Aktivitetet

E hënë, 18 maj 2015, Budapest

Fjalimi i kryetarit Veljanoski në Sesionin e pranverës të Asamblesë Parlamentare të NATO-s 

Të nderuar zonja dhe zotëri, 
Të dashur miq, 

Në fillim, më lejoni ta shpreh kënaqësinë për mundësinë e dhënë për të mbajtur fjalim në këtë mbledhje të rëndësishme. 
Ky konstatim është shumë i rëndësishëm sepse bëhet fjalë për një ngjarje me të cilën dimensioni parlamentar do të përforcohet ende më shumë, e pa të cilin NATO-ja nuk do të kishte qenë siç është tani. 
Maqedonia si demokraci parlamentare me perspektivë të qartë evropiane dhe euroatlantike i drejtohet çdo miku duke e afirmuar të vërtetën, nevojat dhe pritjet e saj. 
Të nderuar kolegë, 
Që në kohërat e hershme e deri më tani, aleancat janë lidhur që të realizohen interesa të përbashkëta të pjesëmarrësve në to. 
Ato janë formuar dhe formohen që të arrihet qëllim i përbashkët nga i cili dobi do të kenë të gjitha palët e përfshirë në aleancën. 
Megjithatë, për një periudhë po aq të njëjtë është e qartë se për dallim nga aleancat e zakonshme, aleancat e qëndrueshme, përveç interesit dhe pritjeve të përbashkëta, bazohen edhe në vlerat. Vlerat që i promovojmë janë plani dhe programi ynë për veprim. 
Duke u nisur nga kjo bazë, sot mund lirisht dhe me krenari të themi se NATO-ja si aleancë ushtarake dhe politike është aleanca më e suksesshme në historinë e deritanishme botërore. Kjo aleancë është e qëndrueshme për shkak të pranimit universal të vlerave si demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i të drejtës nga ana e të gjitha vendeve anëtare të aleancës.  
Bashkëpunimi dhe solidariteti janë vlerat nga të cilat është ndërtuar thelbi i kësaj Aleance. 
Duke inkurajuar konsultime për çështjet e sigurisë të vendeve anëtare, NATO-ja padyshim është organizatë e cila formon mirëbesim. Në këtë kuptim, jo rastësisht, në Marrëveshjen jubilare të Uashingtonit nga viti 1999 shumë qartë ceket se: (CITOJ) "GJATË PERIUDHËS 40 VJEÇARE TË LUFTËS SË FTOHTË NATO-ja ARRIN TA SIGUROJË LIRINË E VENDVEVE TË SAJ ANËTARE... SOT, ALEANCA KA NJË ROL TË RËNDËSISHËM QË T'I KONSOLIDOJË DHE RUAJË NDRYSHIMET POZITIVE NGA E KALUARA E AFËRT DHE TË BALLAFAQOHET ME SIFDAT E SIGURISË AKTUALE DHE TË ARDHSHME... AJO DOEMOS DUHET T'I RUAJË INTERESAT E PËRBASHKËTA TË SIGURISË NË NJË MJEDIS I CILI EVOLUON VAZHDIMISHT, SHPESH NË MËNYRË TË PAPARASHIKUESHME."  (CITAT I MBYLLUR) 

Të dashur miq, 

Në periudhën e ndryshimeve globale, në periudhën e testimit të vullnetit nga ana e forcave botërore, në periudhë kur vizioni për një Evropë paqësore, të lirë dhe të plotë është nën kërcënim, relativiteti i NATO-s është padyshim i madh dhe i rëndësishëm, në këtë kuptim, ende më shumë fiton në peshë edhe karakteristika themelore e Aleancës - e ajo është politika e "dyerve të hapura". 
Republika e Maqedonisë mbetet fuqimisht e përkushtuar në rrugën e saj dydekadëshe euroatlantike, vazhdimisht duke i mbështetur misionet e Aleancës dhe duke i përmbushur me përkushtim të gjitha kriteret për anëtarësim në të. 
Republika e Maqedonisë vazhdimisht dëshmon se e meriton vendin e saj në mesin e të barabartëve. 
Njëkohësisht, edhe NATO-ja si Aleancë e demokracisë duhet ta kuptojë rëndësinë dhe nevojën e zgjerimit të saj. 
Me zgjerimin e mëtutjeshëm të principit të vet të solidaritetit ndaj shteteve që presin para portave të saj do të dërgohet porosi e qartë se kjo aleancë është ende e përkushtuar me zell për ta mbrojtur lirinë dhe demokracinë. 
Republika e Maqedonisë NATO-n e sheh si një nga shtyllat kryesore të arkitekturës së sigurt moderne evropiane. 
Republika e Maqedonisë anëtarësimin e vet në NATO e konsideron si obligim të përhershëm, për çka në shtetin ekziston konsensus gjithëpërfshirës politik dhe shoqëror. Dëshira e Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në Aleancën lind pikërisht nga vlerat e përbashkëta të popullit të këtij shteti me popujt e vendeve anëtare të kësaj aleance. 
Pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë, është shfaqur angazhim i sinqertë për anëtarësim në Aleancën. 
Vendi im duke i përmbushur nxitimthi të gjitha kriteret, duke i ndërmarrë reformat e nevojshme, nga konsumator u shndërrua në eksportues i paqes dhe stabilitetit. 
Që nga viti 1999, Maqedonia është kandidate për anëtarësim të plotfuqishëm në Aleancë! Shumë vite presim me padurim që të na hapen dyert e Aleancës. Tashmë është dekada e tretë që kontribuojmë në realizimin e qëllimeve të NATO-s sikur të jemi anëtarë të saj, megjithëse nuk jemi. 

Të nderuar zonja dhe zotërinj, 

Nga ngjarjet e padëshirueshme në vitin 2001, nxorëm një mësim. Në ato çaste kruciale për stabilitetin dhe sigurinë e shtetit tonë, miqtë nga aleanca e NATO-s luajtën rol vendimtar për të cilin jemi dhe gjithmonë do të jemi falënderues.  
Në këtë kuptim, si plotësim në deklaratën e Samitit të NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, qartë u pranua përkushtimi ynë ndaj vlerave dhe aktiviteteve operative të NATO-s dhe ndaj progresit të procesit tonë reformues. Megjithatë, fatkeqësisht, për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat fqinji ynë jugor obligohet të mos e bllokojë anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare, si shtet, ende qëndrojmë para portave të Aleancës. Të privuar nga e drejta, por jo edhe të shkurajuar!  
Duke mësuar nga e kaluara, të përkushtuar fuqimisht në të ardhmen ku veten e shohim si vend anëtar në Aleancë, Maqedonia vazhdon t'i mbështesë misionet e NATO-s gjithandej në botë. 

Të dashur miq,

Republika e Maqedonisë para një jave u ballafaqua dhe suksesshëm tejkaloi një nga sfidat më të mëdha të sigurisë. 
Ishim dëshmitarë të një aksioni profesional policor i cili shkatërroi një grup terroristësh prej më shumë se 40 persona, të organizuar për ta dëmtuar Maqedoninë, por jo edhe rajonin. Ky Aksion, fatkeqësisht rezultoi me humbje të tetë pjesëtarëve të forcave të sigurisë, ndërsa 37 prej tyre u lënduan. 
Si popull i cili ende shpreh keqardhje për humbjen e madhe, edhe njëherë në mënyrë të tillë dramatike, jemi përkushtuar për nevojën e integrimit tonë sa më të shpejtë në NATO. 
Statukuoja shumëvjeçare krijon hapësirë për tentime më të ndryshme për destabilizim dhe prandaj nevojitet që urgjentisht të gjenden mënyra për t'i mundësuar Maqedonisë progres në integrimet euroatlantike. 
Tani, më shumë se kurrë,  është shumë me rëndësi që të kthehet ndjenja e sigurisë së qytetarëve. 
Tani më shumë se kurrë është me rëndësi që të përforcohet uniteti në plan të brendshëm, por edhe bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar. Maqedonia ka fuqi. 
Maqedonia do t'i përballojë këto kohëra të vështira. 
Maqedonia do të vazhdojë të ecë para me krenari. 
Këto ngjarje të padëshirueshme nuk do ta devijojnë nga rruga drejt qëllimeve strategjike! 

Të nderuar miq,

Vitet e kaluara, mundohemi këmbëngultas të gjejmë zgjidhje për problemin e imponuar me emrin tonë kushtetues. 
Diskutojmë dhe sugjerojmë me durim se fqinjët tanë nuk mund të gjejnë në emrin tonë bazë për çfarëdo problemi për stabilitetin, sigurinë e tyre ose ndonjë qëllim territorial. 
Që këtu, megjithëse ende nuk ka ndonjë zgjidhje, ne ende besojmë se arsyeja do të mbizotërojë dhe se ky kontest do të tejkalohet. Aktgjykimi i Hagës me të cilin u tha qartë se shteti ynë në kontestin me Greqinë ka plotësisht të drejtë, dhe na jep të drejtë të plotë që ta mbrojmë atë që na takon dhe atë në të cilën besojmë. 
Si shtet jemi shumë të angazhuar në drejtim të lëvizjes së këtij procesi në institucionet ndërkombëtare. 
Qëndrimi ynë për emrin është i qartë. 
Nuk ka ndryshim të Kushtetutës me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues. Nuk pranojmë ide dhe propozime që e rrezikojnë popullin maqedonas dhe identitetin nacional maqedonas, veçantinë e kombit maqedonas dhe gjuhën dhe kulturën maqedonase. 
Si do që të zhvillohen negociatat më tutje, nëse gjenden modele të pranueshme për të dyja palët të cilat do ta zhbllokojnë progresin tonë euroatlantik, për atë do të duhet të prononcohen qytetarët maqedonas në referendum. 
Emri i Republikës së Maqedonisë është me rëndësi të madhe për të gjitha faktorët politikë dhe shoqëror. 
Të detyruar të qëndrojmë para dyerve të BE-së dhe NATO-s për shkak të këtij problemi të imponuar dhe jorracional, punojmë çdo ditë për thellimin e bashkëpunimit rajonal me fqinjët tanë, duke i thelluar marrëdhëniet ekonomike, politike dhe fqinjësore. 
Gjithashtu, të përkushtuar në partneritetin tonë strategjik me SHBA-në, qeveritë e të dyja shteteve mbajnë raporte të ngushta politike. 
Shkëmbejmë rregullisht informata lidhur me sigurinë rajonale. Sipas marrëveshjeve ndërmjet qeverive tanë, ne në bazë të marrëdhënieve të ndërtuara deri më tani, ndajmë informata për çfarëdo kërcënime potenciale për vendin dhe rajonin. 
Në këtë kohë të sprovave, në një kohë kur vendet e Ballkanit gjenden ndërmjet zjarrit të lindjes dhe perëndimit, Maqedonia e potencon qartë dhe e kultivon partneritetin e vet strategjik me SHBA-në. Të nderuar zonja dhe zotërinj, Për Republikën e Maqedonisë, një nga prioritetet kryesore vazhdon të jetë ekonomia. Rezultatet e arritura në periudhën e deritanishme, imponojnë standarde për punë, të cilat çdo qeveri duhet t'i ndjekë. 
Rritja e vëllimit të investimeve kapitale, fokusimi i fuqishëm i tërheqjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe hapja e fabrikave të reja, përmirësimi i klimës së biznesit, mbështetja shumë e fuqishme e ekonomisë vendore dhe novitetit, rritja e eksportit, rritja e prodhimit bujqësor dhe cilësisë së tij, fokusimi i fuqishëm në zhvillimin e turizmit edhe më tutje do të jenë shtylla kryesore në politikat në vitet në vijim. 
Sipas raportit të Bankës Botërore "Duing biznes", disa vite me radhë Maqedonia është reformatore më e mirë në Evropën Juglindore dhe reformatore e tretë në botë. Ekonomia e Maqedonisë në vitin 2014 kishte rezultat të dytë në Evropë me rritje prej katër përqind. 
Maqedonia ishte në vendin e tretë në Evropë në vitin 2013, në vitin 2011 edhe në vitin 2010. Rënia e ekonomisë në periudhën e krizës prej vitit 2009 deri në vitin 2012 ishte më e vogël nga të gjitha vendet në Evropën Juglindore. 
Gjithë kjo është si rezultat i transparencës dhe sinqeritetit tonë. 
Një valë e investuesve të huaj të ri vijnë në zonat e lira ekonomike. 
Një nga prioritetet tona të larta është edhe mbështetja ende më e fuqishme në përtëritjen infrastrukturore të shtetit. 
Përveç ndërtimit të tre autostradave, në periudhën e ardhshme do të ndërtohet edhe autostrada e katërtë. Njëkohësisht, në terren, në vijim e sipër është edhe ndërtimi i akseve të reja eksprese, ndërsa rikonstruktohen dhe ndërtohen edhe rrugë më të vogla magjistrale dhe lokale dhe rajonale. 
Njëkohësisht, vazhdojnë investimet në linjat rrugore dhe hekurudhore në korridorin 8 dhe korridorin 10, e përveç kësaj me intensitet të konsiderueshëm investohet në rikonstruktime dhe ndërtime të infrastrukturës komunale, shkollave, çerdheve dhe spitaleve. 
Shkurtimisht, Maqedonia modernizohet nxitimthi! 
Pengesat nuk i përjetojmë si bazë për dëshpërim, por si shkak për motiv ende më të madh për punë! 
Kemi vendosur t'i hapim gjerësisht perspektivat për të gjithë qytetarët. 
Kemi vendosur që vlerat evropiane të gjejnë bazë të fortë edhe në Republikën e Maqedonisë. 
Punojmë në mënyrë të palodhshme dhe jam i bindur se rezultatet janë të dukshme. 

Të dashur miq, 

Në kontekst të sigurisë në këtë pjesë të kontinentit të vjetër, pikërisht integrimi i të gjitha vendeve të rajonit në bashkësinë euroatlantike dhe bashkëpunimi i fuqishëm rajonal dhe bilateral janë mekanizmat më të mira për t'u përgjigjur sfidave të përbashkëta. Evropa nuk mund të jetë e lirë, e sigurt, e qëndrueshme dhe e bashkuar pa integrim të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Maqedonia në vazhdimësi i mbështet përpjekjet e Aleancës dhe BE-së për zhvillim të demokracisë, paqes dhe barazisë, në korniza globale, e shembull për këtë është edhe pjesëmarrja shumëvjeçare në operacionet paqësore të këtyre organizatave. 
Paqeruajtësit tanë janë "ambasadorë më të mirë të paqes" dhe më shumë se një dekadë janë sistemuar në misionet paqësore ndërkombëtare në Afganistan, Bosnjë e Hercegovinë, Irak dhe Liban. 
Kontributi në operacionet i udhëhequr nga NATO-ja, BE-ja dhe KB-ja mbetet prioritet i lartë, aq gjatë sa është e nevojshme. 
Misioni "Mbështetje vendimtare" paraqet fazë të re në mbështetjen e NATO-s për sigurinë afgane, të cilat e kanë marrë suksesshëm përgjegjësinë për operacionet luftarake në vendin e tyre. 
Sukses i tillë është i mundshëm vetëm përmes solidaritetit politik ndërmjet kombeve, si dhe përmes vendosmërisë së të gjithë qytetarëve për të promovuar paqe dhe demokraci. 
Në korniza botërore nuk ekziston asnjë vend i cili mund të ballafaqohet vetë me kërcënimet transnacionale të sigurisë dhe andaj nevojitet bashkëpunim i përforcuar rajonal ndërmjet shteteve, institucioneve shtetërore, sektorit joqeveritar, ekspertëve dhe opinionit më të gjerë shkencor, me qëllim të gjetjes së strategjive dhe mekanizmave për ballafaqim me sfidat e mundshme. 
Republika e Maqedonisë, që nga pavarësimi i saj e gjer më sot, angazhohet me vendosmëri dhe me përkushtim për anëtarësim në Aleancë. 
Republika e Maqedonisë, faktikisht, është anëtare e Aleancës. 
Shpresoj se në periudhën që vijon, miqtë tanë do të marrin guximin për gjetur mënyrë, model ose zgjidhje, që Republika e Maqedonisë të ulet në tryezën në mesin e të barabartëve. Republika e Maqedonisë nuk ka ardhmëri tjetër përveç ardhmërisë euroatlantike. 

Ju faleminderit për vëmendjen. 

Click