Aktivitetet



E hënë, 1 korrik 2013

MBLEDHJA E GJASHTËDHJETENËNTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e gjashtëdhjetenëntë, të mbajtur më 27 qershor 2013, si trup punues amë, me procedurë të shkurtër, shqyrtoi:

  1. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tarifë Doganore;   
  2. Propozim-ligjin për garanci të Republikës së Maqedonisë të obligimeve sipas Marrëveshjes për hua, e dedikuar për financim plotësues të projektit "Parku i turbinave me erë Bogdanci", që do të lidhet ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim - KFV dhe SHA ELEM-it;  
  3. Propozim-ligjin për garanci të Republikës së Maqedonisë të obligimeve sipas Marrëveshjes së ndërmarrë dhe të ndryshuar për hua për Projektin për përmirësim të rrjetit rrugor të përhershëm rajonal dhe lokal, që do të lidhet ndërmjet Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim - Bankës Botërore dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, me procedurë të shkurtuar;

Propozim-ligjet i arsyetoi zëvendësministri i Financave, z. Ardian Xheladini. 

- Për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tarifë Doganore, ai theksoi se me ndryshim-plotësimet e propozuara bëhet harmonizimi i mëtutjeshëm i pjesës normative të këtij ligji me Rregullativën e Këshillit (EEC) Nr. 2658/87 për nomenklaturë tarifore dhe statistikore dhe Tarifën e përgjithshme doganore, përmbushet detyrimi për transponimin e legjislacionit nacional të përcaktuar në Programin nacional për miratimin e të drejtës së Bashkimit Evropian si vend-kandidat, ndërsa njëkohësisht sigurohet edhe bazë juridike për zbatimin e njëtrajtshëm të Tarifës doganore.

Gjithashtu, me qëllim përmirësimin e konkurrencës eksportuese të industrisë vendore, propozohet të mundësohet import i përhershëm dhe i plotë për metale të caktuara të çmueshme të papërpunuara (ar dhe platin), pa marrë parasysh vendin e origjinës së tyre. Njëkohësisht propozohet liberalizimi i tregtimit me ar investues, përkatësisht shkalla doganore nga 7% të zbret në 0%.

Me miratimin e propozimeve të theksuara do të bëhet liberalizimi i qarkullimit dhe tregtimit me ar investues, si dhe do të zmadhohet importi i metaleve të çmueshme të papërpunuara, e me atë do të zmadhohet edhe prodhimi dhe eksporti i katalizatorëve dhe pjesëmarrja e tyre në strukturën e eksportit të përgjithshëm.  

- Lidhur me Propozim-ligjin për garanci të Republikës së Maqedonisë të obligimeve sipas Marrëveshjes për hua, e dedikuar për financim plotësues të projektit "Parku i turbinave me erë Bogdanci", që do të lidhet ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim - KFV dhe SHA ELEM-it, z. Xheladini theksoi se me realizimin e projektit "Parku i turbinave me erë Bogdanci", do të sigurohet shfrytëzimi i erës si burim regjenerues i energjisë përmes ndërtimit të centraleve elektrike me erë me të cilat do të arrihet prodhimi vjetor i 100 GWh energji e qëndrueshme natyrore. Me atë do të zgjerohen burimet për furnizim me energji dhe do të mundësohet inkorporimi i burimeve rigjeneruese të energjisë në rrjetin nacional. 
Shuma e përgjithshme e mjeteve të nevojshme për realizimin e projektit është 55.500.000 euro. 

- Në lidhje me Propozim-ligjin për garanci të Republikës së Maqedonisë të obligimeve sipas Marrëveshjes së ndërmarrë dhe të ndryshuar për hua për Projektin për përmirësim të rrjetit rrugor të përhershëm rajonal dhe lokal, që do të lidhet ndërmjet Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim - Bankës Botërore dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore.

Me ndryshimet e Ligjit për rrugë publike, Agjencia për rrugë shtetërore është transformuar në Ndërmarrje publike për rrugë shtetërore te e cila barten të gjithë të drejtat dhe detyrimet, me qëllim realizimin e pandërprerë dhe të suksesshëm të projekteve të filluara. 

Për ato shkaqe, propozohet të shfuqizohet Ligji për ngarkimin e Republikës së Maqedonisë me hua te Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim - Banka Botërore sipas Marrëveshjes për Hua për Projektin për përmirësim të rrjetit rrugor të përhershëm rajonal dhe lokal, ndërsa njëkohësisht të miratohet Ligjit për garanci të Republikës së Maqedonisë sipas Marrëveshjes së ndërmarrë dhe të ndryshuar për hua për Projektin për përmirësimin e rrjetit rrugor të përhershëm rajonal dhe lokal, që do të lidhet ndërmjet Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim - Banka Botërore dhe Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore. 

Republika e Maqedonisë do ta garantojë shlyerjen e detyrimeve dhe përmbushjen e dispozitave nga Marrëveshja e ndërmarrë dhe e ndryshuar për hua në shumë prej 70.000.000 euro. Të gjithë detyrimet që dalin nga Marrëveshja e ndërmarrë dhe e ndryshuar për hua, si dhe servisimin e huas, do ta kryejë Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore nga të hyrat personale. Afati për pagesën e huas është 15 vjet. 

Kryetari i Komisionit, z. Marjanço Nikollov, i njoftoi deputetët se në afatin e përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, për të tre propozim-ligjet nuk kanë parashtruar amendamente nga propozues të autorizuar dhe këto propozim-ligje Komisioni i përcolli në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. 

Click