Aktivitetet

E mërkurë, 11 qershor 2014

KRYETARI VELJANOSKI E PRITI AMBASADORIN E SAPOEMËRUAR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËSIRË NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË, Z.  PETRIT BUSHATI 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski, realizoi takim protokollar me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, SH.T. Petrit Bushati, me ç'rast i dëshiroi mirëseardhje dhe punë të mbarë.  

Ambasadori Bushati, shprehu falënderim për takimin dhe kohën e ndarë për bisedim dhe bashkëpunim dhe ia përcolli përshëndetjet kryetarit Veljanoski nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, si dhe dëshirat për punë të mbarë në mandatin e ri.  

Kryetari Veljanoski  e potencoi bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm parlamentar ndërmjet të dyja shteteve, duke shprehur kënaqësi nga vizita e suksesshme zyrtare që u realizua vitin e kaluar në Republikën e Shqipërisë dhe e theksoi angazhimin për intensifikimin e kontakteve të mëtutjeshme, si në nivel të takimeve, ashtu edhe në nivel të komisioneve dhe grupeve parlamentare për bashkëpunim.  

Ambasadori u pajtua se parlamentarët gjithmonë mund të kontribuojnë në tejkalimin dhe zgjidhjen e çështjeve kontestuese, duke ndihmuar në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Gjithashtu, z. Bushati shfaqi shpresë se kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, do të realizojë vizitë zyrtare kthyese në Republikën e Maqedonisë. 

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm bilateral, marrëdhënie miqësore dhe shprehën dëshirë që bashkëpunimi i tillë të vazhdojë edhe më tutje me ndihmën e realizimit të projekteve të reja dhe këmbimit të ideve të reja. Veçanërisht i rëndësishëm është bashkëpunimi i përbashkët dhe këmbimi i përvojave në rrugën e integrimit evropian, si alternativë e vetme për vendet e rajonit. Në lidhje me eurointegrimet, kryetari Veljanoski shprehu dëshira të sinqerta se së shpejti Republika e Shqipërisë do të marrë status të kandidatit për anëtarësim në BE. 

Në takimin u diskutua edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, e cila është shumë e rëndësishme për lidhjen e suksesshme të të dyja vendeve, gjë që shpie në bashkëpunim më të suksesshëm ekonomik, si dhe bashkëpunim në të gjitha sferat me interes të përbashkët. Si çështje me rëndësi të veçantë u përmend edhe projekti për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër dhe Trebenishë-Qafëthanë. 

Click