Aktivitetet



E hënë, 14 tetor 2013, Budva

KRYESIMI VJESHTOR I ASAMBLESË PARLAMENTARE TË OSBE

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në përbërje me znj. Ana Pavllovska Daneva, shefe e Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE), z. Vlladimir Gjorçev dhe z. Bekim Fazliu, anëtarë të Delegacionit, merr pjesë në Kryesimin vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që mbahet nga 13 deri 15 tetor 2013, në Budvë, Mali i Zi.   

Në Kryesimin vjeshtor, në të cilin marrin pjesë më shumë se 200 deputetë nga 50 vende-pjesëmarrëse në OSBE dhe 4 vende mesdhetare-partnere u mbajt mbledhja e Komitetit të Përhershëm të AP të OSBE-së dhe Forum mesdhetar me temë:  "Mesdheu - unioni i civilizimeve", ndërsa në zhvillim e sipër është konferenca parlamentare me temë: "Zgjidhja e kërcënimeve transnacionale dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut: Roli i OSBE-së". 

Në kuadër të Forumit mesdhetar u mbajt debat i veçantë për gjendjen në Siri. Debatin e hapi: z. Ranko Krivokapiq, kryetar i Parlamentit të Malit të Zi dhe i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z.  Zhan-Kllod Minjon, kryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe z. Igor Llukshiq, ministër i Punëve të Jashtme i Malit të Zi. Pjesëmarrësit në debat njëzëri e përshëndetën miratimin e Rezolutës 2118 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së dhe miratimin e vendimit për shkatërrimin e armës kimike në Siri, dhe theksuan se OSBE-ja është një nga platformat për veprim të përbashkët dhe gjetje të përgjigjeve për sfidat bashkëkohore në Rajonin e Mesdheut. Një pjesë e pjesëmarrësve vlerësuan se përgjigjja e krizës në Siri paraqet dështim të sistemit ndërkombëtar dhe apeluan që vendet e OSBE-së të kenë përfshirje më të madhe në zgjidhjen e krizës dhe në zbutjen e katastrofës humanitare.

Në hapjen e Konferencës parlamentare: "Zgjidhja e kërcënimeve transnacionale dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut: Roli i OSBE-së" mbajti fjalim kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z. Ranko Krivokapiq dhe kryeministri i Malit të Zi, z.  Milo Gjukanoviq. Kryetari Krivokapiq vlerësoi se parlamentarët duhet të jenë misionarë vlerash, të cilët kanë për detyrë të kontribuojnë në luftën kundër paragjykimeve dhe kundër ndarjeve ndërmjet civilizimeve, Lindjes dhe Perëndimit, Krishterimit dhe Islamit. Rezultatet e AP të OSBE-së, sipas z.  Krivokapiq, do të vlerësohen sipas mundësisë së anëtarëve të tyre për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet shteteve, popujve dhe parlamenteve.  Kryeministri, z.  Milo Gjykanoviq vlerësoi se Mali i Zi, si vend me diversitet etnik, kulturor dhe fetar, paraqet shembull për dialog multietnik.  Duke u fokusuar në karakterin inkluziv të OSBE-së dhe në qasjen e tij gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë, z. Gjykanoviq u përqendrua në rëndësinë e procesit "Helsinki +40", qëllimi i të cilit është revitalizimi dhe vizioni i OSBE-së, përmes reformës së organizimit, thellimit të vlerave komparative dhe përforcimit të mirëbesimit.

Në sesionin me temë: "Lufta kundër terrorizmit dhe kërcënimeve transnacionale në sferën e OSBE-së dhe respektimit të të drejtave të njeriut" fjalime hyrëse mbajtën: z.  Mohamed Allad Ezedjar, nënkryetar i parë i Dhomës së Lartë të Parlamentit të Afganistanit, z. Pleksej Lluzhenkov, koordinator për aktivitetet për zgjidhjen e kërcënimeve transnacionale në sekretariatin e OSBE-së dhe shefat e delegacioneve të Federatës Ruse, të Kirgistanit dhe Taxhikistanit në AP të OSBE-së z. Nikollaj Kovalev, z. Omurbek Tekebaev dhe z. Olim Salimzoda. Në këtë sesion u diskutua rreth kërcënimeve transnacionale, të cilat zhvillojnë forma të reja dhe kërkojnë përgjigje të reja, por nuk guxojnë t'i kufizojnë dhe relativizojnë të drejtat e njeriut.

Asamblenë parlamentare të OSBE-së e përbëjnë 323 parlamentarë nga 57 vende të Evropës, Azisë Qendrore dhe Amerikës Veriore. Kuvendi siguron forum për diplomacinë parlamentare, mbikëqyrje të zgjedhjeve dhe përforcim të bashkëpunimit ndërkombëtar për përmbushjen e angazhimeve lidhur me çështjet politike, çështjet e sigurisë, çështjet ekonomike, çështjet për të drejtat e njeriut dhe mjedisin jetësor. 

Click