Aktivitetet

E mërkurë, 20 maj 2015 

Fjalimi i kryetarit Veljanoski në hapjen e Komitetit Parlamentar të DP të IEQ

Zonja dhe zotërinj,

Kolegë të nderuar deputetë, anëtarë të delegacioneve, 

Kam nderin të mbaj fjalim para jush në fillim të sesionit të Komitetit Parlamentar në kuadër të Dimensionit Parlamentar të Iniciativës së Evropës Qendrore e cila është një nga organizatat më të vjetra rajonale të Evropës. Sot Iniciativa e Evropës Qendrore përbëhet prej 18 shtetesh, nga të cilat dhjetë janë të Bashkimit Evropian. 

Republika e Maqedonisë është anëtare e plotfuqishme e Iniciativës së Evropës Qendrore nga viti 1993, ndërsa këtë vit kryeson për së dyti herë, që gjithsesi është nder, por edhe obligim që gjatë kryesimit tonë t'i realizojmë të gjitha qëllimet dhe rezultatet e përcaktuara, që dalin nga vetë kuptimi dhe qëllimi i Iniciativës së Evropës Qendrore. 

Kur flasim për qëllimin e kësaj organizate më të vjetër rajonale evropiane, e cila që nga fillimi, kur në Evropë ende ekzistonte formalisht ndarja në blloqe dhe ndarja ideologjike, IEQ i afirmonte vlerat themelore në të cilat bazohet Bashkimi Evropian, e njëkohësisht që atëherë shumë qartë ishte për bashkëpunim rajonal në të gjitha sferat dhe duke i përfshirë të gjitha reformat dhe nivelet për të realizuar integrim të të gjithë rajonit në asociacionet euroatlantike, përkatësisht në Bashkimin Evropian dhe NATO. 

Të nderuar miq, 

Republika e Maqedonisë që nga pavarësimi, e gjer më sot, shumë qartë i artikulon dhe punon në realizimin e qëllimeve të saj strategjike, e kjo është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Fatkeqësisht, megjithëse në vitin 2008 në samitin e NATO-s në Bukuresht duhej që bashkërisht me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kroacisë të bëhemi anëtar të plotfuqishëm të NATO-s, për shkak të kontestit absurd me emrin tonë kushtetues, fqinji ynë jugor, duke e keqpërdorur të drejtën e vetos, e bllokoi pranimin tonë. Në kuadër të Bashkimit Evropian, gjashtë vite me radhë marrim rekomandim nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave, por përsëri me bllokadë të fqinjit tonë jugor, nuk ka datë për negociata.  Në ndërkohë, gjykata ndërkombëtare në Hagë miratoi aktgjykim në të cilin në mënyrë shumë decide dhe të qartë shkruan se Greqia nuk ka të drejtë t'i bllokojë integrimet euroatlantike të Maqedonisë dhe se me këtë Greqia shkel disa marrëveshje ndërkombëtare dhe principet themelore mbi të cilat bazohet e drejta ndërkombëtare, por edhe principet mbi të cilat është formuar Bashkimi Evropian dhe NATO-ja.  Besoni se gjithë kjo është tejet irrituese dhe ka pasoja negative, jo vetëm për gjendjet te ne, por edhe më gjerë në rajon. 

Sa u përket gjendjeve në Republikën e Maqedonisë, është fakt se kriza aktuale bazohet para se gjithash në mungesën e vullnetit politik te disa elita politike, të cilat tashmë një vit nuk e respektojnë vullnetin e popullit, të shprehur në zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare nga viti i kaluar dhe e bojkotojnë Parlamentin. Jam i bindur se atë e bëjnë në dëm të tyre, por edhe në dëm të shtetit, sepse pikërisht Parlamenti është institucioni i vetëm ku mund të artikulohen më së miri programet, interesat dhe qëndrimet e çdo partie politike dhe votuesve që qëndrojnë pas tyre.  Megjithatë, siç përmenda, statusi ynë i ngrirë që shtatë vite në proceset e integrimeve euroatlantike, ndikon negativisht mbi krizën aktuale. Por, un jam i bindur se arsyeja do të fitojë dhe se me ndihmë, më saktësisht me ndërmjetësim të miqve tanë të komunitetit ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian, kriza do të tejkalohet, gjë që është në dobi të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, por edhe në dobi të paqes dhe stabilitetit në rajon. 

Zonja dhe zotërinj, 

Pavarësisht gjithë kësaj, Maqedonia në periudhën e kaluar, si anëtare e IQE, ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe atë në të gjitha nivelet dhe sferat. Rezultatet janë të dukshme. Sot, Republika e Maqedonisë ka bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha shtetet nga rajoni, përveç me fqinjin tonë jugor, por edhe këtu tashmë është thyer akulli dhe kemi disa rezultate fillestare, siç është ekologjia, por edhe sfera tjera. Njëkohësisht, Maqedonia dëshiron t'i afirmojë përparësitë që ne si rajon i kemi nga bujqësia, dhe deri te trashëgimia kulturore, si pjesë e civilizimit evropian dhe botëror. 

Gjatë kryesimit me IEQ, e duke u nisur nga fakti se me miratimin e Strategjisë makrorajonale të detit Adriatik dhe Jon, në rajonin e IEQ do të shfrytëzohen fondet strukturore të Bashkimit Evropian nga tre strategji makrorajonale - Deti Baltik, Danubi, strategjia e detit Adriatik dhe Jon. Maqedonia, përveç Kosovës, është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili nuk është përfshirë në Danubin dhe Strategjinë e detit Adriatik dhe Jon, që kanë të bëjnë me këtë rajon. 

Kryesimi do të shfrytëzohet për hapjen e mundësive që fondet strukturore të shfrytëzohen nga të gjitha vendet më të interesuara, ndërsa çështja do të ndërpritet edhe në kontakt me strukturat tjera rajonale. Në ato korniza, rëndësi të veçantë gjatë kryesimit maqedonas, do t'i jepet lidhjes infrastrukturore (transportuese, energjetike etj), duke afirmuar Maqedoninë si udhëkryq i dy korridoreve më të rëndësishme në rajon - dhjet dhe tetë. Më tutje, parashihet mbajtje të forumit të biznesit dhe seri aktivitetesh tjera për të cilat bartës janë institucionet adekuate te ne, gjithsesi në koordinim me sekretariatin e përgjithshëm të IEQ dhe Plani i miratuar për aktivitete 2014-2016". 

Kolegë të nderuar, 

Mendimi im modest është se për realizimin e të gjithë këtyre aktiviteteve, pa dallim se cilat janë bartësit, rol të madh kanë pikërisht parlamentet nacionale, përkatësisht Dimensioni parlamentar në kuadër të IEQ. Si parlamente dhe si deputetë, përveç funksionit legjislativ, kemi edhe funksion mbikëqyrës mbi pushtetin ekzekutiv.  Andaj, besoj se kolegët deputetë anëtarë të delegacioneve nacionale në të gjitha parlamentet nacionale aktivisht do ta ndjekin realizimin e aktiviteteve dhe qëllimeve për të cilat është rënë në ujdi. Besoj se vetëm kështu do të vërtetohet se IEQ si organizatë më e vjetër rajonale, nuk e ka humbur frymën e vet, angazhimin e vet permanent për paqe, stabilitet dhe mirëqenie, jo vetëm për qytetarët në rajon, por edhe në Evropë dhe më gjerë. Me këtë mendim më lejoni që në fund t'ju dëshiroj punë të suksesshme, miqve tanë qëndrim të këndshëm dhe shpresoj të shihemi në takimin e ardhshëm kur do të mbahet Asambleja Parlamentare. 

Ju faleminderit për vëmendjen. 

Click