Aktivitetet



E premte, 20 shtator 2013

MBLEDHJA E SHTATËDHJETEGJASHTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e 76-të, të mbajtur më 17 shtator 2013, si trup punues amë, në lexim të parë e shqyrtoi

  1. Propozim-ligjin për shndërrimin e kërkesës së Republikës së Maqedonisë në bazë të tatimeve publike në depozitë të përhershme në shoqërinë e Kombinatit të Duhanit SHA Prilep; 
  2. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për furnizime publike.

Propozim-ligjet i arsyetoi ministri i Financave, z. Zoran Stavrevski. 

Ai theksoi se me Propozim-ligjin për shndërrimin e kërkesës së Republikës së Maqedonisë në bazë të tatimeve publike në depozitë të përhershme në shoqërinë Kombinati i Duhanit SHA Prilep propozohet shndërrimi i kërkesës së Republikës së Maqedonisë në bazë të tatimeve, akcizave, tatimeve doganore, kontributeve për sigurim të detyrueshëm social, si dhe tatimeve tjera të përcaktuara me ligj si tatime publike, si dhe në bazë të kamatave dhe detyrimeve tjera të krijuara në bazë të tatimeve publike në shoqërinë Kombinati i duhanit SHA Prilep dhe personat juridikë që janë të lidhur në mënyrë kapitale me shoqërinë në depozitë të përhershme të shtetit.  

Me konversionin e kërkesës së shtetit në depozitë të përhershme do të zmadhohet numri i aksioneve në pronësi të Republikës së Maqedonisë në kryegjënë themelore të Kombinatit të Duhanit SHA Prilep. 

Qëllimi i zgjidhjes së propozuar ligjore është që të sigurohet ushtrimi i pandërprerë i veprimtarisë dhe të sigurohet stabilitet financiar i Kombinatit të Duhanit SHA Prilep. 

Duke marrë parasysh atë që bëhet fjalë për detyrime të papaguara të Shoqërisë ndaj shtetit, i cili njëkohësisht është aksionar në Shoqërinë, qëllimi i Qeverisë me këtë Propozim-ligj është që t'i realizojë aktivitetet e ardhshme të cilat i imponojnë nevojat e reja në treg, si dhe të lidhë marrëveshje për partneritet strategjik me kompaninë e Filip Moris si brend i njohur në industrinë e duhanit, me çka tërthorazi do të kontribuohet për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe financiare dhe për zmadhimin e leverdisë së shoqërisë. 

Kombinati i Duhanit SHA Prilep është me rëndësi të veçantë për ekonominë në Republikën e Maqedonisë dhe merr pjesë me 19% në prodhimin e përgjithshëm të duhanit në shtet. Me shndërrimin e kërkesave në bazë të tatimeve publike do të zmadhohet pjesëmarrja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në kryegjënë themelore të Shoqërisë, përkatësisht do të zmadhohet numri i aksioneve të thjeshta me çka do të mundësohet funksionimi i pandërprerë i mëtutjeshëm i Shoqërisë, realizimi i qëllimeve të përcaktuara në drejtim të realizimit të strategjisë afatmesme për zhvillim e cila ka për qëllim zmadhimin e sasisë së duhanit të grumbulluar të prodhuesve primarë, si bazë për zmadhimin e prodhimit të duhanit të fermentuar dhe cigareve dhe për zmadhimin e plasmanit të prodhimeve në tregjet e huaja. 

Në debatin morën pjesë deputetët: z. Marjanço Nikollov, z. Goran Sugarevski, z.  Stojko Paunovski, znj.Vlladanka Aviroviq, z. Pançe Orcev, z.  Rexhail Ismaili dhe z.  Samka Ibraimoski.

Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për furnizime publike, ministri  Stavrevski theksoi se Ligji për furnizime publike zbatohet tashmë që gjashtë vite, por sistemi për furnizime publike dhe korniza e tij juridike duhet doemos të adaptohen në rrjedhat dhe zgjidhjet e reja të cilat zbatohen edhe në vendet evropiane. 

Ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të Ligjit bëhen në konsultime me bashkësinë afariste, e duke pasur parasysh interesin publik, rregullohen në mënyrë plotësuese disa çështje nga praktika që duhet të rezultojë me përforcimin e konkurrencës, lehtësimin e qasjes së ofertuesve në tregun për furnizime publike, parandalimin e keqpërdorimeve dhe ngjashëm. Futet profil i operatorit ekonomik në Sistemin elektronik për furnizime publike dhe hap plotësues për paraqitje të çmimit final te rastet në të cilat nuk mund të realizohet ankand elektronik standard për shkak të konkurrencës së pamjaftueshme.  Kjo alternativë e ankandit elektronik do të mundësojë përqindje të madhe të procedurave të përfunduara suksesshëm.

Risi paraqet edhe publikimi i detyrueshëm i dokumentacionit të tenderit në formë elektronike me ndalim për pagesë të kompensimit për ngritje, ndërsa pas ndryshimeve eventuale të dokumentacionit organi kontraktues do të duhet doemos ta vazhdojë afatin për paraqitjen e ofertave. Me atë do të mundësohet qasje më e lehtë në dokumentacionin e tenderit dhe do të zvogëlohen shpenzimet. 

Përjashtohen furnizimet të cilat organet kontraktuese i kryejnë nga subjekte të cilat janë të lidhura me to për shkak se nuk ka nevojë për zbatim të procedurës për ndarje të marrëveshjes subjekteve të jashtëm nëse organi kontraktues disponon me subjekt të tij i cili mund ta realizojë furnizimin me disa kushte kumulative që duhen përmbushur. 

Byroja për furnizime publike do të ketë kompetenca të reja (kontroll të publikimit të detyrueshëm të dokumentacionit të tenderit, administrim të listës së referencave negative), ndërsa precizohen në mënyrë plotësuese edhe aktet e brendshme gjatë organizimit të edukimit për furnizime publike. 

Që të parandalohen keqpërdorimet te marrëveshjet për furnizim të zgjidhjes softuerike, parashihet detyrim për marrje të pronësisë mbi kodin burimor të zgjidhjes softuerike nga ana e organit kontraktues, ndërsa në sektorin shëndetësor futet detyrim për shfrytëzimin e emrave gjenerik të barnave gjatë furnizimit të tyre. 

Rregullohet edhe çështja për pjesëmarrje të grupit ofertues. Përfshirja e dialogut teknik zgjerohet në gjithë dokumentacionin e tenderit dhe mundësohet e drejta e ankesës për këtë fazë. 

Precizohet në mënyrë plotësuese lëshimi i referencave negative me qëllim që operatorët ekonomikë t'i mbrojnë të drejtat e tyre dhe të shmangen çfarëdo lloj keqkuptimesh gjatë zbatimit të Ligjit. Në mënyrë eksplicite ndalohet grupimi i zërave në pjesën e furnizimit me të cilin kufizohet konkurrenca e ofertuesit të vetëm për të gjithë zërat në kuadër të pjesës, pavarësisht se a bëhet fjalë për furnizim të ndashëm ose të pandashëm. 

Praktikisht, risi është futja e mekanizmave të reja kontrolluese në fazat nga procedura të cilat në praktikën e deritanishme u treguan si më të nënshtrueshme ndaj dobësive ose parregullsive gjatë definimit të specifikimeve teknike dhe kritereve për përcaktimin e aftësive. 

Në atë kontekst përforcohet edhe pozita e Komisionit Shtetëror për Ankesa për Furnizime Publike me kompetenca të reja në sigurimin e ligjshmërisë në procedurën përmes pëlqimeve të cilat janë paraparë t'i lëshojë organ në kuadër të atij Komisioni Shtetëror. 

Në rastet kur definohen specifikimet teknike ose kriteret për përcaktimin e aftësive kufizohet në mënyrë të konsiderueshme qasja në procedurën në fjalë për ndarjen e marrëveshjes për furnizime publike. Gjegjësisht, personat profesionalë nga regjistri i paraparë elektronik do t'i ndihmojnë Komisionit gjatë vendimmarrjes. Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve u konkretizua edhe përgjegjësia penale për shkeljen e këtyre kushteve dhe rregullave në pajtim me kushtet nga Ligji.

Ne debatin morën pjesë deputetët: z. Marjanço Nikollov dhe z. Stojko Paunovski.

Në fund të debatit, Komisioni, me 11 vota "pro" dhe 1 "i përmbajtur" për Propozim-ligjin për shndërrimin e kërkesës së Republikës së Maqedonisë në bazë të tatimeve publike në depozitë të përhershme në shoqërinë Kombinati i Duhanit SHA Prilep dhe shtatë vota "pro" dhe katër "të përmbajtur" për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për furnizime publike, konkludoi se janë të pranueshme dhe se duhet të jepen në lexim të mëtutjeshëm.

Click