Aktivitetet

E premte, 14 shkurt 2014, Vjenë

PJESËMARRJA NË SESIONIN E 13-TË DIMËROR TË ASAMBLESË PARLAMENTARE TË OSBE-SË

Më 13 dhe 14 shkurt 2014, në Vjenë, Austri, mbahet Sesioni i 13-të dimëror i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në të cilin merr pjesë deputetja, znj. Ana Pavllovska-Daneva, shefe e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (AP-ja e OSBE-së). Në këtë sesion marrin pjesë rreth 270 deputetë nga 58 vende.

Në hapjen e djeshme të sesionit plenar, në të cilin marrin pjesë anëtarët e komiteteve të përgjithshme të AP-së të OSBE-së, fjalim hyrës mbajti kryetarja e Parlamentit të Austrisë, znj. Barabara Pramer; kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z.  Ranko Krivokapiq; Sekretari i Përgjithshëm i AP-së të OSBE-së, Spenser Oliver dhe fjalim të veçantë mbajti kryetari i Dhomës së përfaqësuesve të Afganistanit, z. Abdul Rauf Ibrahimi.

Në fjalimin e saj, znj. Pramer theksoi rëndësinë e vlerave të AP-së të OSBE-së në përkrahjen e iniciativave të OSBE-së për kontroll të armës konvencionale, implementimin e plotë të Planit aksionar të Romës dhe për parandalimin e trafikimit me njerëz.

Në mbledhjen e Komitetit të Përhershëm të AP-së të OSBE-së, që u mbajt sot paradite, në lidhje me shkresën e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski, dërguar kryetarit të AP-së të OSBE-së, z. Ranko Krivokapiq, për pjesëmarrje në këtë organizatë në mbikëqyrjen e zgjedhjeve presidenciale në vendin tonë, shefja e Delegacionit tonë, znj. Ana Pavllovska-Daneva, i ftoi dhe i inkurajoi të marrin pjesë në procesin mbikëqyrës të këtyre zgjedhjeve në prill 2014, duke nënvizuar se kjo do të kontribuojë për implementimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.

Sot pasdite do të mbahet sesioni i përbashkët i të tre komisioneve të përgjithshme të AP-së të OSBE-së në të cilin do të mbajnë fjalim raportuesit z. Llamberto Zanier, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së dhe përfaqësuesja speciale e AP-së të OSBE-së për çështje gjinore znj. Hedi Fraj. Debati special në këtë sesion do të zhvillohet për Rritjen e ekstremizmit, radikalizmit dhe ksenofobisë; sfidë për rajonin e OSBE-së. 
 
 
 
 

Click