Aktivitetet

E hënë, 8 tetor 2018

DELEGACIONI I KUVENDIT NË KONFERENCË PËR TRANSFORMIM TË RAJONIT TË BALLKANIT PERËNDIMOR 

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në përbërje: Goran Milevski, Artan Grubi, Zhaklina Llazervska dhe Dragan Danev mori pjesë në Konferencën ndërparlamentare në Sofje me temë: "Transformimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor - perspektiva parlamentare për rolin dhe të ardhmen e procesit të aderimit në BE". 

Në Konferencën, të organizuar nga ana e Parlamentit Evropian dhe Kuvendi Popullor i Republikës së Bulgarisë, morën pjesë deputetët nga parlamentet nacionale të Rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe deputetët e vendeve anëtare të BE-së, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe iniciativave rajonale. 

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Javor Notev, në fjalimin e tij në hapjen e Konferencës theksoi se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk ka alternativë dhe i njëjti paraqet investim gjeostrategjik për Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar. Prezenca e një numri aq të madh të parlamenteve në një vend është porosi bindëse për kontinuitetin në përpjekjet e përbashkëta të të gjitha parlamenteve për mbështetjen e perspektivës evropiane të Rajonit, por edhe shenjë se ndajmë vlera të përbashkëta dhe vullnet të përbashkët që ta kalojmë rrugën bashkërisht, theksoi Notev. 

Nënkryetarja e Qeverisë së Republikës së Bulgarisë, e ngarkuar për reforma të jurisprudencës dhe ministre e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, theksoi se pa anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, projekti evropian mbetet i pambaruar dhe se motivi dhe motori kryesor për pajtim, lidhje dhe reforma të vërteta në Rajon, është pikërisht perspektiva evropiane. Pa mbështetjen e partive, parlamenteve nacionale dhe Parlamentit Evropian, nuk mund të ndodhë kurrfarë reforme, theksoi ajo. 

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Bulgarisë, Xhema Grozdanova, theksoi se Bulgaria do të vazhdojë të punojë në dobi të zgjerimit, përfshirë edhe përmes mbështetjes eksperte dhe ndihmës për parlamentet nacionale të Ballkanit Perëndimor. Bulgaria, gjithashtu, i jep rëndësi të veçantë procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore, sepse është format politik udhëheqës për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. 

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Këshillit Nacional të Austrisë, Andreas Shider, theksoi se procesi i asocimit, i cili zhvillohet në 15 vitet e fundit, jep rezultate ndaj sigurisë dhe paqes në rajon.  Perspektiva që këto vende të bëhen anëtare të BE-së u tregua motiv i fuqishëm për reforma, ndërsa integrimi evropian është instrument i vetëm për tejkalimin e të kaluarës në këtë rajon. Austria e mbështet të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por procesi varet nga përpjekjet e çdo vendi dhe përgjegjësia e tyre për reformim të institucioneve. 

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme të Senatit të Rumanisë, Kristian-Sorin Dumitresku, theksoi se kryesimi i Bulgarisë, Austrisë dhe Rumanisë me Këshillin e BE-së ndodh në një periudhë shumë të rëndësishme për rajonin. Ai potencoi se Rumania është mbështetës i fuqishëm i procesit të zgjerimit, për arsye që i njëjti është nxitës i një BE-je më të qëndrueshme dhe më të bashkuar dhe ka fuqi transformuese në gjithë Rajonin. 

Eurodeputeti Eduard Kukan e lavdëroi Bulgarinë për kontributin ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë kryesimit të tij dhe shprehu pritje se Austria, si njohës i mirë i Rajonit, do të bëjë çmos në atë drejtim, ndërsa Parlamenti Evropian do të vazhdojë t'i japë mbështetje procesit, i cili është i mirë jo vetëm për Rajonin, por edhe për gjithë kontinentin evropian. 

Gjatë debatit, u inkuadrua deputeti Artan Grubi, i cili shprehu falënderim ndaj Kryesimit të Bulgarisë, ku me përpjekje të përbashkëta Maqedonia siguroi argumente për partnerët e saj ndërkombëtarë, me përmbushje të reformave dhe kritereve të kërkuara. Ai kërkoi kushte të rrepta por të drejta nga ana e Brukselit dhe angazhim më të madh për rrumbullakimin e procedurave të mbetura në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me çka do të sigurohet anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.   

Click