Aktivitetet



E enjte, 12 dhjetor 2013, Tiranë, Shqipëri

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI PARA DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË REPUBLIKË SË SHQIPËRISË

I nderuar Kryetar i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë
Anëtarë të nderuar të shtëpisë legjislative
Të nderuar përfaqësues të mediave
Zonja dhe zotërinj
Miq të dashur

Më lejoni të ndaj kënaqësinë time personale për mundësinë që kam të drejtohem sot para këtij auditori të çmuar të përbërë prej përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të shtetit mik, Shqipërisë.
Për mua si Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, ky nder i ofruar nga mikpritësit e mi shqiptarë paraqet shprehje të respektit më të lartë ndaj Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.

Andaj, ju falënderoj shumë
Ju përcjell mirënjohjen e qytetarëve të Maqedonisë

I nderuar zoti Kryetar Ilir Meta
Të nderuar deputetë nga të gjitha partitë politike

Sot këtu, në Tiranë, në këtë qytet të mrekullueshëm, respektivisht në këtë objekt madhështor të Parlamentit shqiptar, me vete mbart në mënyrë të njëjtë edhe pritjet e maqedonasve, edhe pritjet e shqiptarëve nga shtetit im.

Para jush, në të njëjtën mënyrë shpalos me vullnet të sinqertë përshtypjet e bukura nga kjo vizitë edhe të bashkëqytetarëve tanë nga Shkupi, por edhe të bashkëqytetarëve tanë nga Tetova.
Këtu me vete mbart përshtypjet nga liqenet aq të bukur të Ohrit dhe të Prespës, si edhe nga Mali mahnitës i Sharrit, që janë qëllimi dhe obligimi ynë i përbashkët.

Qëndroj këtu para jush që të apeloj për bashkëpunim dhe mirëkuptim edhe më të madh ndërmjet popujve dhe shteteve tona.
E di se kemi edhe më shumë mundësi për zhvillimin e bashkëpunimit politik dhe aleancës së ndërsjellë.
E di se kemi edhe më shumë mundësi për ndërtimin e urave më të mëdha të bashkëpunimit ekonomik. Ka hapësirë për hapje më të gjerë të dyerve të shteteve tona për hyrjen e investimeve të reja.

Thënë shkurt, qëndroj këtu para jush për ta vërtetuar vendosmërinë time të thellë për ta dhënë vulën time personale në përparimin e përgjithshëm të marrëdhënieve ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve.
Ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Dhe për këtë jam krenar.
Jam krenar pasi sinqerisht besoj në miqësinë tonë të ndërsjellë.

Besoj sinqerisht edhe në dëshirën e madhe për tejkalimin e disa sfidave të ndërsjella që qëndrojnë në rrugën tonë deri te suksesi i përbashkët.

Besoj edhe për arsye se e di që suksesi i Shqipërisë është njëlloj i rëndësishëm edhe për ne në Maqedoni, siç e di se edhe suksesi i Maqedonisë është njëlloj i rëndësishëm edhe për ju, këtu në Tiranën mike.

Bashkërisht jemi gëzuar për të gjitha sukseset. Jo vetëm në politikë dhe në ekonomi. Por, njëlloj i kremtojmë edhe sukseset e ndërsjella kulturore, arsimore ose sportive.

Fitoret tuaja janë edhe fitoret tona.
Sukseset tona, besoj se janë edhe tuajat.

Në këtë drejtim, prej këtu, në mënyrë të drejtpërdrejtë, dua të shpreh bindjen time personale se Republika e Shqipërisë shumë shpejt do e fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe shpejt pas kësaj do të realizojë edhe qëllimin e madh kombëtar- anëtarësimin në Bashkimin Europian.

E di dhe jam i bindur sinqerisht në atë se këtë shpërblim e meritoni krejtësisht. Ky shpërblim është rezultat i punës dhe i angazhimit të politikanëve, por edhe i administratës, gjëgjësisht tërë shoqërisë shqiptare.

Përparimi juaj drejt Bashkimit Europian është vërtetim edhe për pjekurinë dhe gatishmërinë tuaj të jepni kontribut në zhvillimin e vlerave të përgjithshme civilizuese europiane, të cilat gjithashtu janë edhe vlera maqedonase.
Maqedonia gëzohet sinqerisht për këtë sukses shqiptar.

Besojmë se, edhe në të ardhmen, do të vazhdoni, deputetë të nderuar, të zhvilloni edhe më shumë shtetin dhe shoqërinë shqiptare.

Miq të dashur,

Qëndroj këtu para jush për të konfirmuar vullnetin e fuqishëm të Republikës së Maqedonisë për zhvillimin e miqësisë me Republikën e Shqipërisë.

Qëndroj këtu para jush, për arsye se fuqishëm besoj se ardhmëria jonë është e gërshetuar dhe me qëllim të qartë fisnik.

Ai qëllim, fuqinë e vet e thith nga shembujt pozitivë nga e kaluara, por edhe shikon thellë drejt ardhmërisë.

Në këtë ardhmëri, e cila shprehjen e vetë të plotë do ta ketë në çastet kur dy shtetet tona dhe dy popujt tanë do të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në familjen e bashkuar të Europës.

Të nderuara zonja dhe zotërinj

Historia politike e Ballkanit dhe raportet ndërmjet popujve në të kaluarën u karakterizuan më momente konflikti, por edhe në momente të respektimit të ndërsjellë.

Me momente të bashkëpunimit ekonomik, por edhe të përmbajtjes.
Me çaste të mirëkuptimit, por edhe me akuza të ndërsjella dhe izolim nacional.
Beteja jonë historike është të vazhdojmë me promovimin e mirëkuptimit dhe të respektimit.
Obligimi ynë historik është të qëndrojmë në rrugën e mirëbesimit dhe të bashkëpunimit.

Maqedonia dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të emetojnë porosi pozitive dhe të vazhdojnë të jenë shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer të fqinjësisë së mirë.

Le ta shtrijmë dorën!
T’i zhvillojmë standardet!
Të premtojmë se nuk do të lejojmë të ekzistojnë sfidat të cilat do t’i ngarkonin, madje edhe në masën më të vogël, marrëdhëniet tona.
Të mbështetemi tek njëri-tjetri, ashtu siç e kemi bërë këtë në të kaluarën.
Të bëhemi shembull për shtetet europiane, e jo vetëm ato të jenë shembull për ne.

Qytetarët tanë ndërtuan ura të shumta bashkëpunimi.
Shqiptarët nga Maqedonia i ndërtojnë lidhjet me Shqipërinë mike.
Por, edhe maqedonasit nga Shqipëria kontribuojnë për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve maqedonase-shqiptare.

Këto lidhje janë forca jonë më e madhe.
T’i kultivojmë!
T’i zhvillojmë!
Të luftojmë për to!

Këto marrëdhënie të shumta janë ajo që na mbajnë gjallë dhe na përcaktojnë agjendën e çdo veprimi politik.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen të kultivojë frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit.
Laramania etnike për mua është pasuria më e madhe, të cilën duhet ta shfrytëzojmë.

Pasuri e cila na ka bashkuar ndër shekuj dhe e cila duhet të na bashkojë në të tashmen dhe në të ardhmen.
Marrëdhëniet ndërmjet popullit maqedonas dhe popullit shqiptar janë pjesë e agjendës më të lartë të pjesës më të madhe të liderëve politikë relevantë në Maqedoni.

Njëkohësisht ato janë pjesë e prioriteteve të mia politike si Kryetar i Kuvendit maqedonas, por edhe si njeri.
I arsimuar në një mjedis multietnik.

I pjekur në pjesët e përziera etnike në afërsi të Çarshisë së Vjetër të Shkupit dhe Kalasë së Shkupit, më së miri e njoh shenjtërinë e këtyre marrëdhënieve të gërshetuara të miqësisë dhe të mirëbesimit të ndërsjellë ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve.
Ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve.
Besoj se vetëm kështu, me mirëkuptim dhe duke i ndihmuar njëri-tjetrit, do të kemi sukses që edhe më tutje t’u japim shembull qytetarëve tanë sesi duhet të sillen ndërmjet tyre.

Besoj fort dhe jam i bindur se vetëm me anë të kombinimit të masave për shtendosjen e mëtutjeshme të marrëdhënieve ndëretnike dhe me angazhim të fuqishëm dhe pa kompromise në drejtim të forcimit të ekonomisë, do të arrijmë ta përforcojmë besimin ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve.
Edhe në Shqipëri!
Edhe në Maqedoni!
Ndërsa takimet e këtilla janë jashtëzakonisht të nevojshme dhe të dobishme.
Vetëm kështu, me anë të diskutimit të hapur do të mund t’i ndryshojmë gjërat kah më e mira.

Zonja dhe zotërinj,

Me këtë rast dua të nënvizoj qartë se anëtarësimi në Bashkimin Europian është një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Maqedonisë.
Me kënaqësi mund të konstatoj se rreth përcaktimit të këtillë ekziston konsensus i përgjithshëm politik ndër të gjitha Qeveritë e tanishme dhe subjektet politike në Republikën e Maqedonisë.
Për realizimin e këtij qëllimi fisnik, në mënyrë të njëjtë janë angazhuar dhe angazhohen edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe të gjitha bashkësitë e tjera etnike.

Ky përcaktim yni strategjik has edhe në përkrahje shumë të madhe nga njerëzit në shtetin tonë.
Kur flasim për aspiratën tonë për integrim të plotfuqishëm në Bashkimin Europian, menjëherë dhe haptazi do e shpreh qëndrimin tim.

Përkatësia kah Bashkimi Europian nuk është dhe nuk guxon të jetë qëllim vetëm për vete. Përkatësinë e atillë e shoh si parakusht për zhvillimin tonë të përgjithshëm dhe përparimin e vazhdueshëm.
Objektivi ynë, nuk është vetëm anëtarësimi në Bashkimin Europian. Objektivi ynë primar është arritja e standardeve europiane.
Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, të cilat përshtatja e atillë i sjell me vete.
Por, nga ana tjetër ky është kusht i domosdoshëm që një ditë Maqedonia të mund të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në punën e institucioneve europiane.
Maqedonia, me shembullin e vet dhe me veprimin aktual konsideroj se e konfirmon përcaktimin e tillë në mënyrë konsekuente.

Njëkohësisht, anëtarësimi në Bashkimin Europian plotësohet me qëllimin tjetër strategjik të Republikës së Maqedonisë.
Gjithsesi ky është qëllimi i integrimit në NATO.
Në këtë rrugë kah NATO, shumë segmente i kemi përshkruar së bashku.

Të dashur miq ,

Qëllimet e Republikës së Maqedonisë dhe të Republikës së Shqipërisë janë komplementare. Gjithashtu edhe sfidat.
Demokracia e lindur nga socializmi është karakteristikë edhe e popullit shqiptar edhe e popullit maqedonas.
Ndërsa anëtarësimi në Bashkimin Europian është objektiv i përbashkët i të dy shteteve.
Besoj në fuqinë e këtyre marrëdhënieve tona. Besoj se bashkëpunimi në të kaluarën do të paraqesë garanci për zhvillimin e aleancës së ndërsjellë në të ardhmen.
Patjetër do të vazhdojmë në këtë rrugë.
Kemi obligim ta zhvillojmë bashkëpunimin tonë të ndërsjellë në çdo plan.

I përcjell përshëndetjet e mia më të mëdha nga Maqedonia miqësore për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ju faleminderit për vëmendjen!

Click