Aktivitetet

E enjte, 3 dhjetor 2015

U HAP MBLEDHJA E 13-TË E KOMITETIT TË PËRZIER PARLAMENTAR - REPUBLIKA E MAQEDONISË DHE BE

Mbledhja e trembëdhjetë e Komitetit të Përzier Parlamentar - RM dhe BE e cila mbahet sot dhe nesër, në Kuvendin e RM-së u hap nga ana e bashkëkryesuesve, z. Kenan Hasipi dhe z. Allojz Peterle. 

Në mbledhjen përveç anëtarëve të Komitetit të Përzier Parlamentar ishin të pranishëm edhe z. Fatmir Besimi, nënkryetar i Qeverise së Republikës së Maqedonisë i ngarkuar për Eurointegrime, si dhe z. Aivo Orav, ambasador dhe shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë. 

Bashkëkryesuesi Hasipi, në fjalimin e tij hyrës i përshëndeti të pranishmit duke u dëshiruar punë të suksesshme në kuadër të mbledhjes, njëkohësisht theksoi se me kthimin e opozitës në parlament, KPP është kompletuar dhe janë përmbushur të gjitha kushtet për mbajtjen e mbledhjes. 

Në mbledhje të pranishmit e miratuan rendin e propozuar të ditës, gjithashtu pa vërejtje u miratua edhe procesverbali i vitit të kaluar i mbledhjes së 12-të të mbajtur në Strasburg. 

Bashkëkryesuesi Peterle theksoi se këtu është me qëllimin e njëjtë të mbështetet procesi i aderimit të Maqedonisë në BE, të zbatohet dialogu politik dhe të realizohen reformat me qëllim të mbajtjes së rekomandimit të kushtëzuar pozitiv.  Është me rëndësi që dialogu politik të vazhdojë, ai realizohet hap pas hapi dhe vazhdon në atë frymë. 

U shqyrtuan më shumë çështje në lidhje me raportet e Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, implementimin e marrëveshjeve nga 2 qershor dhe 15 korrik qëllimet e paraparë nga Dialogu aderues të nivelit të lartë, me theks të veçantë në: sundimin e të drejtës, reformat në gjyqësi dhe luftën kundër korrupsionit; reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare; lirinë e mediave dhe dialogun ndërmjet bashkësive.  

Në kontekst të Raportit te Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë në vitin 2015, si dhe në kontekst të Strategjisë për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe Dialogut aderues të nivelit të lartë, u këmbyen mendime nga z. Fatmir Besimi, nënkryetar i Qeverise së Republikës së Maqedonisë i ngarkuar për Eurointegrime dhe z. Aivo Orav, shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian. 

Mbledhja vazhdon edhe nesër, ku duke pasur parasysh situatën aktuale në korniza rajonale dhe globale, do të diskutohet edhe për krizën migruese:  sfidat, ballafaqimi dhe pasojat e mundshme, e në fund të sesionit pritet edhe miratimi i rekomandimeve përfundimtare të Komitetit. 
Click