Aktivitetet



E premte, 10 maj 2013

MBLEDHJA E GJASHTËDHJETË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e djeshme të gjashtëdhjetë, si trup punues amë e shqyrtoi Raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike për vitin 2012.  Arsyetim hyrës për Raportin vjetor dha znj.Maja Mallahova, kryetare e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike. 

Ajo theksoi se në këtë raport janë përfshirë të dhëna për punën e Komisionit në vitin 2012, si dhe të dhëna krahasimtare në raport me vitin 2009, 2010 dhe 2011. 

Veprimi anti-korruptiv i Komisionit Shtetëror përbëhet nga mbrojtja e shpejtë dhe efikase si funksion themelor i institucionit, zhvillimi i interpretimit të rregullave për furnizime publike, krijimi dhe publikimi i praktikës juridike, puna transparente dhe pjesëmarrja në procesin e edukimit të shfrytëzuesve. 

Komisioni Shtetëror në tërësi i ka realizuar aktivitetet e paraparë për vitin 2012, para se gjithash në lidhje me transparencën në punën e institucionit dhe zvogëlimin e afatit për zgjidhjen e ankesave në procedurën për mbrojtje juridike. 

Hap i madh në zmadhimin e transparencës në furnizimet publike është bërë me rregullat për sistem elektronik për furnizime publike, i cili realizohet përmes Byrosë për furnizime publike dhe me realizimin e ankandeve elektronike.

Mjetet e miratuara të Komisionit me Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2012 janë 11.600.000 denarë dhe nuk janë të mjaftueshme për funksionimin e tij si organ i pavarur shtetëror. Nevojiten mjete për ekipim plotësues kadrovik të Komisionit Shtetëror, pajim të hapësirave administrative-afariste me mjetet themelore për punë, si dhe për përsosje profesionale të të punësuarve. 

Gjatë vitit 2012 në Komisionin Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike kanë arritur gjithsej 585 lëndë. Janë zgjidhur 561 lëndë, ndërsa për shkak të dokumentacionit jo të plotë janë gjithsej 24 lëndë të pazgjidhur e të cilat janë bartur në vitin 2013. 

Sipas të dhënave të marrë nga Byroja për Furnizime Publike, në vitin 2012 janë publikuar gjithsej 11.689 shpallje për furnizime publike, prej të cilave janë paraqitur ankesa për gjithsej 561 ose 4.8%. 

Në debatin morën pjesë deputetët: z. Marjanço Nikollov, znj.Vlladanka Aviroviq dhe z. Rexhail Ismaili.

Në bazë të debatit, Komisioni për Financim dhe Buxhet njëzëri konkludoi t'i propozojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ta miratojë Konkluzionin në vijim:

  • Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shqyrtoi Raportin vjetor për punën e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike për vitin 2012; 
  • Ky konkluzion së bashku me Raportin e Komisionit për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë të dorëzohen në Komisionin Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike, Qeverinë e Republikës së Maqedonisë dhe Ministrinë e Financave.

 

Click