Aktivitetet

E hënë, 6 korrik 2015 

KRYETARI VELJANOSKI E HAPI FESTIVALIN  E 54-TË BALLKANIK TË KËNGËVE DHE VALLEVE POPULLORE 

Të nderuar zonja dhe zotëri, 
Të nderuar deputetë, 
I nderuar kryetar i komunës së Ohrit, 
Ekselenca juaj, 
Të nderuar pjesëmarrës në festivalin, 
Të dashur miq, 

Kam nderin që sonte bashkë me ju ta hap Festivalin e 54-të  ballkanik të këngëve dhe valleve popullore. Ky është manifestimi ynë folklorik si më i vjetër në Ballkan, i cili shumë suksesshëm paraqet dhe i afirmon trashëgiminë kulturore dhe arritjet e vendeve dhe popujve prej nga vijnë pjesëmarrësit 54 vitet e kaluara. Me të vërtetë tingëllon madhështore ajo që në këtë festival deri më tani kanë marrë pjesë mbi pesëdhjetëmijë këngëtar, valltarë dhe instrumentalistë dhe atë nga të gjithë kontinentet. Vetëm të cek se këtu në Ohrin e mrekullueshëm kanë performuar ansamble nga Australia, nga SHBA-ja dhe Kanadaja, Malajzia, Meksikoja, Kostarika, Nigeria etj. 

Të nderuar miq, 

Muzika, folklori dhe vallet sot janë kategori civilizuese universale, përkatësisht një pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Por, njëkohësisht ato paraqesin edhe elemente të rëndësishme që e definojnë, ruajnë dhe zhvillojnë identitetin nacional. Populli maqedonas në zhvillimin e vet historik dhe shtetformues gjithmonë ka arritur ta ruajë folklorin e vet, muzikën e vet burimore, këngën e vet të bukur. Shekuj më parë paraardhësit tanë kanë ditur dhe kanë arritur që këto vlera si pjesë e identitetit tonë kulturor dhe kombëtar t'i ruajnë, zhvillojnë dhe bartin te gjeneratat e reja. Mendoj se edhe sot kur jetojmë në shtetin tonë të pavarur para së gjithash me ndihmën e institucioneve përkatëse si Ministria e Kulturës, folklori ynë, këngët dhe vallet suksesshëm barten te gjeneratat e reja. 

Të dashur miq, 

Populli maqedonas siç di të gëzohet, por edhe të mbajë zi përmes këngëve dhe valleve popullore, ashtu di edhe në mënyrë të hapur dhe të sinqertë t'i shprehë vlerat kulturore dhe kombëtare, të bashkëqytetarëve tanë nga komunitetet tjera etnike, ashtu edhe të atyre nga rajoni dhe më gjerë. Këtë në njëfarë mënyre e vërtetojmë përmes këtij manifestimi tonë folklorik bashkë me të gjitha pesëdhjetëmijë pjesëmarrës që kanë lënë gjurmë në këto 54 vite të mbajtjes së Festivalit ballkanik të këngëve dhe valleve popullore. 

Në fund, dua që të gjithë pjesëmarrësve t'u dëshiroj qëndrim të këndshëm në Ohrin tonë me bindje se kur do të kthehen në shtëpi, me vete do të bartin edhe një pjesë e pasurisë së pashtershme shpirtërore të Ohrit dhe Republikës së Maqedonisë. 

Me këto mendime, të nderuar miq, më lejoni që Festivalin e 54-të ballkanik të këngëve dhe valleve popullore ta shpall të hapur. 

Ju faleminderit. 

Click