Aktivitetet

E enjte, 5 mars 2015, Bruksel 

Konferenca ndërparlamentare për pjesëmarrje politike të femrave në vendet nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia 

Në Konferencën ndërparlamentare kushtuar "Pjesëmarrjes politike të femrave në vendet e Ballkanit Perëndimor", e cila në organizim të Komisionit në Parlamentin Evropian për të drejtat e femrave dhe barazisë gjinore, u mbajt dje në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës, merr pjesë delegacioni i Kuvendit në përbërje të deputetëve: znj. Liljana Popovska, kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të femrave dhe meshkujve; znj. Liljana Kuzmanovska, nënkryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve; znj. Shpresa Hadri, anëtare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve dhe znj. Sollza Gërçeva, anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane. 

Konferencën e moderoi znj. Urlike Lunaçek, nënkryetare e Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe znj. Gordana Çomiq, nënkryetare e Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë, ndërsa e hapi z. Dimitris Papadimulis, nënkryetar i Parlamentit Evropian për barazi gjinore dhe diversitet dhe znj. Iraxhe Garsia Perez, kryetare e Komisionit të Parlamentit Evropian për të Drejtat e Femrave dhe Barazi Gjinore. 

Në fjalimet e tij z. Papdimulis u përqendrua në rëndësinë e sigurimit të barazisë gjinore, por edhe në implementimin real të rregullativës ligjore vendore edhe në dokumentet ndërkombëtare, me çka do t'u jepet rëndësi e madhe çështjeve lidhur me barazinë e femrave dhe meshkujve. I thirri vendet anëtare të BE-së dhe vendet tjera evropiane për ta ratifikuar Konventën për parandalimin e dhunës ndaj femrave dhe për luftë kundër dhunës familjare (Konventa e Stambollit), me çka do të mundësohet bazë juridike serioze në politikën e përgjithshme shoqërore të mbrojtjes së të drejtave të femrave. Veçanërisht e theksoi rëndësinë e arsimit të vajzave të reja dhe grave, por edhe rolin e mediave dhe rrjeteve sociale në promovimin e këtyre vlerave. 

Në hapjen, fjalim jubilar në Konferencë mbajti znj. Liljana Popovska, kryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve.

Ajo përkujtoi fillesat e demokratizimit të shoqërisë në EJL, më saktësisht Paktin për stabilitet, ai si instrument i BE-së për ndihmë të këtyre vendeve, në vitin 2000, e themeloi Grupin për çështje gjinore, i cili si rrjet rajonal i femrave bashkoi 11 shtete, ndër të cilat edhe Republikën e Maqedonisë. Ky Grup u tregua si investim më i mirë i Perëndimit ndaj Lindjes, sepse kushtoi pak, por solli rezultate të jashtëzakonshme.  Nga pjesëmarrja modeste e femrave në politikë prej 3-9% në fillim, me kalimin e kohës, shtetet hap pas hapi arritën përqindje mbresëlënëse të pjesëmarrjes së femrave në jetën politike prej 20-34%. Veçanërisht, numri i rritur i femrave-deputetë bëri që të ketë më tepër diskutime lidhur me arsimin e femrave, politikën shëndetësore dhe sociale, rregullimin e dhunës familjare, luftën kundër stereotipave dhe paragjykimeve.

Republika e Maqedonisë, përmes Lobit të femrave maqedonase, i cili është anëtar i plotfuqishëm i Lobit të grave evropiane, i bashkoi femrat nga përkatësitë e ndryshme politike, fetare, dhe arriti ta ndryshojë tre herë Kodin Zgjedhor, duke futur kuota gjinore, me çka nga 6,6% në vitin 2002, niveli i femrave në Parlament u rrit në 34,2%.  


Znj. Popovska veçanërisht e theksoi rolin e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, i cili përmes debateve të vazhdueshme publike, u kushton vëmendje serioze çështjeve për të drejtat e femrave, për përmirësimin e statusit të tyre në shoqëri, për përforcimin ekonomik dhe promovimin e sipërmarrësisë së femrave, si dhe për numër të madh të iniciativave dhe projekteve tjera nga kjo sferë. 

Në pikën kushtuar "Përfaqësimit të pamjaftueshëm të femrave në pozitat politike:  gjendja në vendet kandidate", fjalim mbajtën znj. Liljana Kuzmanovska, zëvendëskryetare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, me ç'rast theksoi se mundësitë e barabarta të femrave dhe meshkujve në Republikën e Maqedonisë janë garantuar me Kushtetutën dhe me numër të madh të ligjeve që ndalojnë diskriminim në bazë të gjinisë dhe përmbajnë dispozita me të cilat inkorporohet koncepti gjinor në rregullativën vendore. Në kontekst të forcimit ekonomik të femrave dhe zvogëlimit të varfërisë dhe shkallës së lartë të papunësisë te popullata e femrave, të rëndësishme janë dispozitat që janë futur në Ligjin për marrëdhënie pune. U fut principi i ndalimit të diskriminimit gjatë punësimit, ndalimit të diskriminimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në vendin e punës, dhe principi i ndalimit të shqetësimit dhe ngacmimit seksual.    

Me miratimin e Strategjisë dhe Planit Nacional për Barazi Gjinore 2013-2020 edhe njëherë u vërtetua përkushtimi i përmbushjes së detyrimeve në implementimin e CEDAV konventës së Kombeve të Bashkuara, për të cilën janë siguruar mjete nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë. 

Gjithashtu, Qeveria e realizon Programin për vetëpunësim dhe më konkretisht qëllimi është që të mbështeten personat e papunësuar në themelimin e firmës personale, formalizimin e veprimtarisë tashmë ekzistuese dhe në krijimin e punësimeve plotësuese.  Programi për vetëpunësim përfshin trajnim për sipërmarrësi, ndihmë gjatë zhvillimit të plan-biznesit të qëndrueshëm dhe regjistrimit të veprimtarisë, grante të pakthyeshme në formë të pajisjes dhe materialeve dhe veprimtari të mentorit gjatë njohjes së biznesit. 

Në kuadër të IPA komponentit 4, u realizua projekti "Forcimi i kapaciteteve për integrim të femrave nga mjedisi rural në tregun e punës, me fokus të veçantë të femrave nga përkatësia etnike. Qëllimi i këtij projekti është që t'u mundësohet femrave të margjinalizuar, veçanërisht femrave nga pakicat etnike, t'i përmirësojnë potencialet e tyre për punësim në tregun e punës. 

Në debatin, znj. Sollza Gërçeva, anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane, theksoi se duhet të punohet më tepër në inkurajimin e femrave që të jenë kryetare të komunave, me çka do të përmirësohet pjesëmarrja e tyre politike në nivel lokal, sepse femrat në aktivitetet e tyre shumë më tepër vëmendje u kushtojnë problemeve reale - shëndetësore, arsimore, mjedisit jetësor, sesa nacionalizmit, traditave historike etj. 

Analizat tregojnë se kur bëhet fjalë për lidership në partitë politike, realiteti është se pothuajse nuk ka lider-femër në partinë politike (në Republikën e Maqedonisë ka vetëm një), sepse femra shumë vështirë vjen në burime reale të financimit. Këto janë procese që janë karakteristike për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, por edhe për shumë vende tjera. Në të ardhshmen duhet fuqishëm dhe me përkushtim të punohet në vizibilitet më të madh të femrës në të gjitha segmentet e jetës shoqërore dhe ekonomike. 

Konferenca përbënte mundësi për këmbim të përvojave në planin e çështjeve për mbrojtje të të drejtave të femrave, me ç'rast u ngrit një debat më i gjerë për ndryshimin radikal të stereotipave dhe paragjykimeve shumëvjeçare.

Click