Aktivitetet



E hënë, 7 tetor 2013, Zhenevë

DEBAT EKSPERTËSH ME TEMË "DREJT ZHVILLIMIT REZISTUES NDAJ RREZIQEVE, DUKE I MARRË PARASYSH TENDENCAT DEMOGRAFIKE DHE KUFIZIMET NATYRORE"

Në Asamblenë  e 129-të të Unionit Ndërparlamentar (UNP), që mbahet nga 6 deri në 9 tetor 2013 në Zhenevë, Zvicër, merr pjesë Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në përbërje: z. Jani Makraduli, shef i Delegacionit; znj. Sillvana Boneva, z. Nexhati Jakupi, z. Imer Aliu, z. Goran Misovski dhe z. Rejhan Durmishi, anëtarë të Delegacionit.  Në Asamblenë marrin pjesë 1.260 delegatë nga 134 vende, ndër të cilat 44 kryetarë dhe 40 nënkryetarë të parlamenteve.

Anëtarët e Delegacionit morën pjesë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të UNP-së, në të cilën u prezantua raporti për aktivitetet e Unionit dhe u diskutua për gjendjen financiare të UNP-së. 

Me propozim të vendeve nordike, Asambleja vendosi ta plotësojë rendin e ditës me pikë urgjente me temë: "Kontrolli i ndalimit për përdorim të armës kimike dhe shkatërrimi i saj: roli i parlamenteve". 

Komisioni i dytë i përhershëm i UNP-së për zhvillim të qëndrueshëm, financa dhe tregti mbajti debat ekspertësh me temë "Drejtë zhvillimit rezistues ndaj rreziqeve, duke i marrë parasysh tendencat demografike dhe kufizimet natyrore". 

Debati filloi me fjalimet hyrëse të znj. Margareta Vallstorm, përfaqësuese speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat dhe znj. Marlin Temerman, drejtoreshë e Organizatës shëndetësore botërore për shëndet reproduktiv dhe hulumtim.

Në këtë diskutim mori pjesë znj. Sillvana Boneva, anëtare e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Unionin Ndërparlamentar. Ajo theksoi se Republika e Maqedonisë, e inspiruar nga ideja e përgjithshme që del nga Korniza për aksion nga Hjogo, angazhohet dhe punon në mënyrë aktive në ndërtimin e kapaciteteve dhe e promovon agjendën për zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat në nivel lokal, nacional, rajonal dhe global

Në vitin 2010-2011, Republika e Maqedonisë kryesoi me Forumin evropian për zvogëlimin e rreziqeve nga katastrofat, me çka u dha kontribut i rëndësishëm në përpjekjet rajonale dhe globale për një botë më të sigurt dhe për sigurimin e zhvillimit që u reziston rreziqeve. 

Lidhur me tendencat demografike, znj. Boneva theksoi se Republika e Maqedonisë zhvillon politikë të veçantë sociale, me qëllim ndërprerjen e plakjes së popullatës dhe nxitjen e rritjes së lindshmërisë. U zbatuan më shumë masa stimuluese për zhvillimin e popullatës, siç janë, p.sh: kompensimi i vazhdueshëm monetar për fëmijën e tretë, pensionet për nënat që kanë rritur katër fëmijë, arsim fillor dhe të mesëm falas, libra shkollorë falas etj.

Znj. Sillvana Boneva u përqendrua edhe në zvogëlimin e numrit të intelektualëve, si rezultat i kërkesës për kuadro me arsim të larë të profileve të caktuara në shtetet e zhvilluara evropiane dhe SHBA.  Për tejkalimin e këtij problemi u përpilua "Strategji nacionale për zvogëlimin e shterjes së kuadrit me arsim të lartë 2013-2020", ndërsa Qeveria e Republikës së Maqedonisë në radhët e saj ka 4 ministra që janë kthyer nga diaspora maqedonase nga SHBA-ja dhe vendet tjera të zhvilluara. Me këtë, sipas znj. Bonevës, u dërgohet porosi mërgimtarëve se edhe në atdheun e tyre mund t'i realizojnë sfidat e tyre intelektuale dhe jetësore.

Komiteti i UNP-së për çështje të OKB-së mbajti mbledhje kushtuar bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve nacionale dhe agjencive të specializuara dhe organizatave të OKB-së.

Unioni Ndërparlamentar, i themeluar në vitin 1889, është organizata më e vjetër multilaterale politike, në të cilën marrin pjesë 162 parlamente nacionale dhe dhjetë asambleja parlamentare ndërkombëtare. Organizata botërore e parlamenteve në Zhenevë, punon në dobi të demokracisë, paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve.  UNP-ja ka status të mbikëqyrësit të përhershëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Click