Aktivitetet



E mërkurë, 16 tetor 2013

TAKIMI I KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EVROPIANE ME NËNKRYETARIN VENDERLIH

Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, sot u takua me nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Polonisë, z. Jezhi Venderlih. 

Në takimin përveç kryetarit të Komisionit, z. Hajrulla Misini ishin të pranishëm edhe anëtarët: znj. Sillvana Boneva, z. Pavlle Trajanov, z. Mile Paqemski, z. Jani Makraduli, z. Gordian Georgiev, z. Antonio Milloshoski, znj. Vlladanka Aviroviq.

Në fjalimin e tij hyrës, kryetari Misini shprehu kënaqësi për vizitën e shtetit tonë, pikërisht në momentin kur u publikua Raporti vjetor për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2013. Ai theksoi se për ne është e rëndësishme përkrahja që na i jep Polonia për integrimet euroatlantike, si vend anëtar i BE-së, mik i yni, por edhe luftëtar për politikën e dyerve të hapura në strukturat euroatlantike.

Nënkryetari Venderlih shprehu kënaqësi nga takimi si dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet të dyja shteteve, njëkohësisht shfaqi përkrahje ndaj Maqedonisë dhe krenarisë së saj nacionale në procesin e integrimit në BE.

Ai para të pranishmëve i ndau përvojat e Polonisë në rrugën drejt BE-së gjatë tejkalimit të problemeve me Gjermaninë dhe Ukrainë, duke theksuar kompromisin si një prej zgjidhjeve më të mira potenciale, por të ketë kompromis nga të dyja palët.  Njëkohësisht, bëri thirrje që opozita dhe pakicat etnike në Maqedonisë të përfshihen në proceset euroatlantike.

Edhe të pranishmit theksuan se ky është rekomandimi i pestë me radhë i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por çështja e emrit edhe më tutje mbetet pengesë për hapjen negociatave.

Gjithashtu shprehën keqardhje për mosrespektimin e Marrëveshjes së përkohshme bilaterale të vitit 1995 me të cilën Greqia u obligua që mos ta bllokojë anëtarësimin maqedonas në organizatat ndërkombëtare, si dhe për mosrespektimin e Vendimit të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë.

Në fund u theksua se gjithmonë ka pasur dhe do të ketë dallime në të gjitha nivelet, por ajo që na bashkon janë prioritetet e politikave të jashtme të shtetit dhe qëllimet e shprehura qartazi që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s.

Click