Aktivitetet

E enjte, 29 tetor 2015 

FJALIMI I KRYETARIT VELJANOSKI ME RASTIN E 70 VJETORIT TË THEMELIMIT TË GJYKATËS SUPREME TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË 

Zonjë e nderuar kryetare e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë, 
Gjykatës të nderuar, 
Ministër i nderuar i Drejtësisë, 
Zonja dhe zotërinj, 

Filozofi i njohur romak Ciceroni ka thënë "DREJTËSIA ËSHTË MË E SHTRENJTË SE ÇDO ARI". E përmenda këtë mendim të Ciceronit për një arsye të thjeshtë, e kjo është se Gjykata supreme e Republikës së Maqedonisë është në kulmin e piramidës gjyqësore në vendin tonë që kujdeset për të siguruar drejtësi në pushtetin gjyqësor dhe bashkërisht, por njëkohësisht, në mënyrë të pavarur, me pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, paraqesin tre shtylla mbi të cilat bazohet shteti dhe sundimi i së drejtës. 

Të nderuar, 

Para shtatëdhjetë vitesh, KAÇKM-i e miratoi vendimin për formimin e pushtetit gjyqësor, e në ato korniza edhe për formimin e Gjykatës Supreme si instancë më e lartë gjyqësore në Republikën Popullore të Maqedonisë, e cila ishte njësi federale në kuadër të Jugosllavisë. 

Pas pavarësisë së Republikës së Maqedonisë në sistemin gjyqësor të shtetit, të inauguruar me Kushtetutën e vitit 1991, Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë kishte dy funksione kryesore: 

Së pari ajo është gjykata më e lartë në shtetin dhe së dyti, të sigurojë unitet në zbatimin e ligjeve nga ana e gjykatësve. 

Kjo pozitë dhe ky rol i Gjykatës Supreme ka bazë sidomos në tre vlera themelore të rendit kushtetues të rëndësishme për funksionimin e sistemit të pushtetit. Këto janë: 

1. Avancimi dhe mbrojtja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe qytetarit të njohura në të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë. 2. Parimi i sundimit të së drejtës, 3. Parimi i ndarjes së pushtetit shtetëror në pushtet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. 

Gjyqësia e Republikës së Maqedonisë në krye me Gjykatën Supreme është shtylla kryesore e sigurimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut dhe e realizimit të parimit të sundimit të së drejtës të cilat janë karakteristika themelore të çdo shteti juridik bashkëkohor dhe demokratik. 

Nga këto postulate themelore të sistemit kushtetues dhe gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, përcaktohet edhe funksioni dhe pozita e Gjykatës Supreme. 

Funksionin e vet për të siguruar unitet në zbatimin e ligjeve nga ana e gjykatësve, Gjykata Supreme e realizon përmes miratimit të qëndrimeve parimore dhe mendimeve juridike parimore të cilat janë të detyrueshme për këshillat e Gjykatës Supreme dhe ndikojnë mbi gjykatat më të ulëta në avancimin e praktikës gjyqësore dhe zbatimin e harmonizuar të ligjeve nga të gjithë gjykatat.  Në realizimin e këtij funksioni me rëndësi të veçantë është njësia PËRMBLEDHJE E VENDIMEVE GJYQËSORE të cilën çdo vit e lëshon Gjykata Supreme dhe Revista gjyqësore të cilën e lëshon çdo muaj Shoqata e Gjykatësve.  Besoj se çdo gjykatës, avokat, prokuror, përkatësisht çdo jurist, bile edhe çdo absolvent në Fakultetin Juridik, rregullisht i ndjek këto njësi dhe në atë mënyrë e pasuron diturinë e vet dhe detyrat e punës i kryen në mënyrë shumë më cilësore. 

Gjithë këtë e përmendim për shkak që sot kur shënojmë shtatëdhjetë vjetorin e vendosjes së pushtetit gjyqësor në Republikën e Maqedonisë, ne kemi pushtet gjyqësor kushtetues dh ligjor, e në instancën më të lartë gjendet Gjykata Supreme, e cila është e organizuar dhe punon sipas principeve dhe standardeve që sundojnë në Evropë demokratike. 

Pushteti gjyqësor mund t'u përgjigjet të gjitha sfidave që vijnë nga procesi i globalizimit botëror, si dhe t'i inkorporojë arritjet teorike dhe praktike të shkencës juridike.  Kjo është veçanërisht e rëndësishme për dimensionin e parë, përkatësisht për funksionin e Gjykatës Supreme, e kjo është mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut.  Megjithatë, gjithashtu, është i rëndësishëm edhe roli i Gjykatës Supreme kur bëhet fjalë për krijimin e politikës gjyqësore, veçanërisht për ato vepra të rënda penale, siç është për shembull krimi i organizuar, terrorizmi, si dhe vepra tjera që e rrezikojnë stabilitetin jo vetëm të një shteti të caktuar ose rajoni të caktuar, por edhe të paqes dhe sigurisë botërore. 

Zonja dhe zotërinj, 

Jetojmë, të themi, në një periudhë të stuhishme, në të cilën, fatkeqësisht, na ndodh krijimi i organizuar i mosbesimit në të gjitha institucionet, e veçanërisht në lidhje me pushtetin gjyqësor, pjesa kryesore e të cilit gjithsesi është Gjykata Supreme. Dëshiroj të kuptohem qartë. 

Kritika e cila bazohet në argumente, bile ndonjëherë edhe në mendim subjektiv, përkatësisht perceptim, e nevojitet dhe duhet ta pranojmë edhe nxitje për zhvillim të mëtutjeshëm dhe cilësi më të madhe në punën tonë. 

Megjithatë, prishja e mirëbesimit në institucionet, e veçanërisht në pushtetin gjyqësor, siç ishte ajo deklarata e pafat e liderit partiak se nuk e pranon gjykatën, paraqet prishje e vetëdijshme e shtyllave të Maqedonisë demokratike. 

E fundit është aq më e rëndësishme saqë raporti i tillë me pushtetin gjyqësor, jam i bindur se nuk është në dobi të atyre që e krijojnë atmosferën e tillë antidemokratike.  Nga ana tjetër, në këtë pjesë, dëshiroj qartë të nënvizoj se pushteti gjyqësor, e kjo ka të bëjë edhe me dy degat tjera të pushtetit - pushteti legjislativ dhe ekzekutiv, doemos duhet të punojnë maksimalisht në mënyrë transparente në dobi të qytetarëve, e jo në dobi të disa interesave parciale pas të cilave qëndrojnë rrethet e ngushta. 

Nuk duhet të përkujtoj se perëndesha e drejtësisë Justicia është paraqitur si zonjë me sy të lidhura me shpatë në njërën dorë dhe peshore në dorën tjetër. Me një fjalë, simbole të cilat tregojnë qartë se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe gjykatës. 

Te dashur miq, 

Të gjithë kemi përgjegjësi për gjestet dhe veprat që i bëjmë. Kjo vlen si për pushtetin legjislativ, ashtu edhe për atë ekzekutiv, si dhe për ju përfaqësues të pushtetit gjyqësor. 

Në këtë kontekst, e barabartë është përgjegjësia edhe në segmentet tjera të shoqërisë sonë, përkatësisht e opozitës, sektorit civil, mediave etj.  Kemi për obligim që këtë mozaik demokratik maqedonas ta ndërtojmë dhe ripërtërijmë me vëmendje. Diçka që është ndërtuar me dekada, duhet të mbindërtohet e jo të rrënohet.  Konsideroj se është koha më që të pushojnë këto procese të prishjes së mozaikut demokratik maqedonas që të mund të vazhdojmë ta zhvillojmë Maqedoninë si shtet i të gjithë qytetarëve. 

Me këtë porosi, më lejoni, që në fund, edhe njëherë t'ua uroj jubileun dhe t'ju dëshiroj edhe në të ardhmen zhvillim i mëtutjeshëm në realizimin e rolit dhe obligimeve tona që dalin nga Kushtetuta dhe Ligjet e Republikës së Maqedonisë. Përkatësisht, të mos lejojmë që forca ta varrosë të drejtën. Të krijojmë dhe t'i zhvillojmë kushtet që DREJTËSIA DHE BARAZIA TË JENË BAZË E SUNDIMIT, siç kanë thënë romakët antikë. 

Ju faleminderit për vëmendjen. 
Click