Aktivitetet

E mërkurë, 9 tetor 2014 

Gjorçev në OSBE: Maqedonia ka të drejtë në identitetin e saj 

Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (AP e OSBE), i mban Mbledhjet e saj të rregullta të vjeshtës në tetor 2014 në Gjenevë, Zvicër, ku morën pjesë mbi 200 parlamentarë nga më shumë se 50 vende.  

Në këto mbledhje nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë morën pjesë z. Vlladimir Gjorçev, anëtar i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.  

Në kuadër të Mbledhjeve të vjeshtës u mbajt: mbledhja e Forumit Mediteran të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, mbledhja e Komitetit të Përhershëm të AP të OSBE-së dhe Konferenca Parlamentare në të cilën u diskutua për Sfidat e reja të sigurisë: Roli i parlamenteve.  

Në sesionin e parë u debatua për Dimensionin politik dhe ushtarak - Kriza në Ukrainë në të cilën morën pjesë më shumë parlamentarë. Në kuadër të këtij debati shumica e folësve theksuan se konflikti paraqet kërcënim për parimet e OSBE-së dhe i thirrën të dyja palët që të angazhohen për gjetjen e zgjidhjes diplomatike. 

Sesioni i dytë u përkushtua në Dimensionin ekonomik dhe ekologjik dhe debati u fokusua në ndryshimet klimatike dhe lidhjet ndërmjet mjedisit jetësor dhe teknologjisë. 

Sesioni i tretë u dedikua për Dimensionin human dhe debati u fokusua në lidhjet ndërmjet standardeve të të drejtave të njeriut dhe sigurisë së përgjithshme. 

Në kuadër të debatit, anëtari i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, z. Vlladimir Gjorçev, ndër të tjerash theksoi se Republika e Maqedonisë është vend i cili përmes Kryqit të saj të Kuq, e në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, realizojnë aktivitete të shumta në domenin e dimensionit humanitar.  

Deputeti Vlladimir Gjorçev u përqendrua edhe në problemin me emrin e vendit tonë dhe theksoi se megjithëse Republika e Maqedonisë ka nënshkruar Marrëveshje me Greqinë për këtë çështje, e në të cilën ceket se Greqia nuk do ta pengojë anëtarësimin tonë në organizatat ndërkombëtare, ajo e bën këtë vazhdimisht. Theksoi se Republika e Maqedonisë për këtë çështje i është drejtuar edhe Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë, ku është konkluduar se Greqia nuk ka të drejtë ta pengojë anëtarësimin tonë në këto organizata. Konstatoi se kjo paraqet akt të madh diskriminues nga ana e Greqisë ndaj Maqedonisë, ku edhe njëherë nënvizoi se emri i vendit tonë është Republika e Maqedonisë.

Këto deklarata të deputetit Gjorçev u pritën me një duartrokitje të madhe nga pjesëmarrësit në Konferencën.  

Click