Aktivitetet

E enjte, 6 nëntor 2014

Mbledhja e njëmbëdhjetë e Komisionit për Çështje Ekonomike

Komisioni për Çështje Ekonomike i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e 11-të, të mbajtur më 4 nëntor 2014, si trup punues amë, mori në shqyrtim:

  1. Propozim-ligj për plotësimin e Ligjit për privatizim të kapitalit shtetëror - leximi II;
  2. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veprimtari hotelerie - leximi II;
  3. Propozim-plan financiar i Komisionit Rregullator për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë për vitin 2015;
  4. Propozim-vendim për përcaktimin e përqindjes së përfshirjes së të hyrave të përgjithshme vjetore të bartësve të licencave për kryerjen e veprimtarisë energjetike për financimin e punës së Komisionit Rregullator për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë për vitin 2015.

 - Kryetari i Komisionit për Çështje Ekonomike, z. Lupço Dimovski, i njoftoi deputetët se në afatin e përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, për Propozim-ligjin për plotësimin e Ligjit për privatizim të kapitalit shtetëror, nuk janë parashtruar amendamente nga propozues të autorizuar. Komisioni e përcolli këtë Propozim-ligj në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

 - Në debatin për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për veprimtari hotelerie, për të cilin gjithashtu nuk u parashtruan amendamente, mori pjesë deputetja znj. Roza Topuzova-Karevska dhe zëvendësministri i Ekonomisë, z.  Hristijan Delev.  Komisioni e përcolli edhe ketë Propozim-ligj në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

 - Propozim-planin financiar të Komisionit Rregullator për Energjetike të Republikës së Maqedonisë për vitin 2015 e arsyetoi kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë, z. Dimitar Petrov, në cilësi të deputetit të propozuesit.

U theksua se në Propozim-planin financiar janë prezantuar të hyrat dhe shpenzimet e Komisionit Rregullator për Energjetikë, në bazë të aktiviteteve të paraparë për vitin 2015.

Njëkohësisht, propozohet që të hyrat e planifikuara të realizohen me pagesë të kompensimit të përllogaritur me përqindje të përfshirjes në lartësi prej 0,049% të të hyrave të përgjithshme të bartësve të licencave për kryerje të veprimtarisë energjetike dhe e njëjta është më e ulët se 0,1% të të hyrave të përgjithshme të shoqërisë të përcaktuar me nenin 34 paragrafi 3 i Ligjit për energjetikë.

Në Propozim-planin financiar janë përfshirë të gjitha rrogat dhe kompensimet, kontributet nga rrogat dhe tatimi personal i të ardhurave, shpenzimet rrugore dhe reprezentimi, energjia e shpenzuar elektrike, shërbimet komunale dhe shërbimet e transportit, shpenzimet materiale dhe amortizimi, shërbimet kontraktuese, aktivitetet promotive-informative, furnizimi i mjeteve kryesore, ndërtimi i ndërtesave "Administrata publike - Llazar Pop Trajkov" dhe të hyrat e planifikuara.

Në lidhje me përforcimin e kapacitetit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, në pajtim me Programin nacional për harmonizimin me legjislacionin evropian, në vitin 2015 janë planifikuar dy punësime të reja.

Në debatin mori pjesë kryetari i Komisionit për Çështje Ekonomike, z.  Lupço Dimovski dhe zëvendësanëtar i Komisionit, z.  Zoran Ilioski.

Në bazë të debatit, Komisioni njëzëri e miratoi Konkluzionin në vijim:

1. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e shqyrtoi dhe miratoi Planin Financiar të Komisionit Rregullator për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë për vitin 2015;  
2. Ky konkluzion, bashkë me raportin e Komisionit për Çështje Ekonomike, të dorëzohet te Komisioni Rregullator për Energjetikë i Republikës së Maqedonisë dhe te Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

- Në arsyetimin e tij për Propozim-vendim për përcaktimin e përqindjes së përfshirjes së të hyrave të përgjithshme vjetore të bartësve të licencave për kryerjen e veprimtarisë energjetike për financimin e punës së Komisionit Rregullator për Energjetikë të Republikës së Maqedonisë për vitin 2015, z.  Dimitar Petrov theksoi se përqindja e përfshirjes së kompanive për vitin e ardhshëm, e përcaktuar në pajtim me Ligjin për energjetikë, në bazë të të dhënave në Regjistrin qendror të Republikës së Maqedonisë, parashihet të jetë 0,049% dhe e njëjta është adekuate me shpenzimet e parapara në vitin 2015.

Krahasuar, në vitin 2014 kur përqindja ishte 0,043%, për 2015 është paraparë që e njëjta të rritet në 0,049%. Shkaqet kryesore për rritjen janë shpenzimet për ndërtim të ndërtesës "Administrata publike - Llazar Pop Trajkov", ku Komisioni Rregullator për Energjetikë merr pjesë me 17,67% si dhe punësimet e paraparë për vitin 2015.   

Në debatin për Propozim-vendimin morën pjesë z. Lupço Dimovski dhe z. Zoran Ilioski.

Kryetari i Komisionit për Çështje Ekonomike, z.  Lupço Dimovski, theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në lidhje me këtë Propozim-vendim ka vërejtje: pika 1 të precizohet në kuptim se bëhet fjalë për 0,049% nga të hyrat e përgjithshme të realizuara në vitin 2014 të bartësve të licencave për kryerje të veprimtarive energjetike sipas të dhënave nga Regjistri qendror i RM-së.

Komisioni për Çështje Ekonomike njëzëri e miratoi këtë vërejtje, dhe e njëjta duhet të inkorporohet gjatë botimit të Vendimit në "Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë".

Në bazë të debatit, Komisioni për Çështje Ekonomike njëzëri konkludoi t'i propozojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ta shqyrtoje dhe miratojë këtë Vendim.

Click