Udhëheqja parlamentare



E martë, 28 maj 2013, Ohër

KONFERENCA FINALE PËR SHTYP E KRYETARIT VELJANOSKI NË KONFERENCËN E 10-TË TË KRYETARËVE TË PARLAMENTEVE TË PBEJL-IT - KONSTATIME PËRFUNDIMTARE

Të nderuar përfaqësues të mediave informative,

Patët rastin që në dy ditët e kaluara ta ndiqni  Konferencën e 10-të të kryetarëve të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, andaj dëshiroj të shtoj vetëm disa vërejtje. 

Në pajtim me përcaktimin që qëllimet e deklaruara nga konferencat paraprake t'i realizojmë në praktikë, kjo Konferencë është konferencë e kontinuitetit të kryesimit aktual, paraprak dhe të ardhshëm me bashkëpunimin parlamentar rajonal.  Pra, në atë mënyrë jemi edhe të përfaqësuar në konferencën për shtyp dhe afër meje janë kolegët - kryetari i Kuvendit Popullor të Serbisë z. Nebojsha Stefanoviq, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Rumanisë z. Valeriu Stefan Zgonea dhe nënkryetari i Senatit të Rumanisë z. Florin Konstantinesku.  Riafirmimi i funksionit të Treshit është me rëndësi të veçantë në fazën aktuale të transformimit dhe institucionalizimit të bashkëpunimit parlamentar rajonal. Ai duhet të mundësojë të koncentrohemi në përcaktimin e harmonizuar të përbashkët. 

Pse na nevojitet formë e re e më e lartë e bashkëpunimit?

Rajoni ynë është rajon i cili për shkaqe të njohura filloi me vonesë dhe me dinamikë jo të mjaftueshme e zhvilloi bashkëpunimin e ndërsjellë, frymën e mirëkuptimit, përkrahjen e ndërsjellë dhe solidaritetin, gjë që është karakteristike pothuajse për të gjithë rajonet tjera të Evropës. Para shumë kohësh është formuar Këshilli Nordik, Parlamenti i Beneluksit, para dhe pas viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, Asambleja Parlamentare e IQE, Asambleja Parlamentare e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, Asambleja Parlamentare Baltike etj. Ne, bashkëpunimin e filluam në periudhën e njëjtë, por ai mbeti i reduktuar në takimet vjetore në nivel të kryetarëve të parlamenteve dhe të deklaratave të cilat nuk ishin mjaft të valorizuara dhe të konkretizuara. Prandaj filloi procedura për formimin e Grupit punues me detyrë të propozojë modalitete për bashkëpunim të ardhshëm. 

Pas aktiviteteve trevjeçare dhe dhjetë takimeve të mbajtura, Grupi punues në atmosferë të hapur dhe konstruktive, me zbatim të principit të konsensusit, arrit të harmonizojë më shumë dokumente që janë bazë për konstituimin e trupit të ri parlamentar rajonal. Presim që Asambleja Parlamentare e PBEJL-it të kontribuojë në avancimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të insistimeve të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse për shndërrimin e rajonit në zonë të paqes, stabilitetit, solidaritetit dhe bashkëpunimit të mirë fqinjësor në interes të të gjithë qytetarëve tanë, popujve dhe shteteve tanë, si dhe në interes të Evropës në përgjithësi. Duke u udhëhequr nga principi i pronësisë rajonale dhe duke pasur parasysh se ardhmëria e të gjithë vendeve të EJL-it qëndron në BE, presim që Asambleja Parlamentare të veprojë në drejtim të: 

  • inicimit të formave të ndryshme të këmbimit të përvojave nga sfera e legjislacionit, harmonizimit të legjislacionit me legjislacionin e BE-së, bashkërendimit të praktikave dhe qëndrimeve në lidhje me dimensionin qeveritar dhe përforcimin e dialogut me shoqërinë civile;  
  • realizimit të rolit të çadrës për arritjen e sinergjisë në aktivitetet e iniciativave rajonale dhe formave të bashkëpunimit lidhur me: ekonominë, infrastrukturën dhe energjinë; drejtësinë, punët e brendshme dhe bashkëpunimin e sigurisë; zhvillimin social, arsimin, hulumtimin dhe shkencën; 
  • nxitjes, ndjekjes dhe mbikëqyrjes së realizimit të qëllimeve dhe definicioneve prioritare nga ana e kryesimit rrotullues të PBEJL dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, si dhe strukturës institucionale për transformimin e deklaratave dhe vendimeve politike në projektet konkrete dhe programet; 
  • përforcimit të aktiviteteve diplomatike parlamentare dhe lidhjeve me organizatat rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, iniciativave dhe fondacioneve.

Nuk kemi iluzion se kjo mund të realizohet menjëherë, por, një gjë është e sigurt -gjeneratave të ardhshme në botën e lidhur globale, duhet t'u lëmë fqinjësi e cila ka mirëkuptim, përkrah dhe bashkëpunon, nëse dëshirojmë t'i shfrytëzojmë përparësitë e lidhshmërisë gjeopolitike, ekonomike dhe kulturore, duke i reduktuar dhe tejkaluar pengesat e ndërsjella.

Do të përfundoj me proverbin e njohur se edhe rruga prej njëmijë kilometrash fillon me hapin e parë. Konsiderojmë se hapin e tillë në bazë parlamentare e bëmë me Deklaratën e përbashkët për fazë të re në bashkëpunimin tonë të ndërsjellë, të sublimuar në gatishmërinë për të formuar Asamble Parlamentare të PBEJL-it.

Click