Aktivitetet



E enjte, 20 qershor 2013, Bruksel

PJESËMARRJA E DEPUTETIT ILIJA DIMOVSKI NË MBLEDHJEN E NËNKOMITETIT PËR TË DREJTAT E NJERIUT DHE NË KONFERENCËN E DYTË PËR LIRITË E TË SHPREHURIT DHE MEDIAT NË BALLKANIN PERËNDIMOR DHE TURQI

Më 19 qershor, në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel, u mbajt mbledhje e Nënkomitetit për të Drejtat e Njeriut ku u këmbyen mendime për aspektin ligjor të lirisë së mediave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Me Nënkomitetin kryesoi  deputeti në Parlamentin Evropian, znj.Barbara Loçbiler. 

Kuvendin e Republikës së Maqedonisë e përfaqësoi deputeti z.  Ilija Dimovski, i cili në fjalimin e tij i theksoi arritjet e vendit në sferën e dekriminalizimit të shpifjes përmes miratimit të Ligjit për përgjegjësi civile për shpifje dhe ofendime dhe ndryshimeve të Kodit Penal. Numrin e procedurave të ndërprera penale e theksoi si dëshmi për implementimin e rregullativës së re dhe e shprehu pritjen e tij se pas debatit të gjatë publik për Draft-ligjin për mediat dhe shërbimet audiovizuale, në bashkëpunim me mediat, organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë palët e prekur do të miratohet ligj i cili në mënyrë plotësuese do ta garantojë lirinë e të shprehurit dhe pozitën e mediave.

Raportuesi për Republikën e Maqedonisë në Parlamentin Evropian, z. Riçard Hovit, duke i përshëndetur përpjekjet të cilat i bën vendi, temën e vlerësoi si të rëndësishme për të gjitha vendet nga rajoni, ndërsa dialogun ndërmjet organeve dhe mediave si kusht për përgatitjen e suksesshme dhe implementimin e rregullativave. 

Përveç deputetëve nga parlamentet nacionale dhe anëtarëve të Nënkomitetit, në mbledhjen mori pjesë edhe raportuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e mediave, z. Gvozdan Flego, drejtori i përgjithshëm i Bashkimit Evropian për Servis Publik, znj.Ingrid Deltenre dhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, z.Dragan Sekullovski.

Pas ngjarjes, z. Dimovski realizoi takime joformale me z. Hovit dhe komisari evropian për zgjerim, z. Shtefan Fyle, ku u diskutua për gjendjen aktuale në Republikën e Maqedonisë.  

Sot deputeti ishte i pranishëm në konferencën e dytë për liritë e të shprehurit dhe mediave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, "në organizim të Komisionit Evropian. 

Në hapjen e Konferencës, z. Shtefan Fyle, duke folur për gjendjen në Turqi theksoi se liria e të shprehurit në një vend si vlerë fundamentale është indikator për gjendjen e demokracisë në shoqëri, ndërsa standardet për liri të mediave dhe të të shprehurit duhet të vlejnë, si për vendet-kandidate për anëtarësim, ashtu edhe për vendet-anëtare të BE-së.  

Eurodeputeti z. Eduard Kukan e theksoi rolin e parlamenteve dhe rolin e tyre mbikëqyrëse në zbatimin real të ligjeve për mediat. 

Është paraparë që nga Konferenca të dalin konkluzione për avancim të ardhshëm të lirisë së mediave në vendin nga rajoni. 
 

Click