Aktivitetet

E hënë, 27 gusht 2018

Debatet mbikëqyrëse hallkë kryesore për zhvillimin e shoqërisë demokratike

Kryetarët dhe zëvendëskryetarët e komisioneve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë realizuan takim me anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kongresmeni Bil Flores e theksoi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm midis Republikës së Maqedonisë dhe SHBA në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy armatave. Ai informoi se Kongresi i SHBA është plotësisht i pavarur nga pushtetet tjera, meqë ai vet i harton ligjet, pastaj organizon dhe zhvillon debate mbikëqyrëse dhe kujdeset për pavarësinë financiare. Kongresi ka kalendar të debateve mbikëqyrëse, ndërsa dëshmitarët e thërritur janë të obliguar të marrin pjesë.  

Nga pala maqedonase u theksua se është e domosdoshme të ndryshohet legjislacioni, me qëllim të fuqizimit të mekanizmit mbikëqyrës dhe sipas modelit të Kongresit Amerikan, institucionet dhe dëshmitarët e thërritur detyrimisht të marrin pjesë në debatet mbikëqyrëse në Parlament. Mes tjerash, theksuan se më e rëndësishme është të kthehet besimi tek institucionet, pastaj Dhoma ligjvënëse duhet të jetë transparente dhe llogaridhënëse, meqë vetëm institucione transparente mund të punojnë në krijimin e shoqërisë demokratike. Kuvendi tanimë e ka përgatitur formularin për raport të cilin duhet t’ia dërgoj çdo institucion i cili është nën mbikëqyrjen e Kuvendit, me qëllim të kontrollit horizontal dhe vertikal të sistemit.

Të pranishmit e apostrofuan rëndësinë e organizimit të debateve mbikëqyrëse, veçanërisht duke e pasur parasysh faktin se kjo përbërje e legjislaturës deri më tani ka organizuar vetëm një debat mbikëqyrës edhe atë Komisioni për Kulturë që kishte të bëjë me mbrojtjen e Rajonit të Ohrit.

Mes tjerash, mysafirët u njoftuan me përgatitjet dhe rëndësinë e referendumit të ardhshëm në nivel shtetëror dhe ekzistimin e konsensusit për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO.

Në fund të takimit, kongresmeni Flores e theksoi gatishmërinë e SHBA që edhe në të ardhmen të jenë partnerë strategjik të Republikës së Maqedonisë.

Click