Aktivitetet



E premte, 10 maj 2013

MBLEDHJA E NJËZETEGJASHTË E KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EKONOMIKE

Komisioni për Çështje Ekonomike i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e sotme të njëzetegjashtë, si trup punues amë, në lexim të parë shqyrtoi:  Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për energjetikë dhe Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për falimentim.

Propozim-ligjet i arsyetoi ministri i Ekonomisë, z. Valon Saraqini. 

Ai theksoi se ndryshimet kryesore në Ligjin për energjetikë janë në drejtim të harmonizimit me Ligjin për partneritet privato-publik. Për herë të parë do të ketë pasaportë energjetike, përkatësisht të gjithë institucionet publike në afat prej tre vitesh do të duhet të bëjnë kontroll energjetik. 

Në arsyetimin për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për falimentim z. Saraqini theksoi se bëhet fjalë për reforma të mëdha në sferën e falimentimit. 

Qëllimet e ndryshim-plotësimeve janë në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit dhe kushteve në tregun, veçanërisht në sektorin real. 

Me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për falimentim do të bëhet përshpejtimi i procedurës së falimentimit. 
Mënyrën dhe procedurën për shndërrim në para të pronës nga masa e falimentimit nëpërmjet formës elektronike i përcakton ministri i Ekonomisë me rregullore e cila do të miratohet në afat prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi të këtij Ligji. 

Për herë të parë në Republikën e Maqedonisë futet zgjedhja elektronike e drejtorit të falimentimit. Gjithashtu, do të bëhet edhe specializimi i drejtorëve të falimentimit për udhëheqje dhe riorganizim para falimentimit me program të veçantë dhe dhënie të provimit për marrjen e certifikatës për specialitetin. Futen dispozita për procedurë të falimentimit me vlerë të vogël dhe parashihet riorganizim para hapjes së procedurës së falimentimit dhe ndërmarrjes afariste.

Në debatin mori pjesë kryetarja e Komisionit për Çështje Ekonomike znj.Vlladanka Aviroviq, e cila theksoi se bëhet fjalë për kapitull ekskluzivisht të rëndësishëm në ekonomi. Në veçanti u theksua ndryshimi lidhur me futjen e raporteve tremujore për procedurat e falimentimit, meqë ky ndryshim do të japë pasqyrë të qartë për të falimentuarit të cilët ishin një periudhë të gjatë kohore. 

Në bazë të nenit 142 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Komisioni për Çështje Ekonomike njëzëri për të dyja Propozim-ligjet konkludoi se është i pranueshëm dhe se duhet të jepen në lexim të mëtutjeshëm.

Click