Aktivitetet

E enjte, 16 tetor 2014 

Mbledhja e tetë e Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave 

Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e djeshme të 8 shqyrtoi: 

  1. Propozim-ligj për ndryshimin e Ligjit për tokë bujqësore - leximi I; 
  2. Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetin e bimëve - leximi II; 
  3. Raporti i Komisionit Evropian për progresin e bërë të Republikës së Maqedonisë për vitin 2014 në pjesën e bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave. 

Në mbledhjen, në cilësi të përfaqësuesit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ishte i pranishëm z. Vanço Kostadinovski, zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, znj. Maja Llazareska, udhëheqëse sektori në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe z. Dejan Runtevski, drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari. 

- Në lidhje me Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për tokë bujqësore, përfaqësuesi i Qeverisë e theksoi nevojën për miratimin e ligjit, qëllimet që do të arrihen dhe zgjidhjet themelore që rregullohen me ligjin.  

Në diskutimin morën pjesë deputetët: z. Romeo Trenov, z. Rexhail Ismaili, z. Lupço Dimovski dhe z. Gjoko Kamçev.  

Në fund, Komisioni njëzëri e miratoi konkluzionin në vijim:  

  • Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave e shqyrtoi Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për tokë bujqësore (leximi i parë) dhe në pajtim me nenin 142, paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, vlerësoi se Propozim-ligji është i pranueshëm dhe se duhet të jepet në lexim të mëtutjeshëm. 

- Kryesuesi i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave i njoftoi deputetët se në afatin e caktuar të përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, nuk janë parashtruar amendamente për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetin e bimëve. 

Komisioni, pa diskutim, e përcolli këtë Propozim-ligj në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.  

- Në diskutimin për Raportin e Komisionit Evropian për progresin e bërë të Republikës së Maqedonisë për vitin 2014 në pjesën e bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave, morën pjesë deputetët: z. Romeo Trenov, z.  Nikolla Micevski, z. Lupço Dimovski dhe z.  Rexhail Ismaili, si dhe zëvendësministri Kostadinovski dhe drejtori Runtevski.  

Në diskutimin e tij, zëvendësministri theksoi se nga ana e BE-së janë theksuar punë të cilat në pajtim me programin janë planifikuar dhe realizuar në vitin 2014.  Në përgjithësi, është cekur progres në bujqësinë dhe zhvillimin rural dhe në përmirësimin e strukturës së fermave dhe vendosjen e sistemeve të integruara kontrolluese.  

Është cekur edhe se bashkëpunimi me BE-në dhe programin IPARD realizohet suksesshëm, veçanërisht Projekti për prodhim organik dhe për mbrojtje të cilësisë së produkteve bujqësore.  

Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, përsëri, theksoi se konkluzioni i përgjithshëm është se përgatitjet në pjesën e politikës veterinere dhe sigurisë së ushqimit janë në fazë të avancuar. Vërejtjet e vetme janë në pjesën e politikës fitosanitare, megjithatë me masat e reja dhe aktivitetet, deri vitin e ardhshëm do të ketë rezultate edhe në këtë sferë. 

Në fund të debatit, Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave si trup i interesuar punues e përcolli Raportin për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2014, në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. 

Click