Aktivitetet

E hënë, 7 korrik 2014 

PREZANTIMI I PROGRAMIT DHE PRIORITETEVE PËR PUNË TË KRYESIMIT TË ITALISË ME KËSHILLIN E BASHKIMIT EVROPIAN PËR PERIUDHËN KORRIK-DHJETOR TË VITIT 2014

Sot, Komisioni për Çështje Evropiane i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, të cilin e kryesoi kryetarja e Komisionit, znj. Ermira Mehmeti, e mbajti Mbledhjen e parë me pikë të vetme në rendin e ditës, kushtuar Programit dhe prioriteteve për punë të Kryesisë së Italisë me Këshillin e Bashkimin Evropian për periudhën korrik-dhjetor 2014.  

Për shkak të rëndësisë së temës, në mbledhje u ftuan kryetarët dhe anëtarët e:  Komisionit për Politikë të Jashtme, Këshillit Nacional për Eurointegrime dhe Komitetit të Përzier Parlamentar RM-BE. 

Gjithashtu, në mbledhjen u ftuan dhe ishin të pranishëm: zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, z. Fatmir Besimi; shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, SH.T. Aivo Orav; si dhe ambasadorët e vendeve-anëtare të Bashkimit Evropiane në Republikën e Maqedonisë.  
Prezantim lidhur me temën mbajti ambasadori i Republikës së Italisë në Republikën e Maqedonosë, SH.T. Ernesto Masimino Bellelli, i cili u përqendrua në prioritetet dhe detyrat e planifikuara në kuadër të tre kryesimeve të reja me BE-në, që fillojnë me Italinë, e pastaj vazhdojnë me Letoninë dhe Luksemburgun.  

Njëkohësisht, z. Bellelli theksoi se Italia zgjerimin e kthen në rendin e ditës- prioritetet e BE-së, me vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Në prezantimin e tij, ai informoi se gjatë tre kryesimeve në periudhën e ardhshme 18 muajsh, Bashkimi Evropian do të punojë në tejkalimin e plotë të krizës ekonomike dhe financiare dhe në rritjen e zhvillimit në BE. Gjithashtu, në fokusin e këtij kryesimi pritet të jetë edhe përforcimi i kapacitetit të BE-së për hapjen e vendeve të reja të punës, pastaj shfrytëzimi i mundësive të cilat i ofron teknologjia digjitale, mbrojtja e të drejtave fundamentale, si dhe përforcimi i rolit të BE-së në korniza botërore. 

Kryetarja e Komisionit, znj. Ermira Mehmeti, e përshëndeti Kryesimin e Italisë me BE-në, si dhe faktin që Italia në periudhën e ardhshme gjashtëmujore do ta mbështesë zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Njëkohësisht, theksoi se vendi punon në përmbushjen e detyrave nga Dialogu aderues i nivelit të lartë (HLLAD), ndër të cilat ceku edhe përmirësimin e gjendjeve në jurisprudencën. Në atë drejtim, ajo shprehu bindje se vendi do të punojë në këtë, me qëllim që të mos ndodhin ngjarje të pakëndshme, siç ishin demonstratat e paradokohshme në lagjen "Gjorgje Petrov" por edhe trazirat e fundit për shkak të aktgjykimit për rastin "Monstër", e të cilat ndikuan negativisht në gjendjet e brishta ndëretnike në shtet.    

Zëvendëskryeministri Besimi sugjeroi që shteti t'i vazhdojë proceset reformuese, të cilat i kërkon prej nesh BE-ja, me qëllim që sa më shpejtë të marrim datë për fillimin e negociatave.   

Në diskutimin për prioritetet e Kryesimit të Italisë morën pjesë: nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, z.  Antonio Milloshoski; nënkryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, z. Ilija Dimovski; bashkëkryesuesi i Komitetit të Përzier Parlamentar RM-BE, z.  Qenan Hasipi; deputetët: z. Artan Grubi, znj. Nolla Ismajlovska, z. Bekim Fazliu, z.  Aleksandar Nikolloski; si dhe anëtari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, z. Dimitar Mirçev.  

Në të gjitha diskutimet u përshëndet qëllimi i Kryesimit të Italisë për të vazhduar me procesin e zgjerimit, si faktor i rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë, si vend-kandidat për anëtarësim në BE.   

Njëkohësisht, u theksua se Republika e Italisë është mik i yni i dëshmuar, i cili i mbështet aspiratat tona euroatlantike që nga fillimi i rrugës sonë drejt BE-së.  

Në atë drejtim, u potencuan përpjekjet për prezencë më të madhe ekonomike dhe politike të shteteve anëtare të BE-së në Maqedoni, sepse në të kundërtën mund të lihet hapësirë për veprim të shteteve tjera, si për shembull Rusia dhe Kina, dhe për ndjekje të rrugës e cila është e kundërt me proceset eurointegruese të vendit. 

Në lidhje me kontestin e emrit, e me qëllim të tejkalimit të gjendjes ekzistuese, në diskutimet u sugjerua të aplikohet shembulli i Sllovenisë dhe Italisë, me ç'rast janë zhvilluar paralelisht negociatat për anëtarësim në BE dhe përpjekjet për gjendjen e zgjidhjes së kontestit bilateral në lidhje me gadishullin e Istrasë. 

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, SH.T. Aivo Orav, në fjalimin e tij para deputetëve, theksoi se të gjithë vendet e rajonit janë të mirëseardhura në BE dhe se nuk ka nevojë për t'u brengosur se gjoja do të ndërpritet zgjerimi. Përkundrazi, dëshmi për këtë është edhe statusi i kandidatit i Shqipërisë që e morri para do kohe. Njëkohësisht, theksoi se përparimi do të jetë i mundshëm vetëm kur vendi do t'i kryejë detyrat e dhënë nga BE-ja ashtu siç duhet. 

Ambasadori Bellelli në lidhje me diskutimet theksoi se vendi duhet të fokusohet në agjendën evropiane dhe ta shfrytëzojë kohën deri në publikimin e raportit të tetorit për progresin e vendit nga Komisioni Evropian, e i cili duhet të mbyllet deri në fund të shtatorit. Në fund, edhe njëherë e vërtetoi angazhimin e shtetit të tij për t'i mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në integrimet e tyre euroatlantike. 
Click