Aktivitetet



E hënë, 25 mars 2013, Sarajevë, Bosnja dhe Hercegovina

ROLI I KOMISIONEVE PËR ÇËSHTJE EVROPIANE LIDHUR ME REALIZIMIN E KRITEREVE PËR ANËTARËSIMIN NË BASHKIMIN EVROPIAN

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z.Hajrulla Misini mori pjesë në Konferencën e shtatë të komisioneve parlamentare për çështje evropiane të vendeve të cilat marrin pjesë në Procesin për Stabilizim dhe Asociim të Evropës Juglindore (KOSAP), që u mbajt në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë.

Pjesëmarrësit në konferencën diskutuan dhe debatuan për Rezolutën e Parlamentit Evropian lidhur me zgjerimin e BE-së. Temë në konferencën ishin edhe interesat strategjike të vendeve nga rajoni në lidhje me zgjerimin e BE-së, si dhe roli i komisioneve për çështje evropiane për realizimin e kritereve për anëtarësim në BE, gjithashtu u zhvillua debat edhe rreth konceptit të ri të IPA-2.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, z.Misini ishte moderator në sesionin lidhur me Fuqinë transformuese të procesit eurointegrues-përvoja pozitive dhe zbatimi i tyre në shtetet e rajonit. Ai theksoi se cilado analizë e shkaqeve për integrimin e Republikës së Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë në Bashkimin Evropian në aspekt historik, gjeografik, politik, ekonomik, kulturor, në fund do të rezultojë me një konkluzion identik se ne jemi pjesë e Evropës dhe do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian. Qëllimet themelore të integrimit të shteteve tona mund të definohen në drejtim të zhvillimit të sistemit politik demokratik dhe avancimit të ekonomisë së tregut, përshpejtimit të zhvillimit social dhe ekonomik, përforcimit dhe thellimit të bashkëpunimit me vendet-anëtare të BE-së, konsolidimit të pozicioneve tona në plan ndërkombëtar dhe promovimit të identiteteve nacionale si vende paqedashëse të orientuara plotësisht drejt proceseve integruese.

Kryetari i komisionit, z.Misini ngriti iniciativë për inkuadrimin e Kosovës dhe Turqisë në KOSAP si vende-pjesëmarrëse të barabarta në Procesin për Stabilizim dhe Asociim të Evropës Juglindore. Pjesëmarrësit në konferencë ranë dakord që iniciativa e tillë të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të KOSAP-it që do të mbahet në Shkup.

Konferenca përfundoi me miratimin e Deklaratës së përbashkët, e cila u miratua njëzëri nga ana e të gjithë vendeve-pjesëmarrëse.

Click