Aktivitetet

E martë, 27 nëntor 2018 

DEBAT PUBLIK: "NDOTJA E JASHTËZAKONSHME E AJRIT TË AMBIENTIT NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË" 

Komisioni për Transport, Lidhje dhe Ekologji mbajti debat publik me temë: "Ndotja e jashtëzakonshme e ajrit ambiental në Republikën e Maqedonisë", me iniciativë të deputetëve të VMRO-DPMNE-së. 

Në debatin publik ishin të pranishëm anëtarët e Komisionit dhe deputetët, kryetari i komunës së qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, përfaqësues të organizatave civile dhe ekologjike dhe aktivistë. 

Përfaqësuesi i propozuesve, Vlladimir Gjorçev, theksoi se shkasi për këtë debat publik është gjendja katastrofale për shëndetin e njerëzve, duke e pasur parasysh se Republika e Maqedonisë për vitin 2018 u gjend në listën e shteteve më të ndotura në Evropë, ndërsa ajri i ndotur nuk ndjehet vetëm në Shkup, por edhe në gjithë Evropën, ku në ditë të caktuara Kumanova është qyteti më i ndotur në Evropë, si dhe qyteti i Manastirit dhe Tetovës.  
Në Buxhetin për vitin 2019 i cili është 3.7 miliardë euro, për ballafaqim me këtë problem janë ndarë afro 700 mijë euro. 

Gjorçev theksoi se futja e masës së re kundër ndotjes - etiketa për automjetet, do të shkaktojë stigmatizim të qytetarëve, për të cilën kryetari i komunës z. Shilegov u përgjigj se kjo masë është praktikë në qytetet e Evropës për reduktimin e ndotjes së ajrit. 

Zëvendësministri Makraduli, theksoi se ky problem mund të zgjidhet vetëm me angazhim të përbashkët dhe secili mund të kontribuojë individualisht, por edhe se barrën e bartin institucionet. Lufta për mjedis të shëndoshë jetësor zgjidhet me argumente dhe shkencë, ndërsa politika dhe populizmi nuk do të ndihmojnë. Ai bëri thirrje edhe për përfshirje më të madhe të organizatave civile dhe aktivistëve në ballafaqimin me ndotjen. 

Ministri i Mjedisit Jetësor përgatiti program të veçantë, plan për ndotjen e ajrit i cili përbëhet nga monitorimi, inspektimi dhe fushata. Në çerdhet, shkollat fillore, institucionet shëndetësore, si dhe konvikti studentor "Kuzman Josifovski-Pitu" sistemi i deritanishëm do të zëvendësohet me mjete ekologjike të ngrohjes, pjesa më e madhe e amvisërive do të kthehen në konektorët e qytetit, e në lidhje me gjelbërimin urban 15.000 fidanë janë paraparë sipas tipit dhe lokacionit, fillimisht nëpër të gjitha çerdhet në qytetin e Shkupit. 

Kryetari i komunës Shilegov, duke e prezantuar konceptin e ri të 27 masave të ndërmarrë kundër ndotjes, tha se burimet e ndotjes vijnë nga sistemi i paorganizuar i ngrohjes, aktiviteti industrial dhe ndërtimor, automjetet, ngrohja në shtëpitë, si dhe ndezja e organizuar e zjarrit në vend të hapur. 

Qyteti i Shkupit, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, Njësinë e Zjarrfikësve, Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, e përforcoi ekipin e mbikëqyrjes inspektuese, janë shqiptuar 260 dënime të detyrueshme dhe 12 kallëzime penale ndaj qytetarëve dhe institucioneve të cilat me sjelljen e tyre kanë kontribuar për ndotjen. 

Njoftoi se në fazë përgatitjeje është një ligj i ri për polici komunale, për të cilin kërkon mbështetje nga Kuvendi. 

Përfaqësuesit e organizatave civile dhe ekologjike theksuan se ende më rëndësi më shumë i kushtohet formës, e jo thelbit, se organet kompetente nuk reagojnë mjaftueshëm dhe ka mungesë përgjegjësie. 

U propozua që deputetët të bëjnë ndryshime të disa ligjeve ekzistuese: për tokat, lëndët e para minerale, efikasiteti energjetik dhe ndalimi i përhershëm i shfrytëzimit të thëngjillit në amvisëri, si dhe të organizohen diskutime publike. 

Fokusi i Qeverisë duhet të jetë në dhënien prioritet mbrojtjes së mjedisit jetësor. 

Në vazhdimin e ardhshëm të Komisionit do të shqyrtohen dhe miratohen konkluzionet e propozuara nga Debati Publik.  

Click