Aktivitetet

E enjte, 11 shtator 2014

VIZITË PUNE E KOMISIONIT PËR KULTURË NË KRATOVË  

Komisioni për Kulturë më 9 shtator i përbërë nga: z. Sillvana Boneva - kryetare, Ane Llashkoska - zëvendëskryetare, Mimçillo Avramoski - anëtar, Vesna Damçevska Ilievska - anëtare, Lubica Buralieva - anëtare, Liljana Zaturoska - zëvendësanëtare dhe Nolla Ismajllovska - zëvendësanëtare, realizoi vizitë pune dhe takim me organet kompetente të Komunës së Kratovës, në drejtim të miratimit të Propozim-ligjit të ri për shpalljen e Qendrës së vjetër të qytetit të Kratovës trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.

Anëtarët e Komisionit për Kulturë bënë një shëtitje nëpër Qendrën e vjetër të qytetit të Kratovës, përfshirë edhe urat: Ura e Grofçanit, Ura e Çarshisë, Ura e Jokshirit, Ura e Radinit, kullat mesjetare dhe arkitekturën e qytetit të vjetër, e cila me Propozim-ligjin do të shpallet trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.

U vizitua Kulla e Sahatit nga shekulli 14 dhe prezantimi historik "Kratova nëpër shekuj". Anëtarët e Komisionit u informuan se duhet të fillojë projekti për hulumtim dhe rekonstruktim të korridoreve që supozohet se i kanë lidhur kullat mesjetare, me ç'rast u vizitua një hyrje e arritshme e korridoreve mesjetare.

Gjithashtu, u vizitua kisha "Shën Jovan Krstitell" në Kratovë (katedralja e shekullit 19), ku punohet në zbulimin e shtresës së mbuluar të pikturës nga shekulli 19.

Gjatë vizitës së Urës së Radinit, deputetët, përfaqësuesit e Komunës së Kratovës, si dhe popullata lokale konstatuan se rikonstruktimi i urës nga viti 2004 me rrethojë prej metali dhe betoni nuk korrespondon me arkitekturën dhe ambientin tradicional në Qendrën e vjetër të qytetit të Kratovës. Nevojitet të bëhet rikonstruktim i sërishëm i Urës së Radinit, si një prej karakteristikave më të rëndësishme të Kratovës, me ç'rast do të kujdesen që ura të restaurohet në mënyrë autentike me materiale burimore nga të cilat është ndërtuar (dru dhe gur), në bazë të nenit 7 të Propozim-ligjit ku është përcaktuar regjimi i mbrojtjes së kompleksit monumental dhe mënyra e konservimit, meremetimit dhe restaurimit të objekteve.

Në takimin me kryetarin e komunës Mite Andonovski, këshilltarët Igor Smillkovski, Jonçe Efremovski dhe Zllatko Stojanovski nga Këshilli i Komunës së Kratovës, drejtorin e Muzeut të qytetit të Kratovës, Dragan Georgievski, si dhe deputetët Marjanço Kolevski dhe Stojan Milanov nga Kratova u diskutua për dispozitat e Propozim-ligjit dhe rëndësinë e miratimit të tij, me ç'rast u dhanë komente, mendime dhe qëndrime në lidhje me tekstin e Propozim-ligjit.

Të pranishmit arritën konkluzion të përbashkët se Qendra e vjetër e qytetit të Kratovës posedon objekte që janë me rëndësi të madhe historike dhe kulturore dhe se duhet të mbrohen me ligj. U theksua se është me rëndësi të madhe edhe implementimi i ligjit, ndjekja e dinamikës në realizimin e projekteve të planifikuara, realizimi i aktiviteteve me qëllim ngritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e Kratovës si trashëgimi kulturore, si dhe përcaktimi i drejtimeve për zhvillim të turizmit me të cilin do të promovohet Kratova. 

Click