Aktivitetet



E hënë, 21 tetor 2013

MBLEDHJA E SHTATËDHJETENËNTË E KOMISIONIT PËR FINANCIM DHE BUXHET  

Komisioni për Financim dhe Buxhet i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në Mbledhjen e shtatëdhjetenëntë, të mbajtur më 18 tetor 2013, si trup punues amë shqyrtoi:

  1. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin personal mbi të ardhurat (leximi i parë); 
  2. Propozimin për llogarinë përfundimtare të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012; 
  3. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi pronë (leximi i parë); 
  4. Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shfrytëzimin dhe disponimin me sendet e organeve shtetërore (leximi i parë).

Propozim-ligjet i arsyetoi ministri i Financave, z. Zoran Stavreski.

- Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin personal mbi të ardhurat, ministri Stavreski theksoi se me Ligjin për tatimin personal mbi të ardhurat është futur tatimi personal mbi të ardhurat dhe është rregulluar mënyra e tatimimit të të ardhurave të qytetarëve. 

Tatimi personal mbi të ardhurat paguhet në nivel vjetor në bazë të shumës së të hyrave neto nga të gjitha burimet, përveç të hyrave që përjashtohen nga tatimimi me këtë ligj.

Qëllimi kryesor i ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara është mundësimi i qartësimit, saktësimit më të qartë dhe përpunimit të dispozitave të ligjit lidhur me  zbatimin e marrëveshjeve për shmangien e tatimimit të dyfishtë të lidhura nga Republika e Maqedonisë; bazën tatimore për përllogaritjen e tatimit personal mbi të ardhurat; llojet e të hyrave që lirohen nga tatimimi; mënyrën e përcaktimit të shumës së lirimit personal dhe shumës që pranohet gjatë përllogaritjes vjetore të tatimit; afatet për parashtrimin e kërkesave adekuate dhe raporteve vjetore; mënyrën e përllogaritjes dhe pagesës së paradhënieve nga ana e ushtruesve të veprimtarisë së mëvetësishme si dhe harmonizimin terminologjik të ligjit.

Në debatin morën pjesë deputetët: Stojko Paunovski, Samka Ibraimoski dhe Mile Andonov.
         
Komisioni me gjashtë vota "pro" dhe tri vota "kundër" konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

- Në arsyetimin e Propozim-llogarisë përfundimtare të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012, ministri Stavreski theksoi se Llogaria përfundimtare e pasqyron politikën fiskale e cila u realizua vitin e kaluar dhe shkallën e realizimit të politikave dhe masave të përcaktuara dhe njëkohësisht jep pasqyrë mbi qeverisjen e financave publike dhe shfrytëzimin e tyre nga shfrytëzuesit buxhetor.

Politika fiskale në vitin 2012 u realizua në kushte të ndikimit të zmadhuar të krizës debitore evropiane dhe faktorëve të jashtëm të paparashikueshëm. 

Megjithëse viti 2012 mund përgjithësisht të karakterizohet si vit fiskal tejet i vështirë, Republika e Maqedonisë arriti të mbajë pozitë relativisht të qëndrueshme fiskale, duke pasur parasysh objektivat e realizuara fiskale. 

Të hyrat e përgjithshme të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë u realizuan në shumë prej 138.112 milionë denarë dhe këto të hyra u dedikuan për financimin e shpenzimeve të realizuara në shumë prej 155.837 milionë denarë. Realizimi i të hyrave dhe shpenzimeve në shumat e cekura rezultoi me deficit në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë në shumë prej 17.725 milionë denarë ose 3.9% nga PBV-ja. 

Në debatin morën pjesë deputetët: Marjanço Nikollov, Stojko Paunovski, Bekim Fazliu dhe Mile Andonov.

Komisioni me tetë vota "pro" konkludoi t'i propozojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ta shqyrtojë dhe miratojë Llogarinë përfundimtare të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2012.

- Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi pronë, z. Stavreski theksoi se me këtë ligj mundësohet që caktimi i vlerës tregtare të pronës së patundshme të bëhet në pajtim me Metodologjinë për caktimin e vlerës tregtare të pronës së patundshme të miratuar në pajtim me Ligjin për vlerësim, ndërsa pushon së vlejturi Metodologjia për përcaktimin e vlerës tregtare të pronës së patundshme të miratuar në pajtim me Ligjin për tatimin mbi pronë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Me atë do të tejkalohen problemet e deritanishme që paraqiten në praktikë për shkak të ekzistimit paralel të të dyja metodologjive për përcaktimin e vlerës tregtare të pronës së patundshme.

Gjithashtu, përcaktohet dispozitë me të cilën rregullohet baza e tatimit të qarkullimit të pronës së patundshme në procedurë të ankandit publik, e zbatuar nga ana e organeve shtetërore dhe njësive të vetëqeverisjes lokale. 

Me këtë Propozim-ligj përcaktohet edhe lirimi nga detyrimet për pagesë të tatimit mbi qarkullim të patundshmërive në rast kur e drejta e pronësisë së patundshmërisë së caktuar u bartet organeve shtetërore, për inkasimin e kërkesave në procedurë falimentimi dhe lirim tatimor në rast kur konfiskohet prona e patundshme, ndërsa hiqet lirimi në rast të komasacionit. 

Me Ligjin definohet edhe ajo se cilat objekte fetare do të lirohen nga detyrime për pagesë të tatimit mbi pronë si dhe precizimi i nocionit objekte ekonomike në bujqësi. 

Në debatin mori pjesë deputeti Samka Ibraimoski. 

Komisioni me tetë vota "pro" dhe një votë "i përmbajtur" konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim te mëtutjeshëm.

- Lidhur me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shfrytëzim dhe disponim me sende të organeve shtetërore, ministri i Financave theksoi se është imponuar nevoja për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji në pjesën e procedurës për shitjen e sendeve të patundshme përmes ankandit publik, përkatësisht për rregullimin dhe precizimin plotësues të ligjit të cilat kanë të bëjnë me përcaktimin e çmimit fillestar të patundshmërisë, përkatësisht mënyrën e përcaktimit të tij. Në përputhje me atë parashihen edhe ndryshime lidhur me përcaktimin e çmimit fillestar gjatë shitjes së sendeve të tundshme që i shfrytëzojnë organet shtetërore. 

Me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit do të mundësohet pjesëmarrje e më shumë ofertueseve në procedurat për shitje përmes ankandit publik të sendeve të patundshme dhe të tundshme që i shfrytëzojnë organet shtetërore dhe të cilat janë lëndë e shitjes, me çmim fillestar racional.

Komisioni për Financim me tetë vota "pro" konkludoi se ky Propozim-ligj është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm.

Click