Aktivitetet

E mërkurë, 10 dhjetor 2014

Mbledhja e dymbëdhjetë e Komisionit për Çështje Ekonomike 

Komisioni për Çështje Ekonomike i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e 13-të, si trup punues amë në lexim të parë, shqyrtoi: 

  1. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontroll të eksportit të mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë;
  2. Propozim-ligj për plotësimin e Ligjit për veprimtari hoteliere. 

Nevojën për miratimin e Propozim-ligjeve e arsyetoi zëvendësministri i Ekonomisë, z.  Hristijan Delev. 

- Në lidhje me Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontroll të eksportit të mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, u theksua se ky ligj ka për qëllim zgjerimin e kompetencave të Komisionit për Eksport të Mallrave dhe Teknologjive me Përdorim të Dyfishtë. 

Gjegjësisht, krahas punëve tjera që i kryen Komisioni, propozohet që ky komision ta ndjekë dhe koordinojë kontrollin e eksportit, t'i shqyrtojë të gjitha dokumentet pas kërkesave të parashtruara, me ç'rast do të përgatisë procesverbal për çdo lëndë të veçantë dhe procesverbalin me mendimin e vet do t'ia dërgojë ministrit, përkatësisht Ministrisë së Ekonomisë për shqyrtim të mëtutjeshme dhe lëshim të lejeve për përdorim të dyfishtë. 

Ministri i Ekonomisë, në bazë të mendimit pozitiv nga institucionet nga neni 8 paragrafi (1) dhe (2) dhe mendimit pozitiv të Komisionit për Eksport të Mallrave dhe Teknologjive me Përdorim të Dyfishtë, do të lëshojë leje për eksport dhe leje për shërbime brokere të mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë. 

Në shqyrtimin mori pjesë kryetari i Komisionit për Çështje Ekonomike, z. Lupço Dimovski, i cili e mbështeti Propozim-ligjin, njëkohësisht se të gjithë këto ndryshme janë me rëndësi esenciale dhe në masë të konsiderueshme e përmirësojnë Ligjin dhe zbatimin e tij. 

- Për Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit për veprimtari hotelerie, zëvendësministri i Ekonomisë theksoi se në pajtim me ndryshimet e fundit në Ligjin për veprimtari hotelerie, Njësitë e vetëqeverisjes lokale ishin të detyruar dy herë në vit të dorëzojnë të dhëna në Ministrinë e Ekonomisë për objekte të kategorizuara të personave fizikë që ofrojnë shërbime për akomodim. 

Me plotësimet e propozuara të Ligjit do të mundësohet kategorizimi i kapaciteteve të akomodimit individual në mënyrë që Ministria e Ekonomisë do të disponojë me të dhëna në nivel shtetëror për të gjitha objektet e kategorizuara të personave fizikë që ofrojnë shërbime për akomodim, për zhvillimin, promovimin dhe afirmimin e tyre të mëtutjeshëm.

Këto të dhëna dy herë në vit do t'i dërgohen Ministrisë së Ekonomisë nga ana e komunave, të cilat në pajtim me Ligjin kanë kompetencë ta zbatojnë procedurën e kategorizimit të objekteve të hotelerisë të personave fizikë. 

Me propozim-ligjin njëkohësisht do të mundësohet edhe zbatimi i procedurës për lëshimin e aktvendimeve për ushtrimin e veprimtarisë së hotelerisë nga ana e personave fizikë, të cilën do ta zbatojnë Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale, në pajtim me Ligjin, si dhe aktet nënligjore të cilat është paraparë të miratohen nga ministri i Ekonomisë. 

Me ndryshimet e propozuara, kryetarëve të komunave do t'u lejohet ta përditësojnë listën, përkatësisht t'i obligojnë dhënësit e shërbimeve të tilla që të regjistrohen, ndërsa njëkohësisht edhe Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale ta kontrollojnë gjithë procesin, dhe të kenë mundësi të bëjnë edhe kategorizimin e tyre. 

Në debatin morën pjesë anëtari i Komisionit për Çështje Ekonomike Sasho Aqimoski dhe zëvendësanëtari Gjorgji Koxhabashiev, të cilët e mbështetën Propozim-ligjin. 

  • Në bazë të nenit 142 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Komisioni për Çështje Ekonomike njëzëri konkludoi se të dy Propozim-ligjet janë të pranueshme dhe se duhet të jepen në lexim të mëtutjeshëm.  
Click