMENTEVE, SHOQËRISË CIVILE DHE TRUPAVE TË PAVARUR RREGULLATOR NË EJL - KËMBIMI I PËRVOJAVE DHE PRAKTIKAVE POZITIVE"

Të nderuar deputetë,
E nderuara znj.Ermira Mehmeti-Devaja,  
I nderuari z. Fatmir Besimi, 
Të nderuar shkëlqesi:
z. Aivo Orav,
z. Poll Vollers,
znj.Gudrun Shtajnaker,
I nderuari z. Diogo Pingo,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,

Parlamenti është institucion demokratik qendror në shoqërinë moderne. Por, për ta luajtur rolin e plotë dhe të vërtetë të një institucioni të rëndësishëm në sistemin politik, duhet të respektohet nga të gjithë pjesëmarrësit në politikë. Në shoqërinë e tranzicionit parlamenteve u nevojitet përkrahje më të madhe nga opinioni dhe mediat dhe respekt më të madh nga ana e partive politike në mënyrë që gradualisht të mund ta arrijnë rolin e tyre kryesor në jetën demokratike. Por, kur shteti është në proces të integrimit më të gjerë, përkrahja e parlamenteve duhet të jetë e padyshimtë edhe nga jashtë, nga subjektet ndërkombëtare. 

Politikën shpesh e definojnë si shkathtësi e të mundshmes, shkathtësi e mobilizimit dhe si bashkim i mundësive pozitive në një shtet. 

Për Republikën e Maqedonisë sfidë kryesore gjatë gjithë këtyre viteve, nga pavarësimi e gjer më sot, është si të krijojmë institucion të respektuar demokratik qendror dhe funksional - parlament, ose ndryshe thënë, si ta sendërtojmë potencialin demokratik i cili sipas kushtetutës i përket parlamentit. Ky është mision institucional i cili është thelbësor për progresin e përgjithshëm sepse nuk përfundon tranzicioni pa parlament të themeluar demokratik dhe funksional. Parlament është institucion në të cilin zhvillohet proces i balancuar i paraqitjes së mendimeve dhe interesave të ndryshme dhe në të cilin shumica në mënyrë legjitime insiston ta realizojë premtimin e dhënë para qytetarëve, por edhe proces në të cilin zhvillohet dialog dhe në të cilin kërkohen dhe gjenden edhe zgjidhje të përbashkëta.

Beteja për parlament të fuqishëm demokratik dhe të respektuar zhvillohet në shumë shtete dhe në këtë aspekt bashkëpunimi ndërmjet parlamenteve nacionale është më se i nevojshëm. Bashkëpunimi dhe përkrahja e ndërsjellë mund të bëhen faktor i rëndësishëm në përforcimin e tyre. Përveç përkrahjes së ndërsjellë në drejtim të përforcimit nacional, parlamentet mund marrin domethënie më të gjerë edhe përmes realizimit të a.q. demokracisë parlamentare, përmes së cilës mund të hapen dyer diplomatikë të cilët mund t'i hapin më vështirë organet ekzekutive të ngarkuar për zhvillim të politikave të jashtme.  

Vetëm parlamenti i fuqishëm dhe i respektuar mund të nxisë reforma në një shtet dhe ta kontrollojë pushtetin. Ndërsa roli kontrollues i parlamenteve është me rendësi qenësore dhe ai nuk mund të realizohet në mënyrë adekuate pa ekzistimin e trupave të pavarur rregullator përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe për kontroll të ligjshmërisë në punën e autoritetit publik. Ndërtimi i institucioneve demokratike është proces i cili asnjëherë nuk është i përfunduar deri në fund, ndërsa roli i trupave të pavarur rregullatorë në atë proces është në rritje të vazhdueshme.

Funksionimi i trupave të pavarur rregullatorë për vendet e Evropës Juglindore është i rëndësishëm edhe për realizimin e standardeve evropiane. Në këtë aspekt, në legjislativin duhet që tani t'i përcjellim arritjet evropiane në këtë plan, me qëllim që në të ardhmen të mos ballafaqohemi me obligime shumë më të vështira. 

Trupat e pavarur rregullatorë janë themeluar për indikacion preventiv të cenimeve gjë që është veçanërisht e nevojshme në kohën e tranzicionit. Sipas përbërjes së tyre vendet e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore mundësojnë diapazon të gjerë të këmbimit të përvojave: nga ato vende që si kandidatë dhe aspirantë formojnë trupa të tilla, anëtarët e Bashkimit Evropian të cilët tashmë i praktikojnë rekomandimet evropiane për statusin dhe kompetencat e këtyre trupave të pavarur.
Këmbimi i përvojave në bazë rajonale jep ndihmesë edhe për zmadhimin e transparencës lidhur me mediat dhe opinionin. Në këtë aspekt, nevojitet bashkëpunimi i vazhdueshëm rajonal i cili do të kontribuojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet parlamenteve, trupave rregullatorë dhe shoqërisë civile.

Ndonjëherë ekziston përputhje ndërmjet kompetencës së parlamentit dhe trupave të pavarur rregullatorë kur bëhet fjalë për cenimin e ligjshmërisë. Madje, duhet të kihet parasysh se trupat e pavarur rregullatorë nuk i zëvendësojnë organet e pushtetit, por me rekomandimet dhe aktivitetet e tyre mund të kontribuojnë, ndihmojnë dhe ta përshpejtojnë punën e tyre.

Përndryshe, vazhdimisht është i pranishëm rreziku që dega ekzekutive e pushtetit t'i zotërojë dhe marrë funksionet që u takojnë degëve tjera të pushtetit dhe shoqërisë civile. Parlamenti është kornizë institucionale për tejkalimin e llojit të tillë të uzurpimit lidhur me funksionimin e trupave të pavarur rregullatorë.

Avokatët e popullit janë ndërmjetësues të rëndësishëm ndërmjet qytetarëve dhe administratës shtetërore. Ata, në parlamentet, përfshirë edhe Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, para se gjithash tregojnë paraqitjet e hendekut ndërmjet ligjshmërisë dhe praktikës. Nevoja strategjike në punën e tyre është transparenca dhe sigurimi i përkrahjes nga qytetarët. Raportet vjetore janë armë e fuqishme në duart e avokatëve të popullit për informimin dhe alarmimin e opinionit për gjendjen e të drejtave të njeriut në vendin. Nga ato raporte duhet të dalin rekomandime dhe instruksione për institucionet tjera shtetërore, e veçanërisht për pushtetin ekzekutiv.

Meqë rekomandimet e këtyre trupave nuk janë të detyrueshme, organizimet e shoqërisë civile dhe opinionit janë veçanërisht të rëndësishme për krijimin e presionit shoqëror për implementimin e tyre. Në atë kontekst, trupat rregullatorë dhe shoqëria civile janë aleatë natyror. Kjo veçanërisht ka të bëje me fenomenin e korrupsionit dhe kundërdiskriminimit. 
Nevojitet përkrahje e vazhdueshme civile dhe parlamentare e trupave rregullatorë në realizimin e funksionit të tyre. Kjo është me rëndësi të madhe për promovimin e proceseve demokratike dhe sundimin e të drejtës në vendet e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Konkluzionet dhe rekomandimet nga konferenca paraprake, e mbajtur para një viti në Beograd, janë pasqyrë e interesimit të parlamenteve, trupave të pavarur rregullatorë, shoqërisë civile përkatësisht opinionit për këtë lloj të dialogut. Ky nuk është fund, por vazhdim i një lloji të ri të bashkëpunimit dhe aktivitetit rajonal sinergjik në dobi të qytetarëve dhe mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të tyre.

Institucionalizimi dhe funksionimi i këtyre trupave ka rëndësi qenësore për çdo demokraci, e veçanërisht atje ku procesi i transformimit dhe reformave është në vazhdim. Sundimi i së drejtës dhe realizimi i të drejtave të pakicave, të drejtave gjinore dhe të drejtave tjera të njeriut bën pjesë në radhët e detyrave më të sfidueshme dhe më të kërkueshme për parlamentet dhe strukturat tjera të pushtetit, si dhe për shoqërinë në tërësi.

Trupat rregullatorë që veprojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale janë indikator për shoqëri të qëndrueshme dhe pluraliste, në të cilën respektohet përgjegjësia para qytetarëve. Ato duhet të veprojnë në distancë të sigurt nga të gjitha burimet e mundshme ndikuese - pushteti ekzekutiv, politikanët, grupet e biznesit dhe grupe tjera të interesit. Parlamenti, si përfaqësues i vërtetë i vullnetit të popullit, është hapësirë që e përforcon rolin dhe veprimin e tyre si trupa të vërtetë dhe të pavarur rregullatorë.

Legjislativi adekuat dhe zbatimi i tij është pjesë e kritereve të cilat vendet-kandidate ose aspirantë duhet t'i përmbushin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.  Bashkëveprimi i parlamenteve dhe trupave është çështje e krijimit të legjislacionit të mirë dhe funksionimi i tij adekuat. Shoqëria civile është pjesë e pandarë e mekanizmit për vlerësimin dhe monitorimin e cilësisë, efikasitetit dhe transparencës të punës së trupave rregullatorë

Vendet-anëtare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe ato të cilat janë në procesin e eurointegrimit, përmes këmbimit të praktikave të mira, mund që në këtë sferë ta pasqyrojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin rajonal. Ajo, nga hapësirat qeveritare zgjerohet në shoqëritë e Evropës Juglindore - që zhvillohen në drejtim të qytetarisë së përgjithshme evropiane.

Ndryshimet nuk bëhen vetëm me miratimin e ligjeve, por duhet doemos të ndryshohet vetëdija lidhur me pozicionin e vendimmarrësve dhe pjesëmarrësve të ndryshëm në implementimin e vendimeve. 

Pritet që në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë të futen dhe të aplikohen disa mekanizma të reja për përmirësimin e procesit legjislativ dhe kontrollues përmes përfshirjes më të madhe edhe të sektorit joqeveritar dhe të trupave të pavarur rregullatorë. Mekanizmat të cilat do ta ndihmojnë këtë proces nënkuptojnë pjesëmarrje më aktive gjatë përpilimit të ligjeve të reja dhe ndryshimit të rregullativës ekzistuese kur ajo është e iniciuar nga vetë deputetët në Kuvend.  Përmes ndryshimit të metodologjisë adekuate për vlerësimin e ndikimit të ligjeve në parlamentin, si në pjesën e debateve publike, ashtu edhe në pjesën e monitorimit të implementimit në pjesën e debateve mbikëqyrëse. Rol të ri dhe të rëndësishëm në këtë proces do të kenë segmentet e komisioneve nga shërbimet parlamentare bashkë me Institutin Parlamentar. Gjithashtu, presim përfshirje më të madhe të sektorit civil edhe përmes zyrave të deputetëve të cilët së shpejti do të pajisen me softuerë informativ të cilët do ta lehtësojnë komunikimin e ndërsjellë.       

Zonja dhe zotërinj,

Detyra jonë e përbashkët është forcimi i kapaciteteve thelbësore dhe teknike të parlamentit. Ajo është detyrë dhe mision i deputetëve, partive politike, opinionit dhe duke marrë parasysh proceset integruese strategjike është detyrë edhe e përfaqësuesve ndërkombëtarë. 

Çdo shtet kalon përmes periudhave të provokimeve demokratike, prandaj duhet doemos të jemi plotësisht të qartë, në atë çast kur parlamenti do të bëhet vegël e thjeshtë për t'i qëruar hesapet e ndërsjella politike, atëherë humb i gjithë vendi.  Në atë çast të pikëlluar të prishjes së shtyllës kryesore të demokracisë dhe rendit, më së shumti tradhtohen qytetarët. Atëherë vihet në pyetje dhe kuptimi i konkurrencës zgjedhore dhe korrektësisë politike, ndërsa të qenët konstruktiv bëhet emër abstrakt (i paarritshëm). 

Prandaj, porosia dhe thirrja ime është e qartë: t'i konsolidojmë forcat e përbashkëta dhe ta përforcojmë parlamentin, në atë të zhvillojmë debat të hapur dhe të drejtpërdrejtë, t'i miratojmë ligjet e nevojshme dhe t'i realizojmë reformat, vazhdimisht ta kontrollojmë pushtetin dhe me vigjilencë ta monitorojmë zbatimin e ligjeve. Dhe kuptohet, në mënyrë që ta realizojmë e gjithë këtë duhet t'i plotësojmë mekanizmat ligjore dhe veglat. 

Kemi Ligj për Kuvendin, të cilin e miratuam pas Konferencës në Uillton Park.  Në të, bashkërisht inkorporuam më shumë mekanizma për forcimin e kapacitetit tonë.  Miratuam Rregullore të re të punës, për punë më efikase e cila është e hapur për optimalizim. Për të mirën tonë, respektimin dhe mirëkuptimin reciprok duhet të miratojmë edhe kod etik parlamentar. Kemi propozim-tekst, i cili është bazë e mirë. 

Por, deputetë të nderuar, duhet të mendojmë edhe për identifikimin e mekanizmave tjera esenciale me të cilat do ta përforcojmë dhe precizojmë më qartë pozitën e parlamentit në sistemin politik. 

Ju faleminderit.

 
a

Na ndiqni në: