Aktivitetet



E martë, 15 tetor 2013, Budvë

NË SHEKULLIN 21 TË GJITHË SHOQËRITË JANË SHOQËRI TË DIVERSITETIT

Në kryesimin vjeshtor të Asamblesë parlamentare të OSBE-së, që mbahet nga 13 deri në 15 tetor 2013 në Budvë, Mali i Zi merr pjesë delegacioni i Kuvendit të Republikë së Maqedonisë në përbërje znj.Ana Pavllovska Daneva, shefe e Delegacionit në Asamblenë parlamentare të OSBE-së (AP e OSBE-së), z. Vlladimir Gjorçev dhe z.  Bekim Fazliu, anëtarë të Delegacionit. 

Në kuadër të Kryesimit vjeshtor u mbajt mbledhje e Komitetit të Përhershëm të AP të OSBE-së, Forumi mesdhetar me temë: "Mesdheu - unioni i civilizimeve", ndërsa Konferenca parlamentare me temë: "Zgjidhja e kërcënimeve transnacionale dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut: Roli i OSBE-së". 

Në sesionin e tretë të konferencës parlamentare, kushtuar integrimit të shoqërive me diversitete, fjalime hyrëse mbajtën: znj. Astrid Tors, komisare e lartë e OSBE-së për minoritete nacionale dhe znj. Gordana Çomiq, nënkryetare e Kuvendit të Republikë së Serbisë dhe referuese e Komisionit për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Çështje Humanitare të AP të OSBE-së. 

Në Debatin e konferencës parlamentare morën pjesë dhjetëra deputetë ndër të cilët edhe z. Vlladimir Gjorçev, anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë parlamentare të OSBE-së. Në fjalimin e tij, z. Gjorçev theksoi se në shekullin 21 të gjithë shoqëritë janë shoqëri të diversitetit, duke shtuar se Republika e Maqedonisë është vend në të cilin tërësisht respektohen të drejtat e bazuara në dokumentet themelore të KB-së, OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe institucioneve tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, z. Gjorçev nënvizoi se në një numër të madh vendesh nuk respektohen ato të drejta, përfshirë edhe të drejtat e minoriteteve maqedonase në shumë shtete.

Asamblenë parlamentare të OSBE-së e përbejnë 323 parlamentarë nga 57 vende të Evropës, Azisë Qendrore dhe Amerikës Veriore. Kuvendi siguron forum për diplomacinë parlamentare, mbikëqyrje të zgjedhjeve dhe përforcim të bashkëpunimit ndërkombëtar për përmbushjen e angazhimeve lidhur me çështjet politike, çështjet e sigurisë, çështjet ekonomike, çështjet për të drejtat e njeriut dhe mjedisin jetësor.

Click