Aktivitetet

E martë, 31 maj 2016, Bruksel 

Familjet politike evropiane kanë rol pozitiv në procesin e anëtarësimit në BE 

Më 30 dhe 31 maj në Bruksel mbahet Konferenca ndërparlamentare për bashkëveprim të grupeve politike, partive dhe Qeverisë në procesin e anëtarësimit në BE, në të cilën marrin pjesë deputetët nga Parlamenti Evropian dhe deputetët nga vendet aspirante për BE. Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në atë eveniment e përfaqësojnë deputetët:  Sasho Vasilevski, Lidija Dimova, Talat Xhaferi dhe Imer Aliu. 

Dita e parë e Konferencës iu kushtua zhvillimit të partive politike, rolit të familjeve politike në dinamikën partiake dhe partive politike në Parlamentet, përkatësisht rolit të shumicës qeveritare dhe opozitës si dhe përvojës së opozitës konstruktive. 

Në lidhje me partitë politike, u theksua se në Evropë partitë tradicionale e humbin mbështetjen e tyre dhe për llogari të tyre gjithnjë më shumë marrin mbështetje partitë populiste dhe radikale. 

Trend i dukshëm në disa vende evropiane është paraqitja e disa partive të reja para zgjedhjeve që arrijnë të fitojnë vende në Parlamentet, por më pas e humbin shpejt mbështetjen e qytetarëve për shkak të mosekzistimit të identitetit të qartë ose strukturës partiake. 

Në debat u potencua roli pozitiv i familjeve politike evropiane në procesin e anëtarësimit, veçanërisht që ato gjithmonë kanë pasur qëndrim pozitiv në zgjerimin e BE-së. 

Partitë politike bëhen anëtare të familjeve partiake të përfaqësuara në Parlamentin Evropian para se shtetet e tyre të bëhen anëtare të BE-së dhe me atë fitojnë përvoja për funksionimin e partive në kuadër të BE-së, ndërsa njëkohësisht sigurojnë mbështetje për shtetet e tyre. 

Partitë politike evropiane kanë rol shumë aktiv dhe bashkëpunim intensiv me partitë simotra nga vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili shpesh përfshin ndërtimin e kapaciteteve në formë të trajnimit për udhëheqje, për rininë, femrat etj. Familjet partiake evropiane gjithmonë kanë pasur qëndrim pozitiv ndaj zgjerimit dhe atë e kanë demonstruar përmes rolit të tyre aktiv dhe mbështetjes së vazhdueshme. 

Në temën për rolin e partive qeveritare dhe opozitës në Parlamentet, u theksua se demokracia e përfshin të drejtën e opozitës politike për të ushtruar kontroll. Konflikti kanalizohet në Parlament, ndërsa opozita ndikon mbi përmirësimin e punës së Qeverisë.  

Në shoqëritë demokratike, ekzistimi i alternativës së Qeverisë i motivon qytetarët që të përfshihen në proceset demokratike. Në diskutimet që vijuan, deputetët nga vendet kandidate për anëtarësim shprehën shqetësim për rritjen e vazhdueshme të kërkesave për anëtarësim, gjë që shkakton frustrim dhe zvogëlim të mbështetjes së qytetarëve për anëtarësim në BE. Gjithashtu, u përfshinë edhe temat aktuale, si liberalizimi i vizave për Turqinë dhe Kosovën, si dhe problemi me refugjatët, ku disa herë u përshëndetën përpjekjet që i bën Republika e Maqedonisë në ballafaqimin me këtë problem serioz. 

Në ditën e dytë të Konferencës u debatua për transparencën dhe përgjegjësinë e parlamenteve dhe kontrollin e tyre dhe mbështetjen për qeveritë. 

U prezantua edhe funksionimi i Parlamentit Evropian.  Megjithëse posedon fuqi të plotë legjislative, PE-ja nuk parashtron iniciativa për ligje, duke ia lënë atë funksion Komisionit Evropian. Në procesin e vendimmarrjes, Komisioni Evropian realizon dy faza dhe atë: realizon konsultime të gjera me të gjitha palët e prekura para se të iniciojë zgjidhje ligjore dhe kryen evaluim të ndikimit të politikave të reja. Transparenca dhe qasja në informatat e rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve dhe i zvogëlojnë mundësitë për keqpërdorim të pushtetit. 

Gjithashtu, u theksua nevoja për mbrojtje të a.q. denoncuesve në njoftimin për të gjitha keqpërdorimet dhe parregullsitë. Gjatë debatit u prezantua përvoja e Kroacisë në procesin e aderimit në BE, me ç'rast si çështje kryesore për procesin ka qenë konsensusi i arritur në Parlamentin Evropian. 

Click