Aktivitetet

E mërkurë, 11 shkurt 2015 

Me punë të përbashkët deri në zgjidhje të konflikteve në rajon 

Më 9 dhe 10 shkurt, deputeti Artan Grubi mori pjesë në mbledhjen e Komitetit për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim të Sigurisë të Asamblesë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (AP e PBEJL), që u mbajt në Stamboll, Republika e Turqisë. 

Në mbledhjen u diskutua për mbrojtjen e përkohshme të refugjatëve, bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar për luftë kundër krimit të organizuar dhe, veçanërisht, për mundësitë për bashkëpunim parlamentar në sferën e drejtësisë. 

Duke e përshëndetur humanitetin dhe përpjekjet që i bën vendi nikoqir për mbrojtjen e refugjatëve nga Siria, deputeti Grubi theksoi se të gjitha vendet nga rajoni, në të kaluarën janë ballafaquar me pasoja nga konfliktet luftarake në fqinjësinë e tyre, njëkohësisht duke potencuar valën e refugjatëve që e kaploi Republikën e Maqedonisë gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999. Që këtu, si leksion nga e kaluara, nevojitet që të punojmë të gjithë bashkërisht për gjetjen e zgjidhjes së konflikteve ekzistuese, por dhe për parandalimin e konflikteve potenciale në rajon. 

Me dokumentin final që u miratua në mbledhje, ftohen të gjitha vendet anëtare të PBEJL të marrin pjesë aktive në mekanizmat rajonale ekzistuese për bashkëpunim në sferën e drejtësisë dhe këmbimit të përvojave nga sfera, ndërsa parlamenteve nacionale u rekomandohet të krijojnë instrumente për avancim të bashkëpunimit ndërmjet trupave të tyre punues të ngarkuar për çështjet juridike dhe gjyqësore.  Gjithashtu, u theksua mbështetja për universitetet për krijimin e kapaciteteve rajonale të nevojshme për zbatimin e reformave ligjore, avancimin e hulumtimit shkencor, si dhe përgatitjen e publikimeve të përbashkëta. 

Në mbledhjen në Stamboll morën pjesë deputetët nga parlamentet e Shqipërisë, Bulgarisë, Kosovës, Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Turqisë. 

Në kuadër të AP të PBEJL funksionojnë tre komitete ekzistuese: Komiteti për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim të Sigurisë; Komiteti për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji dhe Komiteti për Zhvillim Social, Arsim, Hulumtim dhe Shkencë. 

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është pjesëmarrës aktiv dhe mbështetës i punës së Asamblesë Parlamentare të PBEJL. Sipas Rregullores së punës, njëri nga qëllimet kryesore të Asamblesë Parlamentare është këmbimi i përvojës në sferën e legjislacionit dhe harmonizimit me të drejtën e BE-së. 

Click