Aktivitetet



E hënë, 7 tetor 2013

U MBAJT VAZHDIMI I TRETË I MBLEDHJES SË 42-TË TË KOMISIONIT PËR ÇËSHTJE EVROPIANE

Komisioni për Çështje Evropiane sot e mbajti vazhdimin e tretë të mbledhjes së 42-të, dedikuar debatit mbikëqyrës me temë: "Shfrytëzimi i fondeve nga instrumenti për ndihmë paraaderuese - IPA në Republikën e Maqedonisë" për IPA komponentin II - Bashkëpunim tejkufitar.

Në këtë vazhdim deklaratë gojore dha ministri i Drejtësisë, z. Blerim Bexheti, si dhe kryetarët e komunave të:  Kriva Pallankës, z. Arsenço Aleksovski, Strumicës, z.  Zoran Zaev, Gjevgelisë, z. Ivan Frangov, Shtipit, z. Ilço Zahariev, Koçanit, z. Ratko Dimitrovski, si dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, z.  Menderes Kuçi.

Ministri Bexheti informoi për shfrytëzimin e IPA komponentit I, përkatësisht për mjetet e shfrytëzuara lidhur me ndihmën në periudhën e transicionit dhe ndërtimit të institucioneve në Ministrinë e Drejtësisë. 

Kryetarët e komunave dhanë përgjigje për pyetjet e parashtruara lidhur me shkallën e projekteve të realizuara, me ç'rast deputetët u informuan për ndërtimin e impianteve të filtrimit, shkollave, objekteve energjetike dhe objekteve tjera, të cilat u realizuan përmes bashkëpunimit tejkufitar me qytetet fqinje, e të cilat janë në funksion të përmirësimit të jetës dhe kushteve në komunat në Republikën e Maqedonisë. Në lidhje me projektet e realizuara, por edhe me projektet e parealizuara, kryetarët e komunave informuan për përparësitë dhe dobësitë e komunave të tyre, me ç'rast theksi kryesor për përvojat pozitive, përkatësisht negative në shfrytëzimin e IPA mjeteve, u vendos në kapacitetet administrative të komunave, si parakusht i rëndësishëm për përfundimin e suksesshëm të IPA projekteve.

Gjithashtu, u theksua edhe çasti i postmonitorimit nga Bashkimi Evropian, për shkak të mundësisë, nëse konstatohet parregullsi e caktuar në shfrytëzimin e këtyre mjeteve, të pasojë dënim i cili parasheh që komuna prej dy deri në pesë vite të mos mund të aplikojë për IPA projektet.

Kryetari i Odes Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, z. Kuçi dëshmoi në aspekt të komunitetit të biznesit, me ç'rast theksoi se biznesmenët duhet të aplikojnë për shfrytëzimin e IPA mjeteve, për shkak të volitshmërive që ofrohen nga Bashkimi Evropian, dhe politika nuk duhet të ketë kurrfarë ndikimi.

Click